Dëshira Subashi: Reforma në drejtësi do të sjellë shkundje të gjyqësorit

0
1234

Marrë nga Gazeta “KOHA JONE”, Dërgoi për publikim, GJIN MUSA, GAZETAR.

Flet juristja e njohur, ish-nënkryetarja e KQZ-së dhe ish-gjyqtarja, Dëshira Subashi

Nga Zenepe Luka/Një bashkëbisedim me Dëshira Subashin, nxjerr në pah, juristen ekselente, e njohur si gjyqtare e rreptë, ish-nënkryetare e Komisionit të Zgjedhjeve për dy mandate, që, nuk falte edhe spektrin politik që përfaqësonte kur ishte fjala për shkeljen e ligjit. Subashi është ndër të paktat gra të “hekurta”, që nuk ka bërë dhe bën kompromis me shkelësit e ligjit. Është ky një shkak madhor, që e ka lënë atë të papunë, ndërkohë që, Kushtetuta ka të shkruar se, pas mbarimit të mandatit, ajo duhej të kthehej në vendin e mëparshëm, pra në Gjykatën e Apelit. Ajo endet gjyqeve sot, për të kërkuar të drejtën, që shprehet se, për ‘të është betejë e humbur, sa kohë kemi këtë sistem gjyqësor. Ajo flet rrallë në media, por pranoi të japë këtë intervistë ekskluzive për “Koha Jonë”, e mbushur me shpresë, se pas miratimit të Vetingut, në Shqipëri do të funksionojë shteti ligjor.

Si një nga gratë ekselente në fushën e drejtësisë, do të dëshironim të informonim lexuesin e gazetës “Koha Jonë” se çfarë është në vetvete Vetingu, cili është mendimi Juaj, për kolegët, që do t’i nënshtrohen këtij ligji?
Në ditët e fundit të vitit që lamë pas, ligji për të cilin më pyesni, mori fuqi të plotë edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ligji me nr.84/2016 datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ose sikurse është dëgjuar të thuhet ligji i Vetingut është një nga ligjet e reformës në drejtësi që ka për qëllim të bëjë “radiografinë” e funksionarëve në sistemin e drejtësisë, që janë në detyrë. Ligji përmban dispozita të detyrueshme, për t’u zbatuar nga funksionarët e drejtësisë, dispozita që kanë për qëllim, të rivlerësojnë figurën morale dhe profesionale të funksionarëve të drejtësisë. Ligji në detaje ka përcaktuar hapat, që institucionet e ngritura për këtë qëllim, do të duhet t’i ndjekin.

Në dy drejtime do të jetë rivlerësimi i figurës morale dhe profesionale të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, që ashtu sikurse emërtohet në ligj është rivlerësim kalimtar. Ligji kërkon: vetëdeklarim të pasurive që disponojnë funksionarët vetë dhe familjarët e tyre, duke treguar ata vetë burimin e fitimit të pasurive. Kontrollin e aftësive profesionale, kontroll, që do të kalojë nga Shkolla e Magjistraturës.

Cili është opinioni juaj personal për këtë ligj. Do të jetë i suksesshëm?
Gjykoj pa mëdyshje, se ky ligj është shumë i domosdoshëm, pse jo edhe i vonuar në kohë. Drejtësia është një nga shtyllat e një shteti, i dobësuar së tepërmi, veçanërisht vitet e fundit; me një besim të humbur tek publiku, por edhe tek vetë shteti. Katandisur në këtë gjendje nga mungesa e pavarësisë, që kanë gjykatësit e prokurorët në përmbushjen e detyrës së tyre, situatë e krijuar thjeshtë dhe vetëm nga interesa politike korruptive. Kuptohet, që këto mendime që shpreh kërkojnë një shtjellim të hollësishëm por në një intervistë kjo është e pamundur. Mendoj dhe besoj personalisht, që gjykimi im gjen kuptim tek lexuesi, sepse janë fakte të gjithëpranuara të publikuara në periudhën e ligjbërjes së reformës në drejtësi. Pavarësia e drejtësisë, është tipari dallues në një drejtësi të vërtetë. Fatkeqësisht, drejtësisë në Shqipëri i mungon pavarësia, për shumë arsye ndaj edhe ka vuajtur humbjen e besimit tek publiku. Besoj, se ligji “Për vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” , do të bëjë të mundur largimin nga sistemi i drejtësisë funksionarët, që nuk e kanë merituar të jenë tillë të drejtësisë dhe shpresojmë , në vendin tonë, do t’i kthehet drejtësisë dinjiteti i munguar.

