CIKËL POETIK “ZËRI YT, KOSOVË”

0
794
Kosova - pavarësi - flamur

Zymer Mehani

I

Zëri yt, Kosovë
Mbi male ushton
Këngët heroike
Dasmorëve u këndon
Ti, me trimërinë tënde
N’ dritë t’vërtetë ke dalë
Moj Nënëloke, ke dëshirë
Me dëshmorë me u falë
Dje shëmbëlleje
N’mjellmë t’plagosur
Krahë t’përgjakur n’erë
Sot drejt qiellit e ngreh kokën
Shqipe me dy krerë
Ti moj Shqipe e tërbuar
Që n’re fluturon
Ishe me zemër t’ gjakosur
Sot po nusëron…

II

Po të niset dikush
Ty të të vërsulet
Ne, Kosovë për ty
Me zemra do t’i qëllojmë
Si me plumba pushke
Me fjalë do t’i godasim
Më mirë se me çdo plumb
Mu në lule të ballit
Me qepalla do t’i kafshojmë
Më tmerrshëm se gjarpri
Gjithmonë do t’qëndrojmë
Për ty, Kosovë këndojmë

III

Emrin kur ta thërras
Shqipet fluturojnë
Ngjiten në lartësi
Kur ta thërras emrin
Lulëkuqet lulëzojnë
Për mua e për Ty
Kosovë atdheu im-
Flamur kuqezi
Ylber i qiellit tim

IV

Kosovë- Kështjellë qëndrese shekullore
Kosovë- Tempull bese stërgjyshore
Kosovë- Prehër i rrahur nga rrufeja
Kosovë- Këngë e kënduar në suksese t’ reja

V

Lulëkuqe je prore
Plisbardhë n’histori
N’ qiellin tënd të kthjellët-
Flamur Kuqezi
-Asnjë bukuri
S’shëmbëllen me Ty…
Bijtë tu kështu thanë
Që për Ty u vranë

VI

Kosovë, nëna ime
N ‘ zemër m’ mbete peng
Sikur n’ tela t’çiftelisë,
O lulja e Shqipërisë!
Kam një dashuri
T’ruajtur veç për Ty!
Sa herë kënga t’k’ndohet
Dashuria m’ shtohet
T’ ma falin dhe botën,
Për ty e lë kokën!

VII

Kosova-Fushë e paanë
Lulëkuqet ku tunden
Asnjëherë dallgë dhe rrebeshe
Mbretëreshën s’e mundën
Fushë e gjerë-Kosova jonë
Si n’ vargje të këngës
Për të qumësht e dashuri
Na dha zemra e nënës
Kosova me male e brigje
N’ çdo cep-lapidarë
N ‘ qiell të saj valon i lirë
Flamuri Shqiptar.
Kosova-nënëlokja jonë
Me kullat me gurë
Gjaku i bijve i ka hije
Te Shqipja n’Flamur.
Kosova-e jona plagë
Që nuk do trazim
Për të jetën çdo shqiptar
E fal me gëzim.

VIII

Në fushat tua t’gjera
Armiku kaloi
Çdo gjë u mundua
N’gërmadhë ta shndërrojë
Në viset e tua
Vdekja u përgjak
Armiqtë t’u vërsulën
Ti s’u pate hak
N’kullat tua t’forta
U ndje fuqia e trimit
Armiqtë në ty kaluan
Me karvane t’krimit
Ti prapë s’u dorëzove
Kokëlartë drejt në qiell
Ke zemër shqiptare
Rrofsh e qofsh përherë

IX

Në fushat e paanë
Të Kosovës si det
Lulëzojnë lulëkuqet
Ashtu si n’ legjendë
Dhe emri u shkruhet
Me ngjyrë e hare
U këndohen këngët
Shqip në epope
Ato janë buzëqeshja
E kuqe e Kosovës…
Dhe na flasin shpesh
Për ndodhitë e kohës
Lulegjak – në lashtësi
Lulegjak-për mua e ty
Rriten me kokë n’qiell
Gjer në përjetësi

X

Dua t’i këndoj këngët
Për trimëritë e tua
E në ballin tënd
Dua t’puth, Kosovë!
Këngët dua t’i këndoj
Me zë shumë të lartë
Që të ushtojnë kudo
Në lug e në shpat
Të këndoj për Ty
Trimërinë tënde t’artë
Të këndoj gatitu
Si ushtar para Flamurit
KOSOVË qofsh e fortë
Si Kala e Gurit!