EKSTRADIMI DHE SIGURIA JURIDIKE

0
1388

AV. XHABIR ZEJNUNI

Në raste të veçanta procedimi apo gjykimi penal, në shtete të ndryshme mund të bëjnë kërkesë esktradimi për persona të caktuar për t’i gjykuar ata, ose që ata të vuajnë dënimin e dhënë nga një vendim i kaluar në ekzekutim. Ekstradimi, është një institut juridik, i cili ka lidhje me bashkëpunimin mes shteteve të ndryshme për parandalimin dhe shtypjen e krimit.

Këto ditë, po bëhet shumë zhurmë (e radhës!) politike dhe mediatike në lidhje me (mos)ekstradimin e Agron Xhafajt për një krim të kryer në Itali. Gjykimi ka filluar në Itali në vitin 2002 dhe ka përfunduar në vitin 2012 në Gjykatën e Kasacionit me vendimin Nr. 39835/12, me anën e të cilit konfirmohej dënimi i Agron Xhafajt me 7 vite e 2 muaj burg.

Këtë vendim, e publikoi PD-ja para pak ditësh (por, që i mungon faqja 12!). PD-ja shtroi problemin e (mos)ekstradimit të Agron Xhafajt si rezultat i pengesës që sjell Kodi i Procedurës Penale i ndryshuar me Ligjin Nr. 35, datë 30.03.2017. Dhe i akuzuari kryesor, konsiderohet Fatmir Xhafaj, pasi ai paska fallsifikuar Kodin e Procedurës Penale për të shpëtuar vëllanë e tij nga ekstradimi. Bëhet fjalë për nenin 491 me titull “Mospranimi i kërkesës për ekstradim”, germa f), e cila disponon se “Nuk mund te jepet ekstradimi: kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit”. Norma ligjore më lart, është një normë garantiste, pasi nëse në pjesën e parë ajo e përjashton mundësinë e ekstradimit “kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë”, në pjesën e dytë e lejon ekstradimin “kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit”.

Kjo normë ligjore, respekton parimin e SIGURISË JURIDIKE, e cila i siguron kujtdo që akuzohet për një vepër penale, një proçes gjyqësor të rregullt dhe të drejtë. Po ashtu, kjo normë ligjore është në respektim edhe të konventës europiane mbi ekstradimin (Paris, 13 dhjetor 1957). A mund të thuhet se norma në fjalë është shtuar enkas për të shpëtuar vetëm Agron Xhafajn? Jo. Pasi nga kjo normë mund të përfitojë kushdo, që mund të ndodhet në të njëjtën situatë. Deri tani, Ministria e Drejtësisë e Italisë nuk ka bërë asnjë kërkesë ekstradimi pranë Ministrisë së Drejtësisë të Shqipërisë për Agron Xhafajn. Pasi nëse do ishte bërë kjo kërkesë ekstradimi, atëherë duhet parë periudha e kohës se kur është bërë ajo. Bëhet fjalë për periudhën 2002-2018 kur në pushtet ishin: socialistët deri në vitin 2005, demokratët në periudhën 2005-2013, apo socialistët në vitin 2013 e në vijim.

Edhe Sali Berisha deklaroi në emisionin “Studio e Hapur” në TV News 24 (15.05.2018) se “Në Shqipëri ka ardhur kërkesë për ekstradimin e vëllait të Xhafës, por nuk është ekzekutuar”. Por, Sali Berisha nuk sqaron datën e kësaj kërkese për ekstradim. Edhe gazetarët e “pavarur” në studio nuk ngulmuan që të kërkonin nga Sali Berisha datën e kërkesës për ekstradim. Por, nëse supozohet se kjo kërkesë esktradimi ka ardhur pas vitit 2013, atëherë bën çudi fakti se si nuk është treguar aq “vigjilent” Gazmend Bardhi ish ministri 4 mujor (maj-gusht 2017) i Drejtësisë në Qeverinë Rama-Basha, për të verifikuar këtë fakt!

Duhet parë edhe nëse kërkesë ekstradimi që është bërë sipas Sali Berishës, i takon periudhës 2005-2013 kur ishte në pushtet PD-ja. Pasi në rast konfirmimi, do bënte shumë çudi fakti se përse ndodhemi tani përpara këtij “skandali” politik, juridik dhe mediatik!

