Dita 3 – PËRSHËNDETJA DHE MIKPRITJA

0
596
Foto nëntëditëshi 3

Nëntëditëshi i Krishtlindjes

DITA 3º Nga errësira në dritë

L. Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt!
A. Amen!

L. Zoti që vjen për t’i bërë vizitë popullit të tij në paqe, qoftë me të gjithë ju!
A. Dhe me shpirtin tënd!

L. Vëllezër e motra! Në këto ditë, Shpëtimtari troket në derën e të gjithë shpirtrave, herë në mënyrë të dukshme, herë në mënyrë të fshehur. Në Lindjen e parë në histori të tijtë nuk e kanë pranuar. Krishti, i shtyrë nga dashuria e Tij e pakufi, kthehet përsëri edhe sot për të trokitur, dhe na pyet nëse kemi vend për Të.

KËNGA E PROFECIVE
Ref. Ejani ta adhurojmë Krishtin Shpëtimtar!

Ngrihu, Bija e Sionit,
gëzo me zë të madh,
bija e Jeruzalemit!
Shpejt do të vijë Zoti yt
dhe do të lindë një dritë e pafund,
dhe malet do të rrjedhin ëmbëlsirë
sepse tek ne do të vijë profeti i madh,
dhe ai do ta ripërtërijë Jeruzalemin. Ref.

Shpejt do të vijë Hyji mes njerëzve të vet:
një burrë i shtëpisë së Davidit do të ulet mbi fronin e tij.
Ju do ta shihni e zemrat tuaja
do të shpërthejnë me hare. Ref.

Shpejt do të vijë Hyji Zot,
mburoja jonë, shenjti i Izraelit,
dhe kurora e mbretërisë do të jetë mbi kokën e tij.
E do ta shtrijë zotërimin e tij nga një det në detin tjetër
e nga lumi i madh deri në kufijtë më të largët të tokës. Ref.

Do të zbresë Hyji Zot,
si vesë në bashkë
në ditët e tij do të triumfojë drejtësia
me paqe të pafund.
Dhe do të vrapojnë që ta adhurojnë të gjithë mbretërit e tokës,
të gjithë popujt do t’i shërbejnë vetëm atij. Ref.

Prej teje, o Betlehem, qytet i të lartit Hyj,
prej teje do të dalë për Izraelin Sunduesi.
Ai buron prej Hyjit të amshuar
dhe do të shfaqet i lavdishëm në mesin e tokës.
Ardhja e tij
do të inaugurojë përgjithmonë mes nesh paqen. Ref.

NDEZJA E DRITËZAVE
Ndizet e treta prej nëntë dritëzave për të treguar “vigjilencën në pritje” (Mt. 25, 1˗12); ndërkaq këndohet:

1. Ndizet një dritë për njeriun këtu,
shpejt do të vijë mes nesh Jezusi.
Rrini zgjuar, dhëndri nuk do të vonojë,
nëse jeni gati, derën do t’ju hapë.
Ref. Me gëzim këndoni: lavdi Zotit tonë!
Shëlbuesi ynë do të lindë!

LEXIMI I PARË
Lexim prej Librit të Izaisë profet 9, 1˗2.5˗6

Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët, që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi për ta drita. Ti e shtove gëzimin, e madhërove harenë; ata gëzohen në praninë tënde si njerëzit që i gëzohen korrjes, si gëzohen kur ndajnë prenë. Sepse na lindi një foshnjë, fituam një djalë. Në krahun e tij u vu shenja e mbretërisë. Për emër do të quhet: Këshilltar i mrekullueshëm, Hyj i fortë, Atë i amshueshëm, Princ i Paqes. E madhe do të jetë mbretëria e tij dhe paqja s’do të ketë mbarim mbi fronin e Davidit e mbi mbretërinë e tij, që ai do ta forcojë e do ta bëjë të fuqishme në të drejtë e në drejtësi. Që tani e për amshim do ta bëjë këtë dashuria e madhe e Zotit të Ushtrive.
Fjala e Zotit

Këngë meditimi (Jezus Ti je dritë!)

