Entela Tabaku, një grusht jetë sa me vdekë

0
1417
Entela Tabaku

MAPO, 15 Tetor 2016

Poezia e Entela Sorman Tabaku tashmë është shndërruar në një fenomen në rrjetet sociale, pas këtij ”testi” me lexuesin ajo sjell vëllimin poetik ”Një grusht jete sa me vdekë”, që nuk është i pari, por vjen pas një shkëputjeje prej 16 vjetësh, emigruar në Suedi; Një konstrukt i munguar për shqipen me lirizmin e saj të brishtë, Tabaku sjell një filozofi të sendeve të thjeshta, të cilave u jep frymë, jetë në një marrëdhenie natyrore që e lë të lirë njeriun të zgjedhë; një raport mes qënies në ekzil dhe poezisë jashtë këtij konteksti.

Intervistoi: Violeta Murati

  • Entela, keni emigruar në Suedi, keni ndёrtuar jetën atje ndërsa nuk ndodh kjo me poezinë, keni sjellë pas kaq vitesh vëllimin poetik “Një grusht jete sa me vdekë”?

Nё njё farё mёnyre unё ika vetёm. Poezinё e lashё nё Shkodёr. Nuk di nёse nuk deshi ajo tё vinte me mua apo nuk e doja unё me vete. Fakti ёshtё se kur ika nga Shkodra, ika edhe nga poezia. Njё vete e imja sikur nuk deshi tё mё ndiqte nё kёtё vendim kaq dramatik.

  • Ju i riktheheni krijimit me kёtë libër, pas disa vitesh… ç’është ky “rizgjim”? Nxitja për të pasur sërish një emblemë poetike që ngjan si nevojë, çfarë parakushti ka pasur tek ju?

Mё kujtohet mirё mbrёmja kur shkrova poezinё e parё pas 16 vjetёsh: 5 dhjetor 2013. Po ndizja njё qiri qё do ta lija tё digjej deri nё fund, sipas njё zakoni tё vjetёr tё trashёguar nga nanadaja. Dhe ndёrsa po shihja atё flakёn e butё bojёzemёr, e ndieva se si u ngroha nga vargjet e mia: pёr hatrin tem, pёr hatrin tem, pёr ma tё madhin hatrin tem. Dhe mandej, ishte sikur kisha ndezur jo njё qiri, por njё vullkan.Kishte qenё njё vit i vёshtirё nё tё gjitha planet dhe isha e mbushur me llavё pёrvёluese. Po atё vit, rastёsisht, isha rilidhur me shqipen pas njё periudhe tё gjatё gjatё sё cilёs e vetmja shqipe ishte ajo nё telefon me familjen. Edhe ёndrrat i shihja nё gjuhё tё tjera. Por atё vit mё thirrёn nё universitetin e Uppsalёs pёr tё dhёnё njё kurs tё letёrsisё shqipe,gjё qё mё rizgjoi pasionin pёr letёrsinё shqiptare tё gjysmёs sё parё tё Nёntёqindёs dhe iu riktheva leximeve tё mia tё dikurshme.

Mandej mё ra nё dorё njё libёr i mrekullueshёm nё suedisht, botuar nga “Drita” nё Trelleborg tё Suedisё, me pёrkthime tё Rreshpjes dhe Podrimjes, dy nga poetёt e mi tё zemrёs. Ky lexim i pajtoi ndёr vete gjuhёt e mia, si me magji. U ndesha edhe me poezinё etre poeteve tё brezit tim Ardita Jatru, Enkeleda Ristani dhe Eli Krasniqi,qё nuk e dija se ekzistonin. Poezia e tyre ishte e atij lloji qё mё pёlqente, pa naze, pa lajle, pa hyjnizime ndjenjash femёrore. Poezi ku gruaja ёshtё njeri, jo ndonjё qenie mistike e krijuar pёr hatёr tё ndjenjave tё dikujt. Nuk e dija se edhe nё shqip, mё nё fund, po shkruhej njё poezi e tillё. Mё tej fillova tё komunikoja nё facebook me miqtё e fёmijёrisё tё cilёve u dukej çudi qё ekzistonte njё Entelё qё nuk shkruante poezi. Kjo ma kujtonte atё ndjesinё e mrekullueshme tё tё shkruarit. Sё fundmi, befas, kisha mё shumё kohё pёr veten: pёr herё tё parё pas kaq vitesh askush nuk qante pse unё dilja nga dhoma. Domethёnё ishin krijuar tё gjitha kushtet pёr tё zgjuar Borёbardhёn.

