DEGJENERIMI I LDK-së

0
830
Shefqet Dibrani

Analizë:

1. Arben Gashi, 08.06.2017, në “Debat D-Plus – TV Dukagjini”, përballë Ermal Pandurit, bashkë me Ilir Deda, nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa. Penalist: Imer Mushkolaj, analist dhe gazetarët Berat Buzhala, (http://telegrafi.com/debat-d-plus-ne-rtv-dukagjini-koalicioni-ldk-akr-alternativa-video/).
2. Arben Gashi, 13.07.2017, në “Info Magazinë – Klan Kosova”, përballë Kushtrim Sadikut, (https://www.youtube.com/watch?v=eiJ27__Xlr8).
3. Naser Rugova, 17.07.2017, në “Info Magazinë – Klan Kosova”, përballë Kushtrim Sadikut, bashkë me Milaim Zekën, (https://www.youtube.com/watch?v=MWLPXiMuoIk&app=desktop).
4. Naser Rugova, 25.07.2017, në “Debat D-Plus – TV Dukagjini”, përballë Ermal Pandurit, penalist: Imer Mushkolaj, analist dhe Agron Halitaj, gazetar, (https://www.facebook.com/rujuu.ruju.3?fref=ts).
5. Naser Rugova, 27.07.2017, në “Fakt Plus”, në Tribuna Channel, përballë Lirik Sylmetajt, (https://www.facebook.com/rujuu.ruju.3?fref=ts).
6. Naser Rugova, 24.07.2017, intervistë për gazetën elektronike “Kosova Graf”.
7. Driton Selmanaj, 27.07.2017, në “KOMITETI”, përballë komitetliut Berat Buzhalla, (https://www.youtube.com/watch?v=cwPYLGAmg7U).
8. Vjosa Osmani, 27.07.2017, në “Info Box-RTV Dukagjini”, përballë Fidan Ramës, (https://www.facebook.com/infoboxrtvdukagjini/?hc_ref=ARQnoCh3Cp6oIwh_JmjoK7PBVpew_Tjo7hyiNQAk7T0iMNZtMP99Y2uwGwk0fu48tGY).
9. Haxhi Avdyli, 28.07.2017, në “RROKUM TV”, përballë Fidan Jupollit, (http://www.rrokum.tv/lajme/avdyli-e-vleresojme-gadishmenine-e-driton-selmanajt-por-dega-e-ldks-e-ka-kandidatin-e-vete-hatim-baxhakun-video/).

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Zgjedhjet e 11 qershorit 2017, LDK-në e plandosi në pozitën më të ulët prej se është themeluar. Por për fat të keq askush nuk mori përgjegjësi për këtë humbje, as Isa Mustafa, as Kryesia Qendrore e LDK-së, as Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së dhe as ndonjëri nga kryetarët e Degëve, aty ku LDK-ja shënoi humbje të madhe. Për fat të keq është instaluar një retorikë demagogjike për të vazhduar avazin e shkatërrimit të mëtutjeshëm të LDK-së. Edhe pse elektorati u përpoq të bënte një seleksionim pozitiv duke i koncentruar votat e tyre kryesisht në tre – katër kandidat, që u manifestua si një lloj revolte kundër Isa Mustafës, në deklaratat e tyre të mëvonshme shihet se këta e kanë tradhtuar idealin e votuesve të cilët presin reforma rrënjësore brenda LDK-së.

Lista përbëhej me struktura të besueshme të LDK-së, edhe pse aty këtu dukej se ishte krijuar një lloj opozite brenda LDK-së, se gjërat do të lëvizin, intervistat në fjalë do ta zhgënjejnë secilin votues, të cilët edhe pse e dinin se këta kandidat as nuk u konsoliduan dhe as nuk u identifikuan si prijëse të proceseve, pasi as më herët, por as tashti nuk u treguan të denjë për t’i kundërshtues dhe emërtuar shkaktarin e degradimeve në LDK-në, gjë që na jep indikacione shpresat e lidhura në këta deputet janë mashtruese dhe me pasoja fatale për LDK-në.

Pa dyshim këto zgjedhje kanë qitur në pah një degjenerim të LDK-së, i cili asgjë nuk ka të përbashkët me traditën e kësaj partie e aq më pak me rugovizmin, si nocion dhe filozofi për të cilën kapën të gjithë. Natyrisht nga Kuvend i VIII-të i cili është kritikuar shumë për lëndimin e demokracisë së brendshme, është dashur të mos pushojë përpjekjet për ta ndryshuar LDK-në. Edhe pse kanë qenë disa përpjekje për të organizuar një grup që do të kundërshtonte shkatërrimin dhe degjenerimin e partisë, përsëri filozofia “ngreh e mos shkëput” dhe interesat e tyre personale, e frenuan qëllimin e mirë për të cilin krekoseshin.

