Ferit Lamaj – fabulisti konçiz e tërë humor për fëmijë

0
5208
Fabula Xhepi - Ferit Lamaj

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Më ka rrëmbyer fabula që herët. Humbisja pas Ezopit e Fedrit, La Fontenit e Krillovit, Triluses, Naimit, Santorit e Çajupit. Fabula është magjike. Të ngjizet në shpirt. Të pushton. Të josh me përjetësinë e saj”. (Autori).

U lind në Korçë më 6 janar 1955. Kreu studimet e larta për gjuhë-letërsi shqipe në Tiranë. Lamaj është një nga fabulistët më të mirë shqiptarë.

Disa nga titujt e librave:
Në verë dhe në dimër (1977)
Zemërqeshur (1981)
Lepuri që bën shaka (1985)
Kush e hëngri mjaltin (1988)
Gjelkokoshi zgjon derrkucin (1989)
Bilbili dhe gjinkalla (1990)
Fabula (1992)
Mjau, mjau! (1994)
Ham, ham! (1994)
Ki, ki, ki! (1995)
201 fabula (1995)
Dhelpra doganiere (1995)
Ka, ka, ka! (1996)
Mak, mak! (1996)
Dhelpra e Trojës (1996)
Kafshët flasin (1997)
Bubi, beci dhe kaleci (1997)
Viçi dhe kërrici (1998)
Ngriva, shkriva (1998)
1111 fabula (1999)
Papagalli pinguin (2000)
Derri, derri… (2000)
201 Kryefabula (2000)
Derri me tri këmbë (2001)
Fabula erotike (2002)
Gërvisht e gërvisht (2003)
Mikrofabula (2004)
Lakuriqi lakuriq (2005)
Fabula të zgjedhura (2005)
Miss Dhia (2005)
Dhelpra e Trojës (2006)
Mbreti xhuxh (2007)
Dhelpra e Trojës (2008)
Dhelpra dhe fiqtë (2008)
Derri me tri këmbë (2008)
Mjeshtër Pinoku (2008)
Dhelpra e Trojës (2009)
Gici dhe polici (2009)
Dhelpra, rrushtë dhe Ezopi (2010)

Ferit Lamaj spikat si një autor origjinal dhe i suksesshëm ndër fabulistët shqiptarë. Duke lexuar fabulat e tij ndjen një kënaqësi estetike, vë buzën në gaz nga rrëkëzat e humorit, ironisë dhe sarkazmës për shumë gjëra, që na bëjnë të qeshim e të argëtohemi, veçori kjo që e bën autorin të dashur jo vetëm për të vegjëlit, por edhe për ne të rriturit. Me letërsi ai nisi të merrej qysh kur ishte nxënës në shkollën e mesme dhe krijimet e para në fushën e humorit e të satirës dhe të letërsisë për fëmijë i botoi në gazetat e revistat e kohës.

Për fëmijë ka botuar disa libra poetikë, si: Tosi me fustan (poemë humoristike), Gjelkokoshi zgjon derrkucin (fabula), Teli dembeli (poemë humoristike)…etj. Fabulat e tij janë plot me të papritura e paradokse, të shkruara shkathët e natyrshëm. Ato shquhen nga konçiziteti dhe mençuria e batutave, duke iu larguar moralizimit të hapur e banal, nga i cili ndonjëherë vuajnë edhe fabulistët e shquar.

Ndër to, nuk mund të mos vësh re edhe frymën popullore dhe kombëtare të përrallave e rrëfimeve të popullit tonë, përmes personazhit – kafshë. Jo vetëm kaq. Në fabulat e Ferit Lamajt ndihet edhe kultura, edhe ajo esencë që është përftuar e nxjerrë qysh nga Ezopi e La Fonteni, Krillovi e Trilusa dhe deri te autorët bashkëkohës. Sigurisht duke iu kthyer historisë së fabulës shqiptare, natyrshëm është vënë re edhe ndikimi i hershëm në të nga fabulistët më me emër të kohërave.

Fabula që vinte e krijuar ose e përshtatur nga Naimi, Çajupi, Ndre Mjeda etj, fabula që në traditën e të cilëve u zhvillua nga Nonda Bulka, Spiro Çomorra e ndonjë tjetër. Dhe fabula, ajo vjershë e shkurtër epiko-lirike ose me karakter alegorik e satirik tashmë duket disi e rrallë në krahasim me lëvrimin e poezisë në përgjithësi. Këtë ndikim e shohim dhe tek Ferit Lamaj, i cili është përkushtuar tërësisht fabulës, me seriozitetin e një krijuesi që ka pretendime ndaj vetes dhe ndaj krijuesit. Nisur nga sa më sipër, me të drejtë Odhise Grillo vlerëson, se “Ferit Lamaj është Ezopi i fabulës së sotme shqiptare…