  • Poezia juaj ende nuk ka marrë përmasën brenda Shqipërisë, që të paktën t’ju lidhin emrin me letërsinë e këtushme. Çfarë ndjen?

Mendoj se ёshtё krejt normale, unё jam vonё pёr tё bёrё “karrierё letrare”, nё moshёn time 45-vjeçare poetёt kanё me dhjetëra libra. Por letёrsinё, sidoqoftё, nuk e bёjnё emrat. Letёrsia ёshtё shpirt i lirё, e vendos vetё se kё do marrё nё gjirin e vet. Nёse i duket interesante, dikur ndoshta e merr edhe poezinё time. Por letёrsia do kohё pёr tё vendosur, autorёt udhёtojnё nё kohё horizontale, kurse letёrsia nё kohё vertikale. Njё jetё njeriu, njё brez, nuk ёshtё asgjё pёr tё.

  • Është një temë aktuale, ajo çfarë shqetëson sot Evropën, emigrimi. Ne, mund t’ju pyesim si poete që tashmë jeton në një “paqe” me këtë fakt. Si mundet krijimi të hyjë në subkoshiencën e një mendjeje që nuk ndodhet aty, në vendin për të cilin flet?Pse ka gjurmë aq të fortë të qenit një krijuese që ka emigruar, çfarë është shtëpia në këto kontekste.

Emigranti e mbart vendin e vet me vete. Poezitё e mia janё njё tregim i vendit tim, sepse ato janё njё tregim i imi, i asaj qё jam. Unё jam vendi im.Adrian Paci e ka një vepёr ku njё njeri lakuriq mbart mbi shpinё, tё lidhur me litarё, njё çati. Ende nuk e kam parё diku njё imazh qё e tregon me kaq vёrtetёsi pёrjetimin e emigrantit. Ajo çatia ёshtё barrё, sepse njeriu i Pacit shkon kёrrusur nga pesha e saj. Por njёkohёsisht mbrojtje, ёshtё strukje nё shtёpi. Dhe mbi tё gjitha ёshtё identitet. Njeriu, sado i lirё tё jetё, e ka tё vёshtirё ta ndёrtojё identitetin e vet nё ajёr, pa u lidhur me litarё pёr diçka qё e mban pёr tё mos u rrёzuar nё honet e kёsaj bote. Edhe fluturimi ka nevojё pёr njё taban nga tё marrё hov. Dhe njeriu qё lёviz, qё ikёn, ёshtё mё i rrezikuar, ndihet mё i kёrcёnuar nga mospёrkitja.Ata litarёt mandej mund tё jenё rrёnjё pёrkatёsie, vargonj kufizues a liana xhungle qё tё ndihmojnё tё fluturosh mbi pengesa.

  • Çfarë e bën magjepsese kujtesën?

E kaluara ёshtё njё humbje e pёrditshme. Çdo ditё qё kalon, çdo çast i lumtur a i trishtuar qё kalon, humb. Dhe kjo humbje ёshtё shumё e dhimbshme. Po tё mos ishte kujtesa do tё ishte njё humbje e papёrballueshme pёr vetёdijen e njeriut. Mendoje tё jetosh duke e ditur gjithё kohёn se po humb dalngadalё atё qё po jeton, po shkon drejt vdekjes. Dhe sa mё e qetё tё jetё jeta, dmth kur ёshtё e siguruar mbijetesa, aq mё e pranishme ёshtё ajo vetёdije. Por kujtesa na mban gjallё, na jep idenё e vazhdimёsisё, na i jep jetёs kuptim. Ne vdesim por kemi jetuar, ashtu si kanё jetuar tё tjerё para nesh dhe do jetojnё tё tjerё pas nesh. Dhe sa mё gjatё jeton, aq mё tё rёndёsishme bёhen kujtimet. Sa mё e shkurtёr bёhet koha qё ke pёrpara, aq mё e rёndёsishme bёhet koha qё ke lёnё prapa. Vazhdimёsia e bёn jetёn tё mos duket e kotё. Kёtu gjindet edhe arsyeja e besimeve fetare, mendoj.