Me kalimin e kohës u pa se përpjekjet kanë qen mashtruese, e për fat të keq qenkan tallur sikur të ishin parapoltika e Isa Mustafës, duke luajtur standarde të dyfishta, në të cilët i kemi varur se do t’u prijnë reformave, por asnjëherë nuk kemi besuar se paska qen “konflikt aksidental”, duke ua kthyer shpinën me dhjetëra aktivistëve të cilët tashmë janë gozhduar nga paramilitarët e Isa Mustafës. Në politikë nuk shkohet me shprehje hipotetike, me aludime dhe metafora të cilat mund të interpretohen pastaj në forma të ndryshme, e këta deputet në intervistat televizive kanë bërë demagogji mashtruese, por nuk janë të denjë për t’iu prirë reformave.

Edhe pse në shtatorin e vitit 2015, janë manifestuar disa përpjekje, të cilat përfunduan në nivelin e deklaratave sporadike, që nuk kanë qenë të mjaftuara. Edhe fotografimet më shumë bëheshin vetëm sa për konsum mediatik, ndërsa pritja e përcjellja dhe takimet me Isa Mustafës dita ditës shtoheshin dhe qëndrimi i tyre përafrohej. Se kanë qenë afër shefit të tyre Isa Mustafa na e shpjegon epilogu antidemokratik në Degën e LDK-së në Zvicër, i cili ia hoqi plafin kësaj demagogjie, për t’i parë më mirë edhe qëndrimet joparimore të kësaj kategorie në raport me diasporën. Tash shtrohet pyetja a mund të reformohet LDK-ja pa diasporën dhe cili ishte reagimi i tyre, para fushatës, gjatë fushatës dhe pas fushatës zgjedhore.

Po këta kandidat, madje me pretendime për Kryetar të LDK-së, nuk kanë bërë ndonjë solidarizim, kur u tradhtua kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër, për t’ia dorëzuar kompetencat njeriut të Isa Mustafës. Madje as në rrugë private nuk kanë shprehur keqardhje, andaj ky qëndrim qet në pah për degjenerimin moral në të cilin është zhytur lidershipi i LDK-së. Por tejet e dhembshme ka qenë shkëputja e lidhjeve, e kontakteve, e përjashtimit nga miqësia në rrjetet sociale dhe kthimi kaq kollaj i shpinës. Shqetësimi tjetër është niveli intelektual dhe vazhdimi i avazit të Isa Mustafës, për të injoruar edhe ata që mund t’i trajtojnë këto fenomene dhe devijime gjerësisht në trilogjinë voluminoze “MANDATI I KONTESTUAR”.

Natyrisht këto fenomene janë shqetësuese kur sheh se si humbësit po vazhdojnë avazin e demagogjisë, kurse zgjedhjet lokale janë në prag të derës. Kësaj radhe nuk po merrem me emra të përveçëm. Por po përpiqem për ta ngushëlluar veten se ndoshta çdo gjë ishte dhe është një rastësi, megjithatë intervistat e theksuara janë zhgënjyese, pasi shihet se deputetët e cituar, në tri çështje kanë përputhshmëri dhe qëndrime të njëjta:

1. Asnjëri nuk tha se Isa Mustafa është përgjegjësi kryesor dhe shkatërruesi i LDK-së, njeriu që i bartë përgjegjësitë për këtë humbje të radhës. Përpjekja për ta justifikuar atë ishte evidente, por nuk u tregua guxim që të kërkohet largimi i tij nga LDK-ja.

2. Në të gjitha këto intervista, asnjëri kandidat nuk e përmendi sa i kushtoi LDK-së përjashtimi nga partia i atyre që e themeluan LDK-në. Nuk e thanë asnjë fjalë pse Isa Mustafa i ka përjashtuar veteranet dhe themeluesit e LDK-së, me të cilët janë të lidhura të gjitha idealet për shpëtimin e kombit dhe për pavarësinë e Kosovës. Për fat të keq në këto intervista nuk pat guxim të kërkohej përgjegjësi nga Isa Mustafa, dhe ta kërkohet dorëheqja e tij edhe për këtë çështje.

3. Diaspora askund nuk është zënë në gojë, askush nuk e theksoi konfliktin e Isa Mustafës me Degët e LDK-së në Diasporë. As më herët dhe as tashti. Askush nuk shqetësohet se ndikimi i diasporës tek familjaret dhe refuzimi i tyre ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar. Me një fjalë, asnjërit nga këta deputet, nuk i hëngër palla për Diasporën, pasi në mendjet e tyre si duket ka dozë të theksuar përbuzjeje e cila edhe tek këta deputet paska hyrë ai sindromi i frikës, që e ka kundër diasporës shefi i tyre Isa Mustafa.

Për fat të keq na ra të dëgjojmë se sjellja e Isa Mustafës, paska qen konflikt aksidental, se brenda Grupit deputetëve të LDK-së, ka unitet për ta dëgjuar Isa Mustafën, se atij iu kanë bërë komplimente më të mira të mundshme, sidomos pasi ai ka caktuar vartësin e tij për kandidat për kryeministër, se me shefin paskan raporte korrekte, se qeverisja e tij paska qen ma e mira, e deri te mbrojtja e rënies së qeverisë e kështu me radhë. Veçmas ishte një demagogji publike kur Isa Mustafa bëri një gjest taktik për tu tërhequr nga lista. Kurse këta demagog përsëri dalin publikisht për të përsëritur refrenin e tyre, edhe pse sa ishin në emisione iu thanë se jepni deklarata të pa dinjitetshme dhe nuk jeni serioz.

