ÇAMËRIA: Rebelimet e shqiptarëve dhe misionet e Kozma Etolit (V)

2
1271

DitaProf. Pëllumb Xhufi, 10 korrik 2016

(Vijon nga numri i kaluar)

Duke filluar nga dekadat e fundit të shek. XVI, për kryengritjet shqiptare kundër sunduesve osmanë filluan të tregojnë interes të veçantë fuqitë katolike, para së gjithash Spanja dhe mbretëria-bijë e Napolit, si dhe Papati i Romës. Atë kohë Napoli u bë vendi ku u hartuan plane për organizimin e ekspeditave ushtarake në mbështetje të kryengritësve shqiptarë. Personi i caktuar nga Mbreti i Napolit për bashkërendimin e veprimeve me kryengritësit shqiptarë ishte kapiteni Jeronim Kombi, një shqiptar që kishte shërbyer në Qipro për Republikën e Venedikut. Kombi konsiderohej si “kreu i agjentëve dhe njeriu që drejton gjithë operacionet në Shqipëri” (capo delle spie… et ch’è quello, per le mani del quale passano tutti i maneggi di Albania). Për të drejtuar operacionet në Shqipëri, ky, grumbulloi rreth vetes 12 komandantë shqiptarë të shquar në fushat e betejave: Nikollë Renësi, Gjon Golemi, Pal Karuka, Dhimitër Golemi, Stefan Krizia, Gjon Skura, Gjon Plesha, Vasil Papadhopulli, Guljelm Arianiti, Guidon Psara, Mikel Bua e Xhuzepe Musuka. Në 30 dhjetor 1604, Jeronim Kombi u nis në një mision të fshehtë në Çamëri. Në fshatin Koikë, pranë Pargës, ai takoi krerët vendas me të cilët u ra dakord të organizohej në Çamëri një kryengritje e madhe antiosmane, akti i parë i së cilës do të ishte marrja e Prevezës në bashkëpunim me flotën spanjolle. Përgatitjet zgjatën disa vjet, deri sa në fillim të shtatorit 1611 kryengritja filloi në zonën e Paramithisë.

Frymëzues e udhëheqës i saj ishte peshkopi Dionis nga Paramithia, i mbiquajtur “Filozofi”. Për vite me radhë ky kishte qëndruar në Napoli, Romë e Madrid, ku kishte kërkuar të sigurojë ndihma në njerëz e në armë nga spanjollët dhe nga Papa i Romës, duke ofruar në këmbim bashkimin e tij dhe të ortodoksëve të Çamërisë me kishën katolike. Dionisi mblodhi rreth vetes afro 800 shqiptarë, banorë të fshatrave të Paramithisë, të cilët e shpallën atë “mbretin e tyre”(veniva però dagli Albanesi nominato loro Rè). Kryengritësit shqiptarë (burime të tjera flasin për 2-3 mijë vetë) vendosën të sulmojnë Janinën, duke qenë se qyteti në atë kohë mbrohej nga një garnizon i vogël. Pasi dogjën dy fshatra tashmë të islamizuara, Turkogranicën e Zaravustën, në veri të Paramithisë, kryengritësit hynë në Janinën e mbrojtur vetëm nga një grusht ushtarësh, ku i vunë zjarrin kullës ku jetonte sanxhakbeu, Osman Pasha, edhe ky, si Peshkopi Dionis, me origjinë nga Paramithia. Sanxhakbeu arriti të largohej në kohë. Por, i informuar për forcën e vërtetë të kryengritësve, Osman Pasha, i përforcuar me trupa të reja, u kthye në Janinë në të gdhirë të datës 10 shtator. Kryengritësit e zënë në befasi u shpartalluan. Rreth 200 syresh u zunë rob dhe u dogjën mbi urrat e zjarrit. Peshkopi Dionis u zu dhe u rrop i gjallë. Lëkura e tij, e mbushur me kashtë, u shëtit fshat më fshat e më tej u përcoll në Stamboll. Ambasadori Venecian në Stamboll raportonte në tetor 1611, se e kishte parë me sytë e tij “lëkurën e priftit të rrjepur të mbushur me kashtë, bashkë me shumë koka të prera të kryengritësve shqiptarë, që kishin bashkëpunuar me Spanjollët” (prete scorticato, la pelle sua piena di paglia portata in Constantinopoli con molte teste dei figli d’Albanesi, che avevano intelligenza colli Spagnoli).

