DORËHEQJE APO HEQJE DORË?!

0
611

AV. XHABIR ZEJNUNI

I nderuar Taulant. (Të nderuar/a Taulantë/e).

Para disa ditësh, në një rrjet social lexova një shkrim shumë kritik dhe denigrues ndaj teje, ku përmendej historia e jote. Shkruhej për ty si një “revolucionar”, i cili para një viti bënte thirrje për përmbysjen e Qeverisë së korruptuar Rama, kurse tani ti ishe bërë mbështetës i kësaj Qeverie të korruptuar duke pranuar ofertën e Ramës për t’u bërë Zëvendës Ministër i Arsimit dhe Sportit, me misionin fisnik për të reformuar dhe vetinguar sistemin arsimor në Shqipëri.

Me këtë rast, vizitova faqen tënde në FB, ku modestisht bëra ndonjë koment, ku kritikova mungesën e koherencës tënde intelektuale dhe shpreha një lloj skepticizmi ndaj misionit tënd. Dhe ky skepticizëm i imi, u vërtetua kur ti dhe dorëheqjen pas dy javësh. Helbete, nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ti duke qenë i ri dhe dhe i pa përvojë, re në “kurthin” që të ngriti Rama, i cili ofertën ta bëri jo se i plasi xhani atij që ti të reformoje dhe vetingoje sistemin arsimor, por sepse ai donte që të “thyente” ty dhe të kishte më mirë pranë tij se sa në anën tjetër të llogores.

Shtoj se vetingu i titujve akademikë (që ti i ke aq shumë për zemër!) edhe nëse do kishte pasur sukses, nuk do kishte sjellë kthesën e ëndërruar dhe shpresuar nga të gjithë! Problem shumë i madh mbetet vetingu i mentalitetit oriental që ka pllakosur atë vend(….)!

Arsyet e tua të dorëheqjes, i shpjegove më pas në ndonjë intervistë dhe qëndrojnë plotësisht. Por, ti je me shumë fat, pasi do kthehesh përsëri në vendin dhe punën që kishe më parë me pagesën prej 9000 euro në muaj dhe me zyrën ku nuk të mungon asgjë. Përfshirë edhe banjot e paisura me ujë dhe me letër higjenike! Më mirë kështu se sa të punoje si “çinovnik” model rus në Shqipëri. Por, ka shumë persona të tjerë, të cilët pas studimeve jashtë, janë kthyer në Shqipëri me shpresën që të jepnin kontributin e tyre modest.

Por, ata kanë mbetur shumë të zhgënjyer dhe janë detyruar që t’i përshtaten për fat të keq atij ambienti, në pamundësi që të kthehen prapa. Por, ka edhe nga ata persona që edhe pse kanë studjuar jashtë, nuk kanë shkëlqyer aty ku kanë studjuar dhe kanë preferuar që të vijnë e të sjellin pak “dritë” në Shqipëri. Këta janë me shumë fat, pasi ndonjërin/en prej tyre e kemi edhe parlamentar/e.

Është për t’u mirëkuptuar idealizmi yt rinor, i cili të bëri që ti të ndërmerrje një hap të tillë kaq të guximshëm. Por, “plagët” që të shkaktoi ky idealizëm, shërohen shumë shpejt, pasi ti je i ri dhe e ke jetën përpara.

Nuk përbën sekret edhe fakti se sistemi arsimor në Shqipëri është sabotuar me qëllim me forma dhe me mënyra të ndryshme pas vitit 1990, ku u “prodhuan” me sasi “industriale” intelektualë, por pa intelekt. Të siguroj se ashtu kot nuk është bërë kjo masakër(….)!

Uroj që ti ta kesh kuptuar se politika nuk është një sport aq i lehtë për t’u ushtruar dhe përballuar. Përfshirë edhe (ish)titullarët e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Sipas meje, ti nuk u dorëhoqe, por HOQE DORË(….)!

Dhe bëre shumë mirë.
Suksese.