Tek fabulat e tij vihet re një punë e kujdesshme si në sasi ashtu dhe në cilësi. Kështu, në vitin 1995 fabulat i përmblodhi në një vëllim më vete, të cilën e titulloi 201 fabula. Në vitin pasues numri i këtyre fabulave gati u trefishua (arriti në 555) në vëllimin Dhelpra e Trojës, kurse në vitin 1999 numri dyfishohet rishtazi dhe botohet në titullin 1111 fabula. Në vitin 2007 numri i fabulave të këtij autori përsëri njeh një dyfishim tjetër, duke arritur shifrën 2500. Tiparet artistike të ravijëzuara në përmbledhjet e para tani kanë marrë formë të plotë në krijimtarinë e shkrimtarit, dhe këtu mendojmë se qëndron veçoria dalluese dhe suksesi i tij duke na sjellë fabula cilësore që përcjellin mesazhe të vërteta filozofike dhe që shquhen për lakonizmin e mençurinë sarkastike, për konçizitetin dhe artin befasues. Cilat janë disa nga veçoritë e fabulave për fëmijë të këtij autori? Fabulisti Ferit Lamaj i ka për zemër fëmijët.

Këtë gjë e ka treguar me fabulat e tij kushtuar fëmijëve duke i pasqyruar mjaft mirë me rolin e tij si baba, shok, shkencëtar me zgjidhjet e situatave duke e ndihmuar lexuesin me informacione te shumta, me batuta përmbyllëse që të befasojnë dhe të bëjnë të buzëqeshësh, të mendohesh dhe në fund të argëtohesh.

Ndalemi tek përmbledhja me fabula “Dhelpra e Trojës”, ku Ferit Lamaj, ashtu si në gjithë krijimtarinë e vet, edhe në këtë libër trajton tema korente dhe përcjell mesazhe që zbulojnë aspekte e probleme të jetës së përditshme. Krahas stigmatizimit të kotësisë e mendjemadhësisë, si dhe veseve të tjera qesharake të jetës, fabulat e këtij vëllimi rrahin probleme të “ngjërimit” politik, të trajtuara përmes metaforave dhe analogjive të spikatura. Përmendim këtu fabulat: “Vilat”, “Arushi, mizat dhe maçoku”, “Dy kotelet dhe lapsi”,” Iriqi dhe kërmilli”, etj. Në përgjithësi në fabulat e tij kafshët kanë funksione në lidhje me njerëzit. Në të morali dhe satira zënë vendin kryesor. Kështu në fabulat: “Dora dhe këmba”, “Dora dhe barku”, autori shpreh qartë gjendjen ekonomike të vendit tonë. Autori ka vënë në lojë pushtetin: Keni parë, s’keni parë, Në rrugicë e trotuar Dora zgjatet, lyp lëmoshë.

Eh, të rrosh a të mos rrosh! Po shfryn barku: – S’të vjen zor, Ngele lypëse, moj e gjorë?! Ia vesh dora sy ndër sy: – Lyp për vete, lyp për ty… (Dora dhe barku) Qahej dora: – Ç’m’u desh mua Të bëj nder e të jap hua! Po ti, këmbë, ç’më rri, ç’pret, Mos pandeh, borxhi vjen vetë?! Ia kthen këmba: – Dreq o punë, Ti e jep e…ta marr unë! (Dora dhe këmba) Apo në fabulën tjetër “Dhelpra, ariu dhe arixhiu”, autori me anë të personifikimit të kafshëve jep realitetin shqiptar. Sot disa njerëz me pushtet pasurohen në kurrizin e njerëzve të thjeshtë.

Tej, në shesh kërcen ariu Lidhur pas një arixhiu.
Pa ç’u mblodhën kafshë, shpesë; Kush pak qumësht, kush një vezë…
Arixhiut trastat dëng, Prej gëzimit merr një këngë.
Ja, dhe dhelpra bishtin loz: – Kush kërcen, kush bëhet…Bos!

Ndërsa në fabulën tjetër “Ariu dhe Dhelpra”, autori fikson këto kafshë, ariun, dhelprën, kërriçin, gomarin për të realizuar qëllimin e tij goditës.
– E pandehur, të kanë parë Drejt kotecit duke ngarë, Një kërriç e një gomar. Me një fjalë, dy dëshmitarë… Çdo na thuash më në fund.

– S’e mohoj, është e vërtetë Që më panë ata dy vetë. Mirëpo unë, po më latë, Do t’ju sjell mu në gjykatë Nja dyqind që s’më kanë parë… Apo jo, zoti gjyqtar?! Kështu, në fabulën Dhelpra e Trojës, autori si një mjeshtër i fjalës, vargun fabulesk e përcjell me anë të personazhit-kafshë, në rastin tonë të dhelprës, që simbolizon dinakërinë – veçori karakteristike e njerëzve servilë, dinakë, që bëjnë çdo gjë për t’ia arritur qëllimin. Një ditë kali takon dhelprën: – Rroftë e qoftë dinakëria! Me dredhira e shtyn jetën, Për këtë flet lashtësia.