Kryengritja e Dionis Filozofit ishte më e madhja e kryengritjeve çlirimtare të Çamërisë, që drejtohej drejtpërsëdrejti kundër sundimit osman dhe që mbështetej në bashkëpunimin e popullsive të krishtera të asaj krahine me spanjollët e Napolit. Por pas saj, filluan të shpeshtohen rastet e rebelimeve të komandantëve lokalë osmanë kundër autoritetit të Portës së Lartë, si dhe të popullsive muslimane shqiptare kundër qeveritarëve lokalë osmanë e kundër vetë Sulltanit. Një kryengritje e tillë ishte ajo e vitit 1624. Shkak i saj ishin marrëdhëniet e tendosura të Vojvodës së Paramithisë, Piri Mehmetit, me banorët e fshatrave të asaj ane. Gjatë një vizite në njerën prej tyre, vojvoda u prit me të shtëna arkebuzësh (gli furono tirrate delle archibugiate). Për t’u hakmarrë, gjatë natës ai organizoi kundër bujqve-rebelë një sulm të vërtetë, “sikur të ishte një armik çfarëdo, dhe jo padroni i tyre” (havendoli assaliti di notte con le armi, come se fosse nemico, e non patrone). Vojvoda i bastisi fshatrat në fjalë, duke marrë me vete burrat e përfshirë në rebelimin kundër tij, dhe kur nuk gjente burrat, rrëmbente gratë, fëmijët dhe bagëtinë e tyre. Paskëtaj, vojvoda Piri Mehmet i shkeli të gjitha fshatrat e nënshtruara, i prirë nga krerët e fshatrave rebele, të lidhur me zinxhirë në qafë.

Por, vojvoda i Paramithisë i kishte punët keq jo vetëm me banorët, por edhe me vetë Portën e Lartë. Jo vetëm që sillej si zot i pavarur, por refuzonte edhe të dërgonte në Stamboll detyrimet e përvitshme. Po atë vit, mbërriti në Paramithi një ushtri e madhe e dërguar nga Sulltani për të ndëshkuar vojvodën rebel. Ushtria komandohej nga një funksionar i lartë i Portës. Mirëpo vojvoda, pasi mblodhi një ushtri edhe më të madhe se ajo që erdhi nga Stambolli, u kujdes të pengojë mbërritjen e përforcimeve nga Arta, të zbrazë fshatrat e të fshehë produktet ushqimore. Më në fund, vojvoda rebel hapi fjalën e rreme se në atë krahinë kishte rënë murtaja (la fama della peste essendo inventata falsamente). Në këtë mënyrë, trupat ndëshkimore të sfilitura nga marshimi i gjatë e uria dhe të tmerruara nga frika e murtajës, u kthyen nga kishin ardhur. Ky funksionar i Portës duhet të jetë i njëjti, që dëshmohet në Çamëri edhe një vit më vonë, kur thuhej se kishte autoritet epror mbi gjithë sanxhakbejlerët (con suprema autorità sopra tutti li sanzacchi). Por, siç raportonte Proveditori venecian i Korfuzit, Paolo Caotorta në 30 prill 1625, vetëm disa prej këtyre sanxhakbejlerëve e kishin njohur dhe e kishin pritur atë si të tillë. Pjesa më e madhe e dinjitarëve vendas kishin refuzuar t’i bindeshin (da alcuni de quali è stato ricevuto e riconosciuto, ma dalla più parte negato). Në një raport të ri, që daton plot një vit pas këtij raporti, 30 prill 1626, Caotorta konfirmon se funksionari Isuf Beu ishte refuzuar e dëbuar nga të gjithë, “ripudiato e scacciato da tutti”, për rrjedhojë ishte larguar, por për t’u kthyer përsëri në pranverën e vitit 1626 me një ushtri të madhe me të cilën llogariste të nënshtronte më në fund krerët rebelë. Megjithatë, Isuf Beu nuk i hyri aventurës së përplasjes me çdo kusht e me çdo mjet me bejlerët kryengritës, por tentoi t’i nënshtronte ata sa me forcë, aq edhe me bisedime (tenta egli l’ubbedienza e con la forza e col negotio).

