CIA NËN KOMANDËN E SHQIPTARO-AMERIKANËVE – FAT FATLUM

0
620
Shpresa e Rexhe Xhakli me Clinton

Ibrahim Kelmendi

Kujtim për Rexh XHAKLIN

Meqë po spekulohet për rolin e Amerikës në çlirimin e Kosovës, por rrëfej një fragment nga përjetimet e mija, të cilat, në dukje, ngjajnë sikur janë trill (fjalë angleze për sensacion).

Në qershor 1982 vendosa ta bëja një vizitë “pune” në Amerikë (USA), kryesisht shkaku i dërrmimit nga lufta e shërbimeve jugosllave (dhe të KSA Kosovës), pas vrasjeve tepër goditëse të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, më 17 janar 1982. Nuk e kisha besuar se lufta speciale të dërrmon në ato përmasa, edhe kur e di se është luftë speciale e shërbimeve armiqësore. Po ndihesha i pafuqishëm për të sfiduar komplotet e tre kuadrove që i kishin angazhuar shërbimet: Sabri Novosella, Abdullah Prapashtica, Xhafer Shatri. (Kështu mendoja atëherë dhe, fatkeqësisht, ende mendoj se ishin kuadro marionetiste!)

Ata tashmë po kapnin emigracionin tonë patriotik, të ndërgjegjësuar gjatë tre viteve pararendëse, duke shpërdoruar “përfaqësimet” e organizatave të athershme. Prandaj gjykova, më mirë të ik ca kohë në Amerikë, para se të detyrohem të vras ndonjërin apo të më vrasin.

Fatmirësisht Çifti Shefkate e Nexhmi Sherolli, shtetas suedez, na patën dhënë ndihmë të madhe financiare (e para ndihmë e atyre përmasave), kur i vizituam në Suedi në shkurt 1982, bashkë me Hasan Malën dhe Saime Jusufin (tashmë e veja e Kadri Zekës). Shefkatin e kishte informuar Vëllai i saj, Enesi, Bashkëveprimtar, i imigruar nga Turqia në Bruksel. Ishin nga Mitrovica. Para se të dëboheshin për në Turqi në vitet e 1950-ta, mbanin mbiemrin Nokshiqi. Vëlla e motër kishin mbaruar gjimnazin në Mitrovicë, pastaj kishin vazhduar kualifikimet profesionale në Turqi. Shquheshin për dituri dhe për modesti. Ndërsa Nexhmiu ishte mësues, nga Rrethi i Pogradecit, i arratisur në Makedoni në vitet e 1950-ta, prej andej në Turqi dhe në Suedi. Me një pjesë të atyre ndihmave munda të financoj vizitën 6-mujore në USA.

Do fati në aeroportin e Brukselit u njoha me Drita Tonuzin, tashmë personalitete e shquar në USA. Në fillim të fluturimit rregulloi shkëmbimin e ulëseve në aeroplan, që të kishim mundësi të vazhdonim bisedimin e filluar në aeroport. Ajo po kthehej nga Franca, ku kishte mbrojt magjistraturën. Ishte vajzë e të arratisur politik nga Shqipëria, prandaj kishte njohje të mirë të imigracionit politik shqiptar në Amerikë. Por, kur ateruam buzë NY, edhe pse më luti të shkoja me auto të tyre, nga turpi që iu prezantova rrejshëm, refuzova. Me dha një çek blanko, që të shkruaja shifrën e dollarëve që do ta shihja në taksimetër (të cilin nuk e shfrytëzova).

Fillimisht u shkarkova të kushërinjtë Bruçaj, Familja Xhaxhait Binak Avdija (brezi i 4-tërt) me djemtë. Ata ishin të afirmuar në New York e rrethinë për shkak të restorantit të tyre “Il Galeto”, ku organizoheshin manifestime e argëtime muzikore. Xha Binaku, duke u ndie keq, me thotë: “Për momentin do të vendosim të dhandrri Ahmet Zherka, që të mos merret vesh se të kemi mysafir, nga se do ta rrezikojmë Shabanin…” [Shabani ishte atëherë sekretar i Kuvendit të KSA të Kosovës.]

Në ndërkohë rastisi të njihem edhe me Rexhë Xhaklin, i cili gëzonte respekt të madh në komunitet, si patriot dhe biznesmen. Njohjet e takimet me personalitete në Amerikë i kisha të lehta, sepse u mor vesh farefisnia me Dhëndrin Ahmet Zherka. U takuam disa herë. Rexha qe konkret: “Nuk mund të te shoqëroj në ndonjë angazhim politik, sepse jam i zënë me biznes dhe këtu nuk i dihet kush është kush, por kur të kesh nevojë për financa, më kërko si t’më kishe vëlla, meqë na njohu Ahmeti (Zherka), shoku im i fëmijërisë, i shkollës dhe i vuajtjeve e i angazhimeve patriotike…”

U informova se Rexha ishte i lindur në Fier në vitin 1938, i prindërve “imigrantë kosovarë”, të dëbuar nga Kosova, por që në vitin 1956 ishin kthyer prapë në Kosovë (Ferizaj), tashmë si refugjatë politik, ku e kishte pësuar nga përndjekjet policore dhe burgosja, deri sa është emigruar në Amerikë… Në verë të vitit 1998, pikërisht Rexhë Xhakli, që e kisha njohur në vitin 1982, me pat befasuar me vizitë në Këln (Gjermani).

