BEDRI DEDJA, NJERI I MIRË DHE PERSONALITET I SHQUAR, SHUMËPLANËSH E SHUMËVLERËSH

0
1372

Kujtime, në përvjetorin e ditëlindjes:

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

Ndiej kënaqësi të veçantë tani që, në përvjetorin e 86-të të ditëlindjes, e kujtoj me nderim e respekt të thellë, pedagogun e mikun tim të paharruar, prof. Bedri Dedja-Akademik dhe “Mjeshtër i Madh”.

1.
Kanë kaluar më shumë se 59 vjet, nga koha, kur u krijua Universiteti i Tiranës. Një vit më pas, i nisa studimet në degën gjuhë-letërsi shqipe, të Fakultetit Histori-Filologji. Ndër pedagogët tanë të shumtë e të nderuar, gjuhëtarë e shkrimtarë të njohur, personalitete të arsimit dhe shkencës shqiptare, si: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Mahir Domi, Zihni Sako, Androkli Kostallari, Jakov Xoxa, Shaban Demiraj, Mark Gurakuqi, Bujar Hoxha, Skënder Luarasi, Selman Riza, Myzafer Xhaxhiu, Stefan Prifti, Zija Xholi, Jorgji Gjinari e të tjerë, ishte dhe pedagogu i lendës së psikologjisë, Bedri Dedja.

Ky kishte mbaruar studimet e larta në Moskë, në këtë degë, por dhe kishte nisur të bënte emër në letërsinë për fëmijë. Tiparet e tij aq njerëzore, si: dashamirësia, takti i komunikimit, respekti për të tjerët, pasioni për krijimtarinë letrare, sidomos për fëmijë etj., ishin arsyet se përse u afrova me të, që në atë kohë dhe nuk i shkëputëm më asnjëherë lidhjet tona, deri sa ai u nda nga jeta.

Mbaj mend se, kur nisi të botohej gazeta e Ministrisë së Arsimit e Kulturës, “Mësuesi”, në shtator 1961, prof. Bedriun e caktuan aty kryeredaktor të parë. Përsëri nuk iu ndava pedagogut të psikologjisë, i cili më shërbeu shembull edhe për shkrimet e mia. Botova në këtë gazetë artikuj modestë, që në numrat e parë dhe asnjëherë nuk e ndërpreva bashkëpunimin me të. Isha në vitin e fundit të studimeve, kur prof. Bedriu më propozoi e unë pranova të punoja redaktor në “Mësuesi”. Megjithatë, ky mendim i yni nuk u realizua dot, për arsye objektive. Edhe kur u diplomova, ai u përpoq të më merrte në këtë organ shtypi, por mua më caktuan redaktor në gazetën javore të fëmijëve “Pionieri”. Përsëri nuk i shkëputëm lidhjet, përkundrazi, vazhdova të shkruaja rregullisht në faqet e asaj gazete, pasi aty kisha një mësues dhe përkrahës të pazëvendësueshëm.

Në vitin 1966, më dërguan familjarisht në rrethin e Tropojës, ku punova me rininë dhe drejtues i sektorit të kulturës. Prapë, lidhje e bashkëpunim me prof. Bedriun. Mbaj mend se ishte vjeshtë, kur ky erdhi me shërbim në qytetin “Bajram Curri” dhe u takuam me përzemërsi. Pashë me habi se ndër duar mbante një çantë me rroba e një pallto dhe veshur kishte çizme. Me shaka, iu drejtova: “Po, ç’i keni të gjitha këto, o profesor Bedri? Apo mendonit që Tropoja është në Alpe e bën shumë ftoftë? A e shikoni, këtu është luginë, fushë si në Tiranë dhe në vend të Dajtit, këtu kemi Shkelzenin. Qyteti ynë është 330 metra mbi nivelin e detit, ndërsa aty, ku do të ngrihet Hidrocentrali i Fierzës, lartësia është vetëm 110 metra…”. Qeshëm me këto fjalë, për të cilat edhe më pas shpesh “ia zëja kokën” profesor Bedriut.

2.
Faktet, që përmernda më lart, por dhe ato që do të shkruaj më poshtë, janë përjetime të mijat, pra diçka vetjake. Por mendoj se ato janë mjaft domethënëse, për të dëshmuar cilësitë njerëzore të pedagogut tonë të psikologjisë, prof. Bedri Dedja. Se, në atë mënyrë, ai është sjellur ose mund të ishte sjellur, jo vetm me mua, por edhe me të gjithë ish-studentët e tij të shumtë. Pra, po e vazhdoj rrjedhën e kujtimeve të mia dhe kërkoj mirëkuptimin e lexuesit…

Kështu, edhe gjatë shërbimit disavjeçar në Tropojë, meqenëse e kisha pasion timin, shkruaja rregullisht në shtyp. Ndërsa Prof. Bedriu më nxiste e më përgëzonte me sinqeritet dhe përsëri shprehu gatishmërinë të më merrte me punë, në gazetën “Mësuesi”. Por nuk u realizua kjo gjë, se na u bë pengesë një tjetër titullar “parimor” i atij dikasteri. Më pas, atë e dërguan sekretar të Akademisë së Shkencave. Prapë nuk i shkëputëm lidhjet, i shkruaja dhe ai më kujtonte shpesh. Takoheshim, kur merrja pjesë i ftuar në veprimtari të ndryshme shkencore, kombëtare e ndërkombëtare. Gjithnjë, ai e ruante atë dashëmirësinë e tij të njohur ndaj ish-studentëve të tij.

Prof. Bedriu nuk kishte hequr dorë nga kujdesi për mua dhe një ditë, në vitin 1973, në zyrat e rrethit, në “B.Curri”, erdhi shkresa nga Akademia e Shkencave, ku ai ishte sekretar shkencor, me të cilën më kërkonin punonjës shkencor për fushën e dialektologjisë, në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë. Arsyeja ishte se kisha studiuar e isha specializuar një vit në Universitetin “Zhdanov” të ish-Leningradit (tani: Petërburg), pranë albanologes dhe akademikes së mirënjohur, A.V.Desnickaja dhe në Universitetin e Tiranës mbrojta diplomën,po në fushën e dialektologjisë. Por ndodhi “rastësia” që as kësaj here të mos plotësohej dëshira jonë e përbashkët?! Ndërsa më tej, në fillimin e vitit 1974 më rikthyen në shtyp, por tashmë redaktor në gazetën “Bashkimi”. Veç lidhjet e miqësinë e sinqertë e të ngushtë