Zonja Subashi, Ju besoni, se do të pastrohet sistemi i drejtësisë nga korrupsioni, që Ju e njihni mirë, sepse keni qenë në postet më të rëndësishmet të institucioneve të shtetit dhe pjesë e drejtësisë?
Kam arsye të besoj, se pas një analize të pranuar gjerësisht nga të gjitha institucionet e shtetit, përfshi këtu edhe vetë gjyqësorin, ndonëse jo me zë të fortë, përfshi edhe ligjin për vetingun, pa mëdyshje reforma që është miratuar, do të sjellë një shkundje tërësore të sistemit të drejtësisë. Pra, kemi arsye të besojmë, se, ndryshimi te drejtësia duhet të ndodhë. Unë, besoj, që strukturat e reja të krijuara për këtë qëllim me përfshirjen e monitorimit ndërkombëtar në to, do të mund të evidentojnë të paaftit, të korruptuarit dhe t’i largojnë ato nga sistemi i drejtësisë. Ky do të jetë shërimi i “sëmundjes”, për drejtësinë, që çdo kush do ta dëshironte atë të shëndoshë e të pastër, që më në fund, Shqipëria, të ketë një drejtësi të vërtetë pa dallime e favore, qofshin ata të pasur apo të varfër, qofshin në detyra zyrtare të larta, të ulëta apo të papunë. Në gjykimin tim, e gjithë reforma është një paketë rregullash që duhet të funksionojë njëkohësisht. Organizimi tërësor në drejtësi kudo janë bërë ndërhyrje do të duhet të funksionojë paralelisht me ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Kjo reformë mendoj se, merr një vlerë në se implementimi i saj është i plotë edhe i njëkohshëm.

Ju besoni, se emërimet e reja, do të jenë “të pastra”, se politika nuk do të “fusë hundët” në këtë proces?
Që të kuptohem me lexuesin, po shpjegoj se nëse do të nevojiten emërime të reja në gjyqësor, këtë funksion nuk mund ta bëjë më Këshilli i Lartë i Drejtësisë, që është përgjegjës, pse jo edhe më shumë se një përgjegjës administrativ, drejtpërsëdrejti për gjendjen e krijuar në gjykata. Është ngritur një strukturë e re sipas kësaj reforme, që pritet të marre fuqi ligjore me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ngritja e kësaj strukture është e një rëndësie parësore, sepse aty fillon dhe mbaron përgjegjësia e ndërtimit, e kontrollit të gjykatave të nivelit të parë dhe të dytë që përbëjnë drejtësinë në vend. Besoj dhe uroj, që kjo strukturë të jetë e pavarur në funksionin e saj, në bindjen e saj dhe të ketë funksionar, që njohin ligjin në detyrat e tyre. Ka qenë kjo strukturë, që me ndikime gjithfarësh me përfitime kundrejt shërbimit, të sjellin drejtësinë në situatën që ndodhet, duke shkelur hapur dhe drejtpërsëdrejti të drejtat dhe liritë kushtetuese të individit. E pabesueshme, e papranueshme që struktura të tilla të drejtësisë të shkelin hapur ligjet dhe të promovohen në karrierën e tyre. Kjo është e vërteta e hidhur, kjo ka ndodhur.

Reforma në drejtësi e lakuar vite më parë, që çoi edhe në krijimin e gjykatave administrative, mendoni se ia arriti qëllimit. Është kjo një provë, për të besuar se, më në fund do të kemi shtetin ligjor në vendin tonë?
Organizimi i gjykatave është një element me shumë vlerë domosdoshmëri, për të pasur drejtësi. Po, është e vërtetë dhe unë sjell në vëmendje të lexuesit, që në vitin 2012 ishte një debat i fortë politik në vend, për të ashtuquajturën reformë në drejtësi. U krijuan gjykatat administrative me qëllimin e vetëm, që të gjykonin shpejt dhe të përfundonte një gjykim me vendim të formës së prerë në dy a tre muaj, madje, duke thjeshtëzuar edhe procedura gjykimi në dhënien e vendimit. Organizimi dhe koha provuan, që këto gjykata ishin të dështuara dhe nuk iu arrit qëllimit që synonte ligji për krijimin e tyre. Ndër shkaqet që çuan në këtë dështim ishin se u emëruan disa gjyqtarë të zgjedhur që nuk i përgjigjej ngarkesës së tyre, u krijuan struktura të fryra me kosto në Buxhetin e Shtetit dhe këto gjykata, sot pas afro katër vite pune, janë tërësisht me procese të parregullta ligjore, sepse kanë dhënë dhe japin vendime jashtë afateve të përcaktuara në ligj. Për këtë cilësim ekziston edhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese, që u jep të drejtën të dëmtuarve për dëmshpërblim. Do të mjaftonte ky vendim, për të shkundur vendit në zgjidhjen e kësaj situate nga strukturat kompetente. Në të vërtetë, askush nuk ka reaguar. Ky është një alarm. Ajo që të frikëson që shteti nuk vlerëson gjykatën më të lartë në vend, që shteti shpërfill të zbatojë vendimet e gjykatave. Kjo sjellje tregon arbitraritet të institucioneve ndaj të drejtave të njeriut, që për fat të keq, në Shqipëri po flitet gjithnjë e më pak.

