BUZËQESHJA E VENDINDJES, PËR SHKRIMTAREN BUKURIE BUSHATI…

0
1115

Skicë:

Nga: Murat Gecaj

1.
Shkrimtaren Bukujrie Bushati e kam takuar dhe njohur një vit më parë, kur ajo erdhi në kryeqytetin tonë. Me atë rast, ajo përuroi romanin e radhës, “Prostitutë më bëri nëna), në “Ak Art Gallery”, me Azem e Vjollca Kuçanën. Por edhe më pas ne i mbajtëm lidhjet tona miqësore, përmes Internetit. Pasi i dërgova asaj disa pyetje, përgatitëm e publikuam, në shtyp dhe në Internet, bisedën me titullin: ”Librat e mi i kam si gishtat e dorës”(Tiranë,tetor 2015). Aty Bukuria rrëfen disa episode nga jeta e saj, por dhe flet për librat e botuar e planet për të ardhmen.

Ja, përsëri kjo mike krijuese, me disa libra të botuar, këto ditë njoftoi në FB, se është rikthyer për vizitë në vendlindje, pra në Durrës (orgjinën e ka nga Shkodra), nga Frankfurti i Gjermanisë, ku jeton familjarisht, tash 23 vjet.

Nga qyteti i lindjes, ku përherë gjen frymëzim, ajo publikoi këto radhë domethënëse e mallëngjyese: “Kjo vjeshtë më dhuroi buqeta rrezesh, dielli dhe buzëqeshjesh, në vendlindje….Se mos është rasti i parë!…Sa herë vij këtu, stinët nxjerrin nga sendyku: PRANVERE…Sot kam dalur në bregdet…Mrekullia e ka folenë këtu!…”.

2.
Për t’u çmallur dhe për të shkëmbyer mendime, si për krijimet e botimet, ajo ftoi sot, për kafe, në Librarinë “Agolli”, miq e dashamirë të letërsisë. Përveç meje, aty ishin edhe Gjikë Kurtiqi, Zhuljeta Grabocka me bashkëshortin, Et’hem Çipi, Klaudia Malaj e të tjerë.

Siç është e kuptueshme, tema kryesore e bisedave tona ishin librat, si ata të botuar ose që presin radhën e botimit. Për kërshërinë e lexuesit të këtyre radhëve, shënoj këtu, se shkrimtarja e talentuar Bukujrije Bushati ka publikuar pesë romane, me tematikë për të rriturit: “Pafajësi nëne”(shqip e italisht) e “Arta”, “Borjana”(Tiranë, 2011), “Enigma ime, Lira”(Tiranë, 2014) dhe atë, që përmenda në hyrje të kësaj skice. Ndërsa për famijë ka botuar vëllimin e parë të romanit “Një mik i mirë”(Tiranë,2013). Po atë vit, botoi përmbledhjen me tregime, “Buzëeshje, me gjurmë lotësh”.

Kjo autore ka provuar edhe që të shkruajë poezi të fryëzuara. Për këtë gjë flet edhe vëllimi poetik “Shpirti im vagabond”(Tiranë, 2012).

Siç na tregoi edhe në takimin e sotëm, shkrimtarja Bukurije Bushati i ka të përfunduara tre romane të tjerë. I pari e ka marrë subjektin nga jeta në Gjermani dhe i dyti nga qyteti i Venecies së Italisëë e Brazili. Asaj iu ka dhënë mundësia që ta vizitojë Moskën e ish-Lenngradin. Kështu, që andej e ka marrë temën edhe për një roman tjetër, gjithashtu të mbaruar.

…Pas bisedave tona të këndshme, pse jo dhe me paksa humor, bëmë disa fotografi kolektive, të cilat janë kujtim i paharruar për ne. Gjithashtu, Bukurija na dhuroi disa nga librat e saj. Me shënime dashmirëse, ajo më dha romanin “Enigma ime, Lira” dhe botimet më të reja, esetë poetike: “Pesh’ore shpirti”(Tiranë, 2016) e “3 gojë, të pangopurat e jetës sime”(Tiranë, 2016).
Duke u ndarë me shkrimtaren mike Bukurije Bushati, i shprehëm kënaqësinë për këtë takim dhe i uruam asaj shëndet të mirë, me gëzime e lumturi, vetjake e familjare dhe vazhdimin e krijimeve e botimeve, sa më cilësore. Gjithashtu, uruam që përsëri të takohemi, në raste të tilla të bukura.

Tiranë, 2 nëntor 2016