“Ditët e Agimit” u shënuan edhe në Gjenevë

0
1164

Në këtë jubile, krahas heroit Agim Ramadani janë përkujtuar edhe të njëqindetrembëdhjetë dëshmorët e tjerë të Betejës së Koshares

Arif Ejupi, 14 Maj 2017

Shoqata Atdhetare “Zhegra” në Gjenevë, ka organizuar përvjetorin e18-të të rënies së bashkëfshatarit të saj dhe heroit të kombit, Agim Ramadani.

Në këtë jubile me rëndësi të veçantë historike janë përkujtuar edhe të njëqindetrembëdhjetë dëshmorët e tjerë të Betejës së Koshares, të cilët me heroizmin e tyre ndaj forcave serbe bënë që kjo betejë të kujtohet si një nga ngjarjet më të lavdishme të UÇK-së. Intonimi i himnit kombëtar dhe një minutë heshtje në nderim të të gjithë të rënëve për lirinë e trojeve tona shënoi edhe fillimin kësaj akademie solemne.
Pastaj pjesëmarrësit e shumtë të tubuar në “Salle Communale des Libellulles” të komunës Vernier të kantonit të Gjenevës, me përmbajtjen e programit i ka njoftuar Afërdita Veseli Krasniqi, moderatore e këtij manifestimi.

Organizatorët e këtij jubileu si rëndomë prioritet u kanë dhënë mysafirëve të ftuar të këtij manifestimi qofshin ata përshkrues të ndodhive nga Beteja e Koshares apo pjesëmarrës të programit artistik, shkruan albinfo.ch nga vendi ku u mbajt manifestimi . Një vështrim mbi jetën dhe veprën e Agim Ramadanit përgatitur nga shkrimtari dhe publicisti Sabit Rrustemi e ka lexuar Agim Sherifi, kryetar i Shoqatës Atdhetare “Zhegra” me seli në Gjenevë të Zvicrës.

Kurse rrëfime deri më tani të panjohura nga kjo Epopeja e Koshares shpalosi Musa Gjakova bashkëpunëtor i ngushtë i Agim Ramadanit dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në shembjen e kufirit shqiptaro-shqiptar. Ai tha se të flasësh për Agim Ramadanin, poet, piktor dhe udhëheqës i dalluar ushtarak është detyrë me mjaft përgjegjësi e njëkohësisht edhe nderim i veçantë.

Nën komandën e Agim Ramadanit- Katanës dhe të oficerëve të tjerë të karrierës këta trima shpartalluan ushtrinë serbe të armatosur deri në dhëmbë e shumëfishë me të madhe në numër e të përforcuar madje edhe me mercenar rusë. Andaj këta burra të guximshëm me në krye Agimin që sollën lindjen e agimeve të bardha meritojnë nderimin dhe respektin, ngase Kosharen e dikurshme të prangave dhe mureve me gjemba e kthyen në urë kalimi që shpie në pjesën tjetër të Atdheut tonë, të prerë në dysh padrejtësisht njëqind vjet më parë.

Ai, gjatë fjalës së tij tha se kujtimet e ngjarjeve me pamje tmerri dhe gjaku çdoherë trazon ndjenjat e njeriut normal, dhe si të tilla janë të padëshiruara dhe me ankth të përhershëm. Të gjithë e dinë që shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë si dhe ata të Kosovës Lindore, duke ditur pasojat shkatërruese të luftës gjithmonë kanë preferuar zgjidhje me mjete paqësore.

Mirëpo Serbia asnjëherë nuk ka provuar dialogun dhe marrëveshjet. Në vend të tyre ndaj shqiptarëve ndër shekuj ka ushtruar dhunë dhe terror me të vetmin qëllim mbajtjen e tyre nën tutelën e Beogradit. Kjo gjendje e padurueshme imponoi edhe luftën e hapur dhe frontale.

Miqtë tanë ndërkombëtarë duke vërejtur shfrenimin e regjimit të Millosheviqit, dhe duke vlerësuar si të drejtë luftën tonë na dhanë përkrahjen e nevojshme, me çfarë aspiratat e popullit të Kosovës u bënë realitet më 17 shkurt 2008, kur Kosova edhe zyrtarisht shpalli mëvetësinë e saj dhe shkëputjen definitive nga Serbia. Më pas pasuan edhe njohjet ndërkombëtare nga vende të ndryshme të botës.

Z. Musa Gjakova i plagosur në Betejën e Koshares më 11prill 1999 mendon se me kontribut të pazëvendësueshëm në këtë ngjarje madhore janë dhe të njëqindetrembëdhjetë të rënët e tjerë të kësaj beteje, shkruan albinfo.ch. Ata, të prirë nga Agim Ramadani dhe eprorët e tjerë u dhanë leksione gjeneralëve dhe ushtarëve serbë, të cilët veten e pandehnin si të pathyeshëm.

Gjakova diskutimin e tij e mbylli duke thënë se Agim Ramadani, Sali Çeku, e shumë të tjerë të edukuar që në djep me frymën e atdhedashurisë pa kurrfarë ngurrimi lanë lukset e vendeve të Perëndimit dhe rrokën armët në mbrojtje të Atdheut. Andaj ata me gjakun e tyre të derdhur shënuan edhe pavdekësinë.

Në këtë akademi përkujtimore të pranishëm ishin edhe Feriz Tërshnjeva, Arben Limani, Zidi Rrahmani dhe vëllezërit Jusuf e Qazim Jasiqi, bashkëluftëtarë të Agim Ramadanit dhe të njëqindetrembëdhjetë martirëve të tjerë të rënë në Betejën e Koshares.

Tubimin e ka përshëndetur edhe z. Ramadan Avdiu, konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës, në Gjenevë.
Ai, pa bërë përjashtime vlerësoi lart gjakun e derdhur të të gjithë pjesëtarëve të UÇK-së, duke thënë se pa sakrificën e tyre Pavarësia e Kosovës, do të ishte vetëm utopi.

Pjesa artistike e këtij manifestimi është begatuar me këngë e valle të trevave tona të interpretuara për mrekulli nga Ansamblet “Vatra” e Cyrihut “Ilirët” e Lozanës dhe “Rapsodët e Gjenevës”, raporton albinfo.ch. Po ashtu programit i kanë dhënë fizionominë e duhur me këngët e tyre të kënduara në duet edhe bashkëshortët Shpejtim e Afërditë Krasniqi.

Preshevari Arian Agushi i njohur ndryshe edhe si Gold-AG me këngët me tematikë atdhetare ka ngritur të gjithë në këmbë.

Në fund të manifestimit, në emër të familjes Ramadani organizatorët dhe të gjithë të pranishmit i ka përshëndetur zonja Shukrije Ramadani, bashkëshorte e heroit Agim Ramadani. Ajo ka bërë thirrje për shtim kujdesi në zhvillimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës.

Duke thënë se vetëm kështu kryejmë amanetin e Agimit dhe të martirëve të tjerë të rënë ndër breza në mbrojtje të Kosovës.

Edhe sot u pa qartë që shoqata atdhetare “Zhegra” nga Gjeneva me organizime të mira dhe të çdovjetshme të përvjetorëve të Agim Ramadanit dhe heronjve të tjerë të rënë për lirinë dhe mëvetësinë e trojeve tona plotësisht po e arsyeton ekzistimin e saj.

Ajo mbi një dekadë po luan rolin e një institucioni mbrojtës të gjuhës, historisë, dhe të kulturës sonë kombëtare.