Në fillim të viteve të 1990-ta Rexha pat provuar të investonte në Shqipëri. I ndodhin zënkat me presidentin Sali Berisha. Nëse kam mbajt mend, kërkonte shfrytëzimin e ujit të një lumi, në momentin kur ai po derdhej në Deti. Donte të mbushte tankerët me atë ujë dhe ta shiste në shtete shkretinore të Afrikës. Nuk e kërkonte dhuratë, por koncesion, me pagesë për sasi uji që do merrte.

Kur u takuam në qershor të vitit 1998, Rexha ma prezantoi një amerikan biond, rreth 65 vjeçar, të cilin e prezantoi si mik dhe partner biznesi. Amerikani ngjante shumë me aktorin Zhan Gaben. Ai shfaqte interesim për të na shitur armë për UÇK-në, në sasi të mëdha. Unë thosha se kemi ushtri guerile dhe rrethanat nuk janë të favorshme të dërgohet në Kosovë armatim voluminoz dhe i sofistikuar. Tjetra, bëra qartë se nuk kemi mjete financiare për sasi të mëdha. Isha krejtësisht i sinqertë, edhe për hir të Mikut Rexhë, meqë garantoi se nuk ishte provokim. Amerikani pat ofruar mundësi të siguronim financa nga strukturat myslimane, xhihadiste, sepse kishte krijuar njohje e lidhje me ta në Bosnjë. Unë refuzova, duke arsyetuar se ato struktura do penetroheshin pastaj në radhët e UÇK-së, duke na’i indoktrinuar e korruptuar ushtarët, dhe ashtu do të konvertoheshin në xhihadistë. Meqë u ndieva i bezdisur nga insistimi i tij, u shfaqa tepër kategorik:

Përpara pranojmë sundimin e nacionalistit neofashist Millosheviq, se sa sundimin e Islamit xhihadist. Sundimi i Millosheviqit është më tolerant dhe më i përparuar. Nga viti 1990 deri kur ka plas kryengritja e armatosur, Millosheviqi ka toleruar një si shtet paralel, që e sundoi Ibrahim Rugova, ndërsa në shtete islame nuk do të toleroheshin institucione paralele si në Kosovë. Bile as liria e shprehjes së mendimit nuk tolerohet. Megjithatë, tani prioritet kemi çlirimin e Kosovës, dhe jo ideologjitë dhe religjionet…” (parafrazim). Rexhën e luta ta kuptonte sinqeritetin tim dhe ta sqaronte edhe më bindshëm mikun e tij, se nuk duam asnjë lloj ndihme e përkrahje nga strukturat xhihadiste.

Bile ju rrëfeve edhe për një rast në Tiranë, kur veprimtari Ismet Kryeziu me kishte detyruar të takoja një celulë xhihadiste, e cila e kishte një bazën klandestine afër udhëkryqit Unazë me Rrugën Qemal Stafa. Ata xhihadistë ma patën shpif aq shumë, sa mora guximin t’i kërcënoja duke qenë në bazë të tyre, nëse nuk largohen nga Shqipëria brenda jave, policia ushtarake e UÇK-së do t’i arrestonte. Ismet Kryeziu (i cili pas disa vitesh duhet të jetë kidnapuar në Tiranë dhe nuk di gjë çfarë i ka ndodhur) qe frikësuar përtej frikës racionale, prandaj zuri edhe ai të më kërcënonte, në prani të atyre…

Atë rrëfim Amerikani e dëgjoi me interesim ekstra, duke kërkuar sa më shumë detaje. Pata shtuar se edhe kryeshefin e ShISh-it (Shërbimit), Fatos Klosin, e kam pas informuar, duke e lut të merrte masa kundër tyre, që të mos detyrohej Policia Ushtarake e UÇK-së të angazhohej. Vizita e Rexhës dhe Mikut të tij patë zgjatë dy ditë, me shumë orë biseda, në një hotel ekstra luksoz, buzë Lumin Rajna, në Këln të Gjermanisë.

Rreth dy muaj pas çlirimit të Kosovës në sportel të Hotel Grandit në Prishtinë me njoftuan se po me kërkonte Rexhë Xhakli. U takuam. Prapë ishte në shoqëri me të njëjtin Mik amerikan, që e kisha takuar në qershor të vitit 1998. Mendova se kanë ardhur për ndonjë biznes. Rexha e prezantoi me emër të tij, tashmë konkret. Me ne në tavolinë ishte edhe një amerikan tjetër. Meqë prezantoi edhe kolegun e mikut, nuk e fiksova cili ishte Doug Smith e cili Robert Bob Stevens. Fillimisht nuk patëm mundësi të bisedonim në qetësi, meqë tashmë shqiptaro-amerikanin, që i ngjasonte Zhan Gabenit, po vinin ta takonin edhe kushëri e kushërira nga ana e Zymit, deri edhe gra me veshje të tyre tradicionale. E luta Rexhën të ma rrëfente atë “film live”, me një burrë zymjan, që po e përqafonin përmallshëm kushërinjtë.

Rexha: “Ky Miku, bashkatdhetar i ynë, prindërit i kishte nga Zymi. Ka qenë bebe kur kanë emigruar në Amerikë. Gjatë studimeve të suksesshme është njohur me një kolege, me prejardhje irlandeze. Ajo iu ka vardis Shqiptarit tonë për martesë. Ky i ka vënë kusht që t’ia kamuflonte prejardhjen shqiptare, duke e prezantuar gjithandej me prejardhje irlandeze. Dy djemtë, që tani i ka ligjërues universitar, para një muaji janë informuar se babain e kanë shqiptar nga Kosova, të besimit katolik. Ky ka udhëheq 18 vjet sektorin e CIA-së për Ballkanin. Dy javë pasi është çliruar Kosova, është pensionuar. Kemi ardhur edhe me përgjegjësin e ri, që e pason këtë në atë funksion. Ke qenë shumë bindës gjatë bisedimeve në Këln dhe më nuk ka harxhuar kohë për të hulumtuar, cilin përcaktim ideopolitik e ka UÇK-ja…

Pra, Rexha me sqaroi se vizita që me kishin bërë një vit më herët në Këln, kishte qenë vizitë informuese dhe jo biznesore, në cilësi të kryeshefit të të CIA-së, sektorit për Ballkanin. Kur e pata përjetuar atë “film” në Hotel Grand, pata lotuar spontanish nga gëzimi. Gati sa nuk pata thirr: “Kemi qenë me fat! Në momentin më vendimtar për Kosovën, Kryeshefi i CIA-së Tenet dhe shefi i Sektorit për Ballkanin shqiptaro-amerikanë! Çfarë rastësie mrekulluese!

Për ata që nuk dinë, Kryeshef i krejt CIA-së ishte George John Tenet, djalë i Babait nga Qeparoi i Himarës se Shqipërisë dhe i Nanës nga Tepelena. Ai ka qenë Drejtor i CIA-së nga korriku 1997 deri në korrik 2004. Moti thoshin mos pyet kush është kryetar në Amerikë, por pyet kush është Drejtor CIA-së, që të kuptosh pozicionimin amerikan, sepse CIA është shtet mbi shtetin.

Në Shqipëri, edhe në Kuvend, në mars 1997 është zhurmuar, se nxitësi kryesor i trazirave ishte “grekofili” Tenet. Kishte nga ata zëra që spekulonin se Tenet vet kishte qenë katër herë në Shqipëri të Jugut, gjatë trazirave. Atje, atëherë, në mars 1997, isha dhjetë ditë. Fatkeqësisht nuk e takova Tenetin. Por, kur isha në Tepelenë, më patën treguar nga cila familje patriotike e Tepelenës ishte Nana e Tenetit. Pasi ka dorëzuar detyrën e Drejtorit të CIA-së, Tenet ka botuar një libër biografik. Në libër ka informuar: “Kur prindërit donin të bisedonin që të mos i kuptonim ne dy djemtë e tyre, ata flisnin mes tyre në gjuhë shqipe.” (parafrazim).

Vërtetë, Çfarë ndodhi që pozicionimi amerikan në mars 1999 të ndryshonte për 180 shkallë, nga pozicioni ndër më serbofilët në botë, në pozicion bombardues ndaj forcave të armatosura serbe, me arsyetim: “evitimin e katastrofës humanitare në Kosovë”! Ndërsa tani, fatkeqësisht, edhe CIA u katandis për të qenë nën udhëheqje të përkohshme të matrapazit Grenell…

Duke gjurmuar në internet për jetën dhe veprimtarinë e Rexhë Xhaklit, gjeta edhe një shkrim të gazetarit Beqir Sina, i cili ka prezantuar biografinë e Rexhës, me rastin e vdekjes, më 5 prill. Ai sjell edhe informimin e kryetarit të Fondit “vendlindja thërret”, për USA dhe Kanada, Shefki Mexhuani: “Ne të Fondit Vendlindja Thërret e kujtojmë Bashkatdhetarin Rexhë për kontributin e tij të madh për UÇK-në. Personalisht mua m’i ka dorëzuar njëqind e pesëdhjetë mijë US dollarë…

Edhe më shumë duhet të ketë dhënë për fëmijët autistë në Kosovë…
Respekt për Patriotin dhe Humanistin e shquar Rexhë Xhakli!

[Fragment nga manuskripti për librin e ri.]