Ia pret dhelpra: – Pa kyç gojën, Kur përmend kohën e vjetër.
Kafsha që mashtroi Trojën Ishte kalë, s’ishte dhelpër! – Eh, vërtet ishte një kalë, Që trojanët i gënjeu. Porse ky a s’kishte dalë Nga një dhelpër, Odiseu?! (Dhelpra e Trojës) Fabulat e tij kanë gjallëri. Tematika dhe problematika në këto fabula janë dukuritë më themelore të jetës politike shoqërore.

Subjektin e fabulave ia frymëzon koha që po kalojmë, pabesia, tradhëtia, vuajtja, mizëria dhe dashuria. Fabula e Feritit është magjike dhe është e shkruar për të gjitha moshat, e gërshetuar me humorin e hollë dhe elegant. Libri tjetër me përralla për fëmijë “Dhelpra, rrushtë dhe Ezopi” (2010) është një përmbledhje me 162 fabula interesante. Në këtë libër gjallojnë personazhe, si dhelpra, bretkosa, nëpërka, mushkonja, miza, morri, etj., që tashmë jemi mësuar t’i shohim në krijimtarinë e autorit, botë faunike që pëlqehen shumë nga fëmijët. Te Ferit Lamaj gjen vëzhguesin e thellë e kërkues; tematikën e larmishme e të mprehtë. Autori të befason me kapjen dhe shtruarjen drejt e me sens humoristik e satirik të temave të larmishme e të mprehta të shoqërisë sonë demokratike, po edhe të temave të së shkuarës e të së ardhmes. Këto tema fabulisti Ferit Lamaj i jep me satirë e humor të hollë e domethënës nëpërmjet gjetjeve interesante e kuptimplotë.

Përmendim këtu fabulën Dhelpra, rrushtë dhe Ezopi; Gjysh Ezopi përsëri E gjen dhelprën nën hardhi, Teksa zgjatej pak nga pak Për një vesh, për një bistak. Flet Ezopi: – Ke një jetë, Kot sfilitesh, moj e shkretë! Këtë herë dhelpra “hop” Seç kërcen përmbi Ezop, (kish në gjak dinakërinë), S’voli një, por krejt hardhinë… Kur e lexon fabulën argëtohesh me personazhin e dhelprës, gjetje kjo interesante nga ana e autorit. Lexuesi e njeh dhe e ka dëgjuar dhe më parë këtë personazh,e njohur për bëmat e saj çudibërëse, me lajkat dhe dinakërinë e saj për të arritur qëllimin, ndaj autori e thekson: (kish në gjak dinakërinë), s’voli një, por krejt hardhinë. Fabulisti Ferit Lamaj di ku thumbon, ku gudulis e ku qëllon fuqishëm. Ja si shprehet autori në fabulat e tij: Bleta mjaltë shet në treg, Kilogrami një mijë lekë. – Çmim i thekur! – llap një derr,- Ma jep qumësht këtë herë… (Qumësht blete) Ose: Na fut hundët ku të mundë: Mu në sy, në vesh, në hund… (Mushkonja)

Ose: Elefanti te një shpellë Noçkën shtriu, tutje thellë. – Ç’torrollak, – tha një gamile, – Shet fildish e blen… fosile!

(Speleolog elefanti) Apo në fabulën tjetër: Peshkaqeni është në rrjet, Jo me grep, u dashka rrjetë… ( Mafia) Ferit Lamaj në fabulat e veta nuk qëllon me top mushkonjën e me saçme elefantin, por bën të kundërtën. Se ai është aq konçiz në krijimet e veta, të cilat kanë pak vargje e shumë kuptim, sa habitesh. Në fabulat e tij nanurit ritmi e rimat, muzikaliteti e përdorimi mjeshtëror e i larmishëm i vargut, strofës, etj. Mes fabulave të Lamajt fshihen e fshikullohen dallkaukët e servilët, rrufjanët e maskarenjtë e kësaj kohe të trazuar e të tejmbushur me strese. Kështu, shumicën e fabulave të veta e ndërton me pak
vargje: 4,6,8,12. Ja si e damkos ai servilin me mjeshtëri të lartë në katër vargje:

Që prej shekujsh rron e thëna:
“Qengji i urtë pi dy nëna”,
Por nuk dini më të renë:
“Pi servili gjithë kopenë!”
(Një thënie e re)

Ferit Lamaj shquhet për mençurinë, veçanërisht në batutat përmbyllëse, që janë kurora e fabulës. Në fabulën Lëngu i mishit autori të befason me batutat që krijohen midis dialogut të lugës dhe lëngut:

I tha luga: – More lëng,
Kot së koti mos shit mend!
Lëngu s’foli llafe boshe:
– Jam lëng mishi, jo lëng groshe…

Fabulisti Ferit Lamaj është padyshim zëri më virtuoz i fabulës shqipe. Siç e vlerëson akademiku Bedri Dedja, ështe privilegj për letërsine e sotme shqiptare dhe, sidomos atë për fëmijë, që i ka ardhur një talent i fuqishëm, Ferit Lamaj. Ta transplatosh realitetin e jetës në art me figura përrallore duhet mjeshtëri e rrallë dhe këtë mjeshtëri fabulisti Lamaj, si një filozof i kohës, e zotëron më së miri.