Margelliç 2Tashmë, kryengritjet e rebelimet në Shqipërinë e Poshtme ndodhnin pothuaj çdo vit. Një e tillë shpërtheu në pranverën e vitit 1631, ku u përfshinë si paria, ashtu edhe masa fshatare e Margëlliçit. Përmasat e kryengritjes qenë të tilla, saqë Sulltani dërgoi urgjentisht me ushtri një nga komandantët e tij të besuar, të cilin e urdhëroi “që të shfaroste të gjithë burrat e Margëlliçit, nga mosha shtatë vjeç e sipër” (per destrugere tutti li huomeni da Margariti, dalle sette anni in sù). Në fakt, ushtria e Sulltanit mbërriti në fund të prillit, por, ashtu si në rastin e kryengritjes së vitit 1624, e gjithë popullsia e krahinës së Margëlliçit kishte marrë malet dhe turqit gjetën aty një tokë të shkretuar.

Sa më shumë forcoheshin krerët vendas të Çamërisë, aq më shumë shtoheshin përplasjet e tyre me Portën e Lartë. Më 1659 ishin ngritur në këmbë të gjithë spahinjtë dhe banorët e sanxhaqeve të Delvinës e të Janinës, të cilët refuzonin t’i dërgonin detyrimet Portës dhe, gjithashtu, nuk iu bindën urdhërit për të shkuar e për të marrë pjesë në luftën e Kretës.

Zona e Çamërisë fitoi, kështu, statusin e një vendi në konflikt të vazhdueshëm me pushtetin e Sulltanit, aq sa aty ndodhte të vinin për të gjetur mbrojtje e mbështetje edhe komandantë rebelë nga zona të tjera fqinje. Kështu, në dhjetor 1636 mbërriti në Janinë nga Thesalia bashkë me 4500 ushtarët e tij rebeli Ali Pashë Puritosi, i cili kishte ngritur krye kundër Sulltanit “pasi kishte marrë vesh se ky donte t’i priste kokën” (ribelle del signor Turco, per sentore havuto che lo volesse far decapitare). Me rebelin u bashkuan sakaq edhe emini i Bastias e komandantë të tjerë vendas.

Në vitin 1707, popullsia e Margëlliçit bashkë me banorët e fshatrave Mazarak, Kuç, Glloboçar, Betishtë e Kurtes, ngritën krye kundër vjeljes së taksave. Kryengritësit sulmuan forcat ushtarake të sanxhakbeut të Delvinës, që kishte ardhur për t’i shtruar banorët dhe vranë taksambledhësit. Për ngjarjet e ndodhura atë kohë në Çamëri, banorët e kazave të Delvinës, Paramithisë e Mazarakut si dhe të nahijeve të Parakallamit e Prekallamit dërguan një përfaqësi të tyre pranë Portës së Lartë, duke akuzuar sanxhkbeun e Delvinës për vendosjen dhe vjeljen me dhunë të taksave arbitrare. Sipas tyre, sanxhakbeu kishte vrarë 23 bujq që nuk kishin qenë në gjendje të paguanin, kishte rrëmbyer pasurinë dhe kishte djegur shtëpitë e pronat e tyre. Nga ana e tij, sanxhakbeu i Delvinës, Myrteza Beu, dërgoi në Stamboll dëshminë e kadilerëve të Delvinës, Paramithisë e Artës, sipas të cilëve fajtorë për gjendjen e krijuar në ato krahina të Çamërisë ishin pikërisht kryengritësit dhe krerët e tyre. Sulltani i la dorë të lirë të veprojë sanxhakbeut për të shtypur kryengritjen e për të arrestuar drejtuesit e saj. Por turbullirat në atë trevë vazhduan edhe paskëtaj.

