Djegia e shkollës dhe sulmi ndaj policisë/ Prokuroria zbardh ngjarjen: Ishin 40 vetë të komanduar nga Bardh Spahia

0
458

Ekskluzive.al, 22/06/2019

Gjatë seancës që është zhvilluar sot në gjykatën e Shkodrës, ku janë dhënë masat e sigurisë për të arrestuarit e tensioneve në KZAZ, organi i akuzës ka zbardhur dinamikën e asaj që ka ndodhur.

Mësohet se prokuroria ka thënë para gjykatës, se ish-deputeti Bardh Spahia ka kundërshtuar thirrjen e forcave të rendit, dhe nga filmimet rezulton se pasi është çarë kordoni i policisë, Spahia ka qenë aktiv në këtë ngjarje.

Prokurori i çështjes në Gjykatë:
Policia ka thirrur përforcime dhe janë bërë rreth 100 efektivë. Fillimisht kanë qenë 30-40 persona. Dhe më pas duke parë se po vinin njerëz nga Pallati i Sportit, janë kërkuar përforcime.

Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe pasi janë bërë veprimet para hetimore, ka rezultuar se Bardh Spahia, Nikolla Marku dhe Xhevdet Amuli kanë qenë me njerëzit në vendin e ngjarjes. Është parë se Bardh Spahia ka kundërshtuar policinë. Janë marrë filmimet nga media, duke u futur në ambientet e shkollës. Është parë që pasi është hapur kordoni i policisë, i dyshuari Spahia ka qenë aktiv. Policia ka thirrur me zë të lartë, dhe i ndaluari nuk ka dëgjuar thirrjen e policisë për të ndaluar. Për këtë është proceduar.

Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë për të 5 ndaluarit pas tensioneve në KZAZ nr. 3 në këtë qytet, ku u dogj edhe një shkollë, e cila ishte kthyer në KZAZ. Gjykata la në burg punonjësit e bashkisë Alfred Nikolli dhe Gentian Bytyçi. Detyrim paraqitjeje për Orlando Thepin, e arrest shtëpie për Adi Garucin dhe Aleks Ndojin.