Është normale ndëshkimi me një dorëheqje i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, sipas Jush, apo duhet të përgjigjen para ligjit?
Dorëheqja nuk është ndëshkim. Jo në çdo rast dorëheqja do të duhet kuptuar dhe barazuar me termin korrupsion. Pa asnjë dyshim, që korrupsioni duhet të ndëshkohet. Dorëheqja, nuk pengon organe të tjera të shtetit, për të vënë para përgjegjësisë ligjore të korruptuarit, qofshin këto edhe të drejtësisë.

Besoni që do të vihen para përgjegjësisë ligjore edhe politikanët që akuzohen për korrupsion?
Një drejtësi e vërtetë sigurisht, që vë para përgjegjësisë ligjore çdo zyrtar, përfshi këtu edhe politikanë apo zyrtarë të tjerë të lartë. Ta shpresojmë që edhe Shqipëria do të ketë një ditë drejtësi, si në çdo shtet tjetër demokratik.

Bindeni se organet vendimmarrëse dhe ato ekzekutive do të kenë më në fund njerëzit e ditur, të pastër, se nuk do të jetë parësore partia, por meritokracia?
Kjo është një pyetje më e gjerë se drejtësia. Pyetjen tuaj unë e kuptoj, nëse do të jenë pushtetet e tjera si drejtësia e kuruar? Të fillojë drejtësia, sepse besoj, se do të ketë ndikim në përmirësimin e shtetbërjes. Do të kemi vendimmarrës a zyrtarë të ekzekutivit të pastër dhe të zgjedhur me meritokraci, i duhet lënë kohës për ta vlerësuar. Kam bindjen nga eksperiencat personale, se politika e sotme të thotë pikërisht se je me një figurë pastër, je i/e aftë profesionalisht, deri më sot ke punuar mirë, por “nuk je i/e pëlqyer”. Ky mendim, që jap për lexuesin, më bën që vetëm të uroj, që të bëhet meritokracia gjithkund.

Mendoni zonja Subashi, se është e udhës që të jetë grua Avokate e Popullit?
I njoh mirë detyrat që kryen Avokati i Popullit. Një grua jo vetëm mund të ishte në këtë detyrë, por besoj se do të kishte të gjithë mundësitë, për të qenë e duhura, se do të ishte vërtetë një avokate në mbrojtje të të drejtave të njeriut, kryesisht nga veprimet e paligjshmëritë e pushtetit. Ndjeshmëria e një gruaje është kurdoherë më e zhvilluar. Koha ka treguar se gruaja, është më e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme për të kryer detyrën që i ngarkohet.

A i duhet Shqipërisë një Presidente grua. Që nga shpallja e pavarësisë, nuk është bërë e mundur, ndërkohë që, Kosova vetëm me 6 vjet shtet vendosi një grua kryetare shteti?
Pse jo. Shqipëria ka gra me kapacitete të spikatura. Gruaja përbën gjysmën e popullsisë. Pse jo. Do ta dëshiroja.

Si e gjejnë mbështetjen gratë, që janë të denja për të bërë karrierë, nga gratë e zgjedhura në organet vendimmarrëse dhe në qeveri?
Është keqardhje të deklarohesh, që gratë në karrierë politike apo në karriera ekzekutive nuk japin mbështetje për gra të tjera të denja për karrierë. Mungesa e mbështetjes gati është kthyer në zakon negativ. Duket se luajnë rol edhe ndikimet partiake. Ky është realiteti në Shqipëri, pavarësisht se gratë në politikë, publikisht trumbetojnë mbështetjen e grave të karrierës.