Në verën e vitit 1714 kryengritja e radhës në Margëlliç e shtyu Sulltanin të dërgojë nga Stambolli një kapexhibash me ushtri, e njëherësh të urdhërojë të niset me shumë forca drejt Margëlliçit mytesarifin e Delvinës e të Vlorës, Selim Pashën. Mirëpo rrugës për në Margëlliç, ushtria e Selim Pashës u prit me pushkë nga 1500 kryengritës të Paramithisë, të cilët, nga ana e tyre, kishin ngritur krye pasi kishin sulmuar e vrarë mbledhësin e taksave.

Aty nga mesi i shek. XVIII, Çamëria kishte dalë nga kontrolli i Portës së Lartë. Sanxhakbeu i Delvinës dhe autoritetet e tjera osmane nuk mund të bënte asgjë kundër krerëve të fuqishëm të krahinës. “Këta”, thuhet në një burim venecian të kohës, “nuk njohin zot mbi vete, nuk u binden urdhërave të Sulltanit dhe i përçmojnë eprorët e tyre zyrtarë (non riconoscono sovrano, disubbidiscono gl’ordini reggi sprezzano quelli de lor naturali comandanti). Mes tyre, shquhej për forcë e ndikim kreu i Margëlliçit, Sulejman Beu. Në bashkëpunim me kreun e Konispolit, Giucco(?) dhe me banorët e fshatit Agià, Sulejman Beu mbante nën presion të vazhdueshëm zotërimet e Venedikut në Butrint e në Pargë. Kundër tij, venecianët bashkëpunuan me autoritetet Pamje nga Paramithiaosmane, por pa sukses. Kështuqë, Bajliu i Korfuzit shihte si mundësi të vetme eliminimin fizik të Sulejman Pashës së Margëlliçit nëpërmjet “mënyrave të fshehta” (occulti ripieghi). Në vitin 1756, kreu i Margëlliçit ishte në gjendje të organizonte inkursione deri poshtë në zotërimet osmane të Kseromeros, në jug të Gjirit të Ambrakisë dhe akoma më poshtë, deri në Misolongj. Në këto aksione, atë e ndihmonin katër komandantë anijesh, shqiptarë nga Ulqini. Me një ferman të veçantë, Sulltani Osmani III (1754-1757) urdhëronte komandantët e tij të Delvinës, Janinës, Artës e Lepantos të asgjesonin Sulejman Pashën dhe njerëzit e tij si dhe të bashkëpunonin me flotën veneciane për të shkatërruar aleatët e tij ulqinakë.

Pas humbjes së luftës me Rusinë, në 1774, Sulltani e kishte humbur plotësisht autoritetin e vet mbi gjithë Shqipërinë e sidomos në Çamëri, ku tashmë vepronte pushteti i krerëve vendas. Në këto rrethana, midis viteve 1767-1779, zhvillohen në Shqipërinë e Poshtme dy misionet e murgut Kozma nga Etolia. Në Filat, Sul, Pargë, Paramithi, Delvinë e gjetkë, Kozmai predikoi besnikërinë e popullsive ndaj kishës ortodokse dhe ndaj Sulltanit. Në fakt, Sulltani ishte për kishën dhe klerin e Patriarkanës një mbrojtës i ortodoksisë, veçanërisht në këto vise skajore perëndimore, ku autoriteti i Patrikanës kontestohej nga veprimi i kishës katolike. Përpos kësaj, Kozmai u përpoq të hapte shkolla greke e të nxiste përhapjen e gjuhës greke midis popullsive shqiptare të jugut. Një nga predikimet më të njohura të tij është pikërisht ajo që i fton shqipfolësit e atyre trevave të hiqnin dorë nga gjuha shqipe dhe të përdornin gjuhën greke, “gjuhën e zotit”. Misionet e Kozma Etolianit në Çamëri dhe në viset e tjera jugore shqiptare, shënojnë aksionin e parë të organizuar të nacionalizmit grek në këto anë.

(Fund)

Komentet janë mbyllur.