Të tjerë përsërisnin një retorikë demagogjike se janë institucionalist, se janë të fjalës dhe të besës edhe kur dihet publikisht se sa të pabesë që janë, sa parti e pozita i kanë ndryshuar, e deri te muhalifet se në LDK, nuk cenohet fjala e lirë, se ka dialog të brendshëm, dhe qysh e si marrin vendimet unanime në strukturat partiake, e deri tek kërkesa për ndëshkim dhe përjashtim nga LDK-ja të të gjithë atyre që guxojnë të votojnë ndryshe nga ato që ua ka diktuar shefi, madje duke kërkuar për ndryshimin e statusit për të përjashtuar çdo deputet që mendon ndryshe dhe po i njëjti kandidat, në të njëjtën intervistë pas pak minutash kërkonte nga partia për ta shikuar mundësinë për ta avancuar atë më lartë në struktura drejtuese e kështu me radhë. Ndonëse Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ia garanton deputetit deklarimin e lirë, zyrtarët servil të Isa Mustafës, sikurse shefi i tyre bëjnë shkelje kushtetuese kur kërkojnë ndëshkim dhe përjashtim nga LDK-ja.

Askush nga të intervistuarit nuk merakosej pse LDK-ja po i përjashton themeluesit e LDK-së, për të cilët asnjëri nga këta deputet nuk u merakosej, veçmas po e theksoj në këto intervista që i kam shikuar me kujdes. Asnjëri sish nuk u merakos as për Degët e LDK-së në Diasporë, por mbllaçitnin akuza të stërngarkuara kundër kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, kundër PAN-it, kundër LVV-së, por çuditërisht asnjëri sish nuk bëri ndonjë akuzë të qartë dhe të drejtpërdrejt për shkatërruesin e LDK-së, Isa Mustafa, por flisnin me aludime për njëfarë “lidershipi”?!

Të gjithë intervistuesit e theksuar më lart e kanë zhgënjyer elektoratin e LDK-së, sepse ishin të mendimit se për Zgjedhjet Lokale duhet të kandidojnë kryetaret e degëve dhe kryetarët e komunave, edhe pse në ato komuna kambanat e humbjes tragjike kanë rënë qysh më 11 qershor 2017. Në vend se të kërkohej ndryshim rrënjësor për ta ruajtur gjendjen dhe aty ku ka mundësi të rikthehen LDK-ja, dikush për hilet e veta politike shprehej se duhet kryetaret e komunave të rikandidojnë.

Në procese politike ata që humbin në komunë, nuk duhet të avancohen në hierarki të lartë e as ta mësyjnë kreun e partisë, pasi nuk duhet ta bëjnë gabimin e Isa Mustafës. Edhe ambicia për të kandiduar për kryetar në Prishtinë, kundërmon metodologji të konsumuar nga Isa Mustafa, prandaj në asnjë mënyrë nuk duhet vazhduar udhëheqja e LDK-së, me këshilltaret e dështuar të ish Presidentit, të cilëve aty iu krijua mundësi pa qen kurrë në LDK, të bëhen struktura udhëheqëse, prandaj kjo përvojë LDK-së i kushtoi shumë.

Tashmë ka ardhur koha të kërkohet shkarkimi zyrtar i Isa Mustafës, dhe sidomos këta deputet të kërkojnë, që në ballë të proceseve të vendoset një profesor universitar i cili ka qen themelues i LDK-së, kurse pranë tij do të duhej të rreshtoheshin edhe 3 – 5, veta të asaj gjenerate, dhe të ribëhet lidhja e shëndetshme me Diasporën, sepse vetëm atëherë mund të besojmë se “Brezi i Republikës”, edhe pse jo në mënyrë të rregullt është kapërthurur në struktura udhëheqëse, nuk ka qëllim për ta shkatërruar LDK-në, e jo të dyshohet se janë etapa e tretë që ka me shkatërruar LDK-në.

Ky grup, nëse nuk distancohet nga standardet e dyfishta, është mirë të qartësojë se janë shndërruar në leva të përdorshme të Isa Mustafës, kurse qëllimi i tyre përveç sistemimit dhe rahatimit në strukturat udhëheqëse në LDK, ka për qëllim për ta mbrojtur Isa Mustafën, pa iu hëngër palla pse po shkatërrohet LDK-ja dhe pa u shqetësuar se do t’i humbin edhe zgjedhjet lokale në vjeshtën e sivjetme.
Tashmë elektorati i LDK-së është mjaftë i zhgënjyer, prandaj ky grup i deputetëve duhet t’i merr përgjegjësitë bashkë me kryesinë qendrore për ardhjen e LDK-së deri në këtë derexhe?!

St. Gallen, 30.07.2017