Ёshtё ngushёlluese dhe paqtuese tё besosh se e gjithё kjo humbje e ka njё kuptim, se ka njё forcё gjithёpёrfshirёse qё na mban dhe pёrmban. Nё kёtё kuptim besimi fetar ёshtё njё kujtesё mё vete, njё forcё mbёshtetёse pozitive qё na ndihmon ta mbajmё kёtё peshё tё madhe qё ёshtё jeta. Por mandej njeriu siç duket e ka njё prirje tё brendshme pёr pushtet dhe sapo e gjen njё burim force diku, mundohet ta pёrdorё pёr tё nёnshtruar tё tjerёt dhe kёshtu tё ngrejё veten. Kёto rregullat dhe kushtёzimet e jetёs sё pёrditshme, pёr shembull, qё nё pjesёn mё tё madhe kanё tё bёjnё me kushtёzimin e jetёs sё grave nё veçanti, por edhe tё njeriut nё pergjithёsi, nuk mё duken aspak hyjnore, por krejt njerёzore, shprehje e njё dёshirё pёr pushtet. Dhe pushteti e ka kujtesёn e fortё.

  • Sendet janë mbizotëruese në krijimet e tua, natyra pothuaj mungon. Pse kjo marrëdhënieve kaq “materiale”, ç’janë këto steriotipe që ngre njeriu, shpesh me të cilat lidh jetën, njerëzit, vendin, shtëpinë… apo jo?

Unё kam shumё natyrё nё poezi, mendoj, por ёshtё e vёrtetё se natyra ”ime” ёshtё e sendёrzuar a e materializuar. Unё do ta quaja e pёrbrendёsuar. Nganjёherё mё duket se e kam kapёrdirё tё gjithё botёn dhe se po e nxjerr pak nga pak tё mbllaçitur, siç bёjnё zogjtё me ushqimin e tё vegjёlve tё tyre.Ёshtё njё poemё nё libёr ”Kandёrr”, ku çdo kandёrr/andёrr ёshtё njё personazh mё vete. Aty nuk ka metamorfozё, por pёrbrendёsim. Ose ”Kanga e guackave”, ku çdo guackё mё tregon historinё e saj. Qё mund tё ishte e imja a e lexuesit. Njё iluzion poetik.

  • Poezita e tua, janë si jeta e përditshme. Përshkruani në natyrshmëri ngjarjen, një proçes kaq afër frymës, kaq afër lëvizjes, kaq afër melodisë që shoqëron njeriun kur gëzohet, kur trishtohet, kur e merr malli, kur hesht… Këto na duken sikur nga kthejnë në “rilindjen” e famshme, kur poetët thjesht u ngjanin mallit, kujtimeve…ndodh kështu apo jo, pse ky dimension tek ju, çfarë po përpiqeni përmes këtyre ndjeshmërive të thoni?

Unё vetёm po pёrpiqem tё lexoj veten, sepse vetja po pёrpiqet tё mё thotё diçka. Dhe kjo nuk ёshtё ndonjё risi, mbas tё dyzetave shumica e njerёzve zgjohen dhe kuptojnё se kanё kaluar kaq kohё nё funksion tё tё tjerёve dhe se ёshtё koha tё dёgjojnё veten, sa nuk ёshtё vonё. Unё, pёr shkak tё ndёrprerjes sё tё shkruarit, kam kaluar direkt nga poezia ime rinore nё poezinё time tё pjekur. Kur shkruan nё rini, je e interesuar pёr perspektivёn e madhe, bagazhi yt ёshtё shumё i vogёl por joshja pёr tё “udhёtuar” larg, pёr t’u thelluar nё tё panjohurёn, pёr tё abstraguar ёshtё shumё e fortё. Dhe talentet e mёdha vёrehen gjithnjё nё moshёn e rinisё, sepse kanё forcё abstraguese, krijojnё botёn nga asgjёja. Kur shkruan si e rritur perspektiva ndryshon. Bagazhi ёshtё i madh dhe ti e di tashmё se bagazhi yt ёshtё i vetmi ku mund tё thellohesh. Siç gёrmon Mary Poppins nё çantёn e vet. Edhe abstragimi mё gjenial tё risjell nё bagazhin tёnd fillestar. Ajo qё ёshtё afёr njeriut bёhet mё interesante se sa ajo qё gjindet larg.Ta ndiesh deri nё fund praninё e ngjarjes ndёrsa po ndodh, ёshtё sfidё e rritjes. Rinia nuk ia sheh fundin tunelit, kurse pjekuria po.

  • Ju jeni pedagoge, keni investuar në botën akademike në Suedi. Ç’ka qenë kjo ambicje, si ishte kjo rrugë për ju? Po ashtu jeni e lidhur me botën italianistike, keni një studim. Mund të na flisni për të, çfarë përmban?

Kur u largova nga Shqipёria isha gati 27 vjeçe dhe nuk kisha bёrё kurrё punё tjetёr pёrveçse pedagoge letёrsie. Kёtu mandej, si shumica e emigrantёve ndoshta, m’u desh t’ia nis edhe njё herё nga fillimi, nga provimet e gjimnazit. Ta rindёrtosh jetёn tёnde ёshtё e mundimshme, sidomos sepse njёkohёsisht u bёra edhe me fёmijё. Kam harruar si ёshtё tё flesh mё shumё se 4 orё natёn. Por unё kam pёrfituar shumё nga ristudimet e mia pёr tё lexuar, pёr tё njohur letёrsinё bashkёkohore, pёr t’iu pёrkushtuar njё fushe tё re, gjuhёsisё italiane. Studimi qё pёrmendni ёshtё punimi im i dizertacionit i para njё viti, qё ёshtё plotёsimi i premtimit qё i dhashё t’im eti kur ika nga Shqipёria dhe ndёrpreva planet pёr njё dizertacion atje.Nё Shqipёri kisha ndёr mend tё shkruaja pёr Koliqin dhe poezinё italiane, kёtu studioj se si ndryshimet sociolinguistike tё italishtes sё sotme hyjnё nё gjuhёn italiane si gjuhё e huaj.

  • Keni menduar rikthimin në Shqipëri, ndonëse keni ndërtuar familjen, jetën atje?

Njё ndёr ndjenjat mё tё trishtueshme pёr njё emigrant ёshtё kur e kupton se rruga e mёrgimit ёshtё njё rrugё pa kthim. Patjetёr qё mund tё kthehesh, Shqipёria nuk ёshtё nё luftё, por nё momentin kur ikёn nisin paralelisht edhe dy procese tё pakthyeshme. Sё pari ti ndryshon vetё, nuk je mё ajo qё ike. Njё dimension i ri bёhet pjesё e vetes tёnde, unё e quaj dimensioni i dritares. Ёshtё ai dimension qё nё njё moment tё caktuar tё jetёs tёnde tё rritur ta ndalon rrjedhёn normale, tё kthen nё fёmijё qё s’mund tё shprehet siç duhet dhe tё vendos nё dritare si kundruese. Gjatё kёsaj periudhe, qё mund tё zgjasё edhe me vite, derisa integrohesh nё shoqёrinё e re me gjuhёn e vendit, derisa gjen njё punё qё tё pёrshtatet, miq, partner, etj. kundron jetёn pёrreth, veten tёnde, pa mundur tё zbresёsh nё rrugё. Nga dritarja gjithçka ka njё pamje tjetёr. Nuk je ende aty, tek jeta e vёrtetё qё nё tё mirё a nё tё keq shkon pёrpara.

Kjo tё ndryshon si njeri, kёrkon shumё forcё karakteri pёr ta pёrjetuar pozitivisht.Kur mё nё fund inkubatori i dritares mbaron, nёse mbaron sepse shumё e kalojnё gjithё jetёn nё dritare, nuk je mё ajo qё ishe mё pёrpara. Kurse procesi i dytё ёshtё ndryshimi i vendit nga ike. Njerёzit, situatat, gjuha, gjithçka ndryshon gjithё kohёn. Kurse pёr ty vendi jot fosilizohet nё atё vend qё ishte kur ti ike. Dhe mendoj se nuk ka rёndёsi nёse shkon shpesh apo rrallё atje. Ky fosilizim ёshtё fenomen i gjithёvlefshёm. Dhe zhgёnjimi ёshtё i pashmangshёm, sepse sa herё kthehesh ti kёrkon atё dashurinё e hershme. Mund tё jetё edhe gёzim, kur vёren se gjёrat pёrmirёsohen, por pa ty ama. Largёsia tё jep edhe njё favor, sepse nga largёsia i sheh mё mirё disa fenomene. Por ne nuk na pёlqen qё njё shqiptar t’i kuptojё mё mirё gjёrat tona, prandaj shumicёs sё emigrantёve u thonё: “eh, ku di ti ç’bёhet kёtu, kollaj tё gjykosh nga larg, erdhёn kёta tё na japin mend, etj”. Dhe ёshtё e vёrtetё, ёshtё kollaj tё gjykosh nga larg, nё tё gjitha kuptimet.

  • Sa e njihni atmosferën letrare në Shqipëri, kë lexoni?

Lexoj gjithçka qё mund tё siguroj, ndjek edhe rekomandimet e miqve dhe mediave.Pёr fat tё mirё tani nё epokёn e internetit mund tё porositёsh shumicёn e botimeve. Ndjesia qё kam ёshtё se kemi stilistё shumё tё mirё por mbizotёron njё ftohtёsi e madhe, tё mpihen dhёmbёt duke lexuar. Proza ka ngrirё. Kemi njё traditё relativisht tё gjatё tё mospёrjetimit, atё tё realizmit socialist, me njё letёrsi qё i ruhej burgut. Çdo botim ishte i shёnuar nga frika ndaj sё vёrtetёs, mungesa e guximit, kёrcёnimi i vazhdueshёm. Njё situatё e tillё i mёsonte krijuesit tё distancoheshin emocionalisht nga vetja dhe tё shndёrroheshin nё kronikanё. Kjo mё duket se na ka mёsuar me estetikёn e njё ndjeshmёrie prej qelqi.

Dhe, ngaqё postmodernizmin e kemi mёsuar me ngut, ndoshta pёrjetimi i vёrtetё ngatёrrohet me realizmin. Por pёrjetimi i vёrtetё, ai qё i jep gjak letёrsisё, mund tё shprehet edhe me estetikёn postmoderniste.Ky tёhuajёzim nga pёrjetimi e largon lexuesin nga autori, lexuesi e ndien kur romani ёshtё mё shumё reflektim leximesh sesa reflektim i vetvetes. Ka shumё piklime nёpёr qelqe, duhet dikush t’i thyejё xhamat dhe tё çajё damarёt e vet me to. Tё rrjedhё pak gjak i ngrohtё nё venat e letёrsisё tonё, dikush qё rrnon pёr me tregue. Por ka autorё tё rinj tё talentuar qё ndoshta e thyejnё atё mur akulli qё kemi ngritur mes vetes dhe pёrjetimit. Letёrsia shqiptare e pёrtej kufirit, pёr shembull, e ka kёtё vlim tё brendshёm.

  • Të kemi ndjekur në një përpjekje estetike për të thënë ç’është poezia, kur shkruhet, kur ajo është e tillë. A mendoni se poezia ka nevojë për teori, apo tani në këto kushte kur shkruajnë të gjithë, kur të gjithë “ndjehen” poetë është mirë të kujtojmë parakushtin estetik të saj?

Kam pёrshtypjen se tё gjithё mund tё shkruajnё poezi, nё njё farё mёnyre. Cilёsia mandej ёshtё gjё tjetёr.Unё pёr vete kam tre kute pёr ta vlerёsuar poezinё e mirё. Kuti i gjuhёs dhe ritmit poetik ёshtё i pari dhe shpesh vlerёsimi ynё ndalet kёtu. Mjafton tё lexojmё njё poezi me metafora interesante dhe na duket e mirё.Poezia shqiptare ёshtё e mbushur me metafora tё bukura, por kjo ёshtё mё shumё meritё e shqipes se sa e talentit tё poetёve. Dhuntia e metaforave mund tё jetё edhe njё zejё jo shumё e vёshtirё pёr t’u mёsuar, mjafton pak frymёzim i zakonshёm jetёsor, pak lexime dhe, voilà, del poezi.

Prandaj edhe kemi kaq shumё poetё tashti, sepse tё gjithё mund tё shkruajnё nё facebook, pёr shembull. Tё gjithё janё fotografё se kanё celularё. Po ta dinin pianon tё gjithё, tё gjithё do bёheshin nga pak kompozitorё. Kurset e pikturёs janё tё mbushura me piktorё. E pse jo? Arti nuk ёshtё aq ekskluziv, mund tё jetё edhe amator, por kushtet e artit tё mirё janё ekskluzive. Poezia amatore nё fakt nuk ёshtё “e rrezikshme”, ajo veç engledis veten dhe miqtё e vet me lexim hovesh. Poezia mediokre, nga ana tjetёr, e ka metaforёn qёllim mё vete dhe kjo e zhdjerg poezinё. Poezia e mirё ёshtё mё shumё se metaforё, shkon pёrtej.

Metafora nuk ёshtё qёllimi, ёshtё mjeti. Mjeti me tё cilin shprehet ndjeshmёria e poetit ndaj gjendjes njerёzore. Njё poet i vёrtetё e ndien si njё tel violine gjithçka qё i ndodh njeriut dhe e tingёllon atё. Sa mё e hollё ndjeshmёria, aq mё e mirё poezia. Kur e lexon atё poezi, tё duket a thua se poeti tё njeh, ta ka lexuar shpirtin, ёshtё bёrё njё me ty. Ose tё jep njё ndjesi gati profetike a epifanike.Por edhe kuti i ndjeshmёrisё nuk mё mjafton pёr ta pёrkufizuar poezinё e mirё, edhe pse ёshtё shumё i rёndёsishёm. Kuti i tretё ёshtё ajo qё mund ta quaj zemra e madhe.

Arti i vёrtetё e ka zemrёn e madhe dhe e pranon njeriun ashtu siç ёshtё. Nuk gjykon, nuk pёrpiqet tё tё japё mend a tё tё mёsojё a tё tregojё sa tё zot e ka tё zotin. Poezia e mirё tё pёrfshin, tё ndriçon, tё frymёzon, tё kёnaq, tё mёson tё bukurёn, tё bёn edhe ty si lexues pjesё tё saj. Poezia e mirё ёshtё njё fenomen pjellor, qё nuk mbaron kur e takon mendjen e lexuesit, pёrkundrazi shtohet duke bёrё dashuri, ёshtё farё qё mbillet. Ndryshe nga poezia mediokre qё ёshtё zemёrngushtё, nuk mbjell, por masturbohet.

  • I përkisni një brezi të fillim ’90-ës, çfarë ka qenë për ju kjo periudhë sa i takon leximeve, njohjes me botën tjetër, hapjes së vendit..si e keni perceptuar atë kohë, gjurma?

Ngjarja mё e madhe pёr formimin tim nё ato vite ishte njohja e poezisё hermetike italiane nёpёrmjet Zef Zorbёs. Kopjoja me dorё vёllime tё tёra tё kёsaj poezie, nuk doja tё mё humbiste asnjё varg. Kjo e ndryshoi krejt mёnyrёn si e konceptoja poezinё. Mandej njohja me poezinё e vetё Zorbёs, Camajt dhe Rreshpjes. Njё ndjesi tё tillё epifanike e kam provuar shumё vite mё vonё nё Suedi, kur njoha poezinё e Silvia Plath, Edith Södergran dhe Anne Sexton.

  • Ky është libri juaj i parë, pse tek një botues, “Adonis” që nuk “ofron garanci” për lexuesit, meqë është një emër i panjohur në treg?

Ёshtё libri i dytё nё fakt, i pari u pat botuar nё Shkodёr para 20 vjetёsh, nga shtёpia botuese “At Gjergj Fishta” e Stefan Çapalikut. “Adonis” tani sepse vetёm botuesi Aqif Hysa ma pranoi librin. Nuk doja ta botoja me lekёt e mi, sepse njё ndёr kёnaqёsitё e botimit ёshtё se dikush beson kaq shumё nё poezinё tёnde sa rrezikon lekёt e vet. Dhe ai e mori pёrsipёr. Dhe e falenderoj pёr kёtё. Aty kam mbledhur njё pjesё tё poezive nga 2014 dhe pjesa e parё e 2015.

  • Pse në Shqipëri këtë botim, dhe jo fjala vjen në Suedi, ku ju keni dhe njohjen akademike tashmë?

Sepse mё mjafton qё jam mёrgimtare vetё, librin tё paktёn e doja vendali.

  • Keni sjellë edhe një përkthim, çfarë është ky libër? Pse koha juaj edhe për të përkthyer?

Po, sapo ka dalё nga shtypi pёrkthimi im i romanit “Long John Silver”, shkruar nga Björn Larsson, ёshtё historia e piratit tё famshёm tё “Ishulli i thesarit”. Mё pёlqen shumё Larsson, ёshtё akademik i njohur nё Suedi, por shkruan shumё thjesht, si tё ishte njeri i zakonshёm. Por brenda asaj thjeshtёsie ka shumё nivele, qё vetёm njё lexues i stёrvitur mund t’i dallojё. Gajasesh duke e lexuar, ndёrsa njёkohёsisht tё ngrihen qimet e kokёs nga pёrshkrimet pa dorashka dhe, ndёrkohё, njё mendim filozofik tё mbёrrin me vela tё hapura. U josha mandej ta pёrkthej romanin, sepse propozimi mё erdhi nga njё shtёpi e vogёl botuese nё Prishtinё, PA, qё e respektoj shumё sepse boton pak por saktё.

(Kjo intervistë është në kuadër të projektit “Udha e Shkronjave”)

KATËR SPROVAT

I. Sprova e zjarrit

a e ke provu me e zhytë dorën në flakë
me e kapë drunin që digjet ngadalë
me ia shkërmoqë prushin me gishta
mandej me e shtrëngu në pëllambë
dhe me ia ndi erën lëkurës që përcëllohet
ulurimën mishit që shkrumbohet
të fikunin e gjakut që përthahet në vena
me ia ndi shkrimjen
kocit që përpihet deri në palcë
a e ke provu?

a dhemb?

II. Sprova e ujit

a e ke provu me e shpuplu me gishta
borën mbi detin e ngrimë
me e shkërmoqë shtresën e hollë të akullit
mandej me e zhytë dorën thellë në ujin e ftohtë
dhe me ia ndi mpimjen lëkurës që mavijoset
kuisjen mishit që tkurret
të fikunin gjakut që ngurtësohet në vena
me ia ndi kërcitjen
kocit që kriset deri në palcë
a e ke provu?

a dhemb?

III. Sprova e ajrit

a e ke provu me e tundë dorën në lamtumirë
me i zgjatë gishtat në ajër ngadalë
me e mbushë pëllambën me erë
mandej me e lanë me të përshku
dhe me ia ndi zhuritjen lëkurës që flladitet
mallin mishit që bjen për thonjsh
të fikunin gjakut që ik teposhtë
me ia ndi dobësinë
kocit që mpaket deri në palcë
a e ke provu?

a dhemb?

IV. Sprova e dheut

a e ke provu me e gërmu me gishta
dheun e e ngurtë në pranverë
me e gërry me thonj shtresën e parë
mandej me e hapë një gropë thellë e ma thellë
dhe me ia ndi djegien lëkurës që çahet
shkërmoqjen mishit që copëtohet
të fikunin gjakut që derdhet prej venash
me ia ndi braktisjen
kocit që varroset deri në palcë
a e ke provu?

a dhemb?


Bio

1971- Lind në Shkodër
1989- Mbaron Shkollën e Muzikës “Prenkë Jakova”, dega violinë
1989- 1993- Dega gjuhë-letërsi, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër
1993 – 1998- Asistente pedagoge, Departamenti i Letërsisë, Universiteti i Shkodrës
1996- Boton librin me poezi e prozë “50 poezi dhe 5 intermexo”, Shtëpia botuese “At Gjergj Fishta”, Shkodër
1998- Transferohet në Suedi
2000 – 2006- Dega e mësuesisë, Universiteti i Uppsalës, Suedi
2014- Mbron dizertacionin në shkencat gjuhësore, Universiteti i Stokholmit.
2014- vazhdim- Pedagoge e gramatikës italiane, Universiteti i Stokholmit.
2016- Boton librin me poezi, 2014-2015, “Një grusht jete sa me vdekë” , botimet “Adonis”