Nëse Italia i bën Shqipërisë një kërkesë ekstradimi për Agron Xhafajn, atëherë ky ekstradim mund të bëhet vetëm nëse Italia pranon rihapjen e vendimit ndaj tij prej Gjykatës së Kasacionit. Këtë rihapje, e parashikon edhe legjislacioni italian në nenin 625-te të Kodit të Procedurës Penale, i cili disponon në par. 1 se “I dënuari apo i nënshtruari i një mase sigurie me një vendim të kaluar në ekzekutim, në ngarkim të të cilit është proceduar në mungesë gjatë tërë proçesit, mund të kërkojë rihapjen e gjykimit kur provon se mungesa lidhet nga një mungesë të pafajshme dhe njohjes së celebrimit të proçesit”. Nëse Agron Xhafaj nuk ka pasur dijeni për proçesin penal në ngarkim të tij, atëherë ai mund të kërkojë brenda 30 ditëvë nga marrja dijeni e vendimit në ngarkim të tij, rihapjen e gjykimit (par. 2).

Në rast se Gjykata e Kasacionit pranon kërkesën, atëherë ajo e revokon vendimin në ngarkim të Agron Xhafajt, duke e rikthyer proçesin penal në shkallën e parë të gjykimit, në aplikim të nenit 489, par. 2 të k.p.p. Vetëm në rast se pas kësaj garancie gjykimi, Shqipëria nuk ekstradon Agron Xhafajn, atëherë duhet parë se kush e pengon këtë ekstradim. Nëse do të provohet se penguesi është Fatmir Xhafaj, atëherë ai do mbajë përgjegjësi politike dhe juridike.

Vendimi i Gjykatës së Kasacionit, na jep edhe disa informacione interesante. Tek pika 3.1, thuhet se Agron Xhafaj është dëbuar prej Italisë me datën 20 prill 2002, përpara daljes së dekretit që dispononte gjykimin prej gjykatësit (GUP) të Leçes me datën 24 shkurt 2003. Këtë dëbim, Gjykata e Kasacionit e quan të paligjshëm, sepse ai është bërë në “mungesë pushteti”, pasi nuk ishte dhënë më parë leja (nulla osta) prej autoritetit gjyqësor. Gjykata e Kasacionit, arsyeton se në rastin kur është në procedim penal një person, por që nuk ndodhet në burg, atëherë duhet që Kuestori para sa ta dëbojë atë të kërkojë lejen (nulla osta) prej autoritetit gjyqësor.

Si rrjedhojë, Kasacioni nxjerr këtë PARIM DREJTËSIE: “Kur dëbimi i të huajit, i cili i është nënshtruar procedimit penal, është kryer në difekt të lejes (nulla osta) të autoritetit gjyqësor, ai është i PAPËRSHTATSHËM që të përcaktojë mos procedimin e proçesit penal”. Në thelb, Gjykata e Kasacionit thekson se Agron Xhafaj, i është shmangur gjykimit, pasi edhe pse ai ndodhej në Shqipëri, kishte të drejtën ligjore që të paisej me vizë pranë autoriteteve konsullore italiane për të marrë pjesë në proçesin penal në ngarkim të tij.

Sidoqoftë, duhet pohuar fakti se Agron Xhafaj rezulton i dëbuar dhe i proceduar në mungesë. Bën shumë çudi fakti se si është gjykuar Agron Xhafaj në të trija shkallët e gjykimit, pa u ezauruar më parë nga gjykatat përkatëse edhe kërkesa për ekstradim pranë Ministrisë së Drejtësisë të Italisë për t’ja përcjellur më pas Ministrisë së Drejtësisë të Shqipërisë. Por, këtë problem nuk e trajton Gjykata e Kasacionit, duke qenë se ajo nuk është investuar në këtë drejtim nga palët e interesuara.

Dihet se në të drejtën penale të një shteti demokratik, përgjegjësia penale është individuale dhe jo kolektive. Kurse në sistemet komuniste, përgjegjësia penale është kolektive. Shqipëria ka qenë një shembull konkret në këtë fushë (…)!!! Të kërkosh sot dorëheqjen e Fatmir Xhafajn për një vepër penale që akuzohet se e ka kryer i vëllai i tij, tregon se mbeturinat bolshevike në Shqipëri janë akoma me bollëk.

Por, do jenë edhe në vazhdim (…)!!!!

(15.05.2018).