LEXIMI II
Lexim prej Letrës së shën palit Apostull drejtuar Romakëve 13, 11˗14

Aq më tepër pasi e dini kohën në të cilën jetojmë: tashmë është koha të zgjoheni nga gjumi, sepse tani shpëtimin e kemi më afër se kur besuam. Nata ka shkuar në të sosur e dita është afruar. Prandaj, t’i flakim larg veprat e errësirës e të ngjeshemi me armët e dritës. Të ecim me nder, porsi ditën, jo në gosti e zdërhallje, jo në fëlligështi e në shfreni, jo në grindje e në smirë. Por, vishuni me Jezu Krishtin Zot e në kujdes për trupin, mos i kënaqni prirjet e ulta.
Fjala e Zotit

PËRGATITJA
Sillet tek shpella e Betlehemit një jastëk i vogël për Jezusin Fëmijë, ndërsa këndohet:
Ti ulesh prej Parrizit,
o Zot e Mbret lumnie,
e n’ tokë vjen me u bâ nieri
vetëm prej dashtënie:
Aq i dashtun je për né
sa n’ një shpellë ti vjen me lé!
O Zot i lum,
unë s’e kam dijtë se ti ne
t’ shkretët na don kaq shumë.

A. O e Papërlyera Virgjëra Mari, o i Nderueshëm Shën Jozef ! Ne ju përgjërohemi që të na ndihmoni të përgatisim gjithçka që nevojitet për Lindjen e afërt të Fjalës së mishëruar në shpellën e Betlehemit!
Ai do të dëshirojë të gjejë disa zemra që e presin, që e mbulojnë, që e ngrohin, që e ngushëllojnë.
Ne mendojmë të përgatisim në shpellën e Betlehemit një jastëk të vogël, me lesh tejet të butë prej qengjash të panjollë.

Lexuesi: Jastëku i vogël përgatitet kështu: nderim dhe shugurim ndaj Zemrës së Jezusit.

SHENJTI MBROJTËS
Shën Simeoni

SHIGJETORJA
O Jezus, dashuria ime! Eja shpejt dhe merre zemrën time!

Predikim i kremtuesit nëse është e mundur

ANTIFONA E MAGNIFICAT
O Zot, udhëheqës i shtëpisë së Izraelit, që i je shfaqur Moisiut në zjarrin e kaçubës së ndezur dhe mbi Malin Sinai i ke dhënë Ligjin! Eja e na liro me krah të fuqishëm!

LUTJET E BESIMTARËVE
Zoti, në pritje të Lindjes së Tij, na thërret të rizgjohemi nga gjumi, të kthehemi tek Ai me gjithë zemër. Duke pranuar këtë ftesë, ta kërkojmë ndihmën e Tij, gjersa të mund të jemi, si Ai dhe me Të, dritë e botës:
˗ Eja, o Zot Jezus!
Për bashkësinë tonë të krishterë: që të dijë të jetë dritë, shfaqje dhe dëshmi e Jezusit Shpëtimtar, të lutemi:
˗ Eja, o Zot Jezus!
Për të gjithë njerëzit: që të mos mbizotërojnë në ta errësirat e egoizmit, të frikës dhe të mosbesimit të ndërsjellë, por të shkëlqejnë guximi, vetëmohimi, besimi i plotë dhe ndershmëria e jetës, të lutemi:
˗ Eja, o Zot Jezus!
Për ne këtu të pranishëm: që të dimë të pranojmë fytyrën e shndritshme të Zotit që vjen në fytyrën e çdo vëllai, kryesisht në më të dobëtit dhe në më të varfërit, të lutemi:
˗ Eja, o Zot Jezus!
Ati ynë…!

TË LUTEMI
O Hyj, Atë mirësie dhe mëshire! Në Birin Tënd Jezusin, na ke thirrur nga errësira në dritë: bëj që ne, bijtë e Tu, të rizgjohemi nga gjumi i egoizmit dhe i mëkatit që të shkojmë për të takuar Krishtin, Birin tënd dhe Zotin tonë! Amen!

Na bekoftë Hyji i Gjithëpushtetshëm, na ruajtë prej çdo të keqeje e na përcjelltë në jetën e pasosur! Amen!

Nikolin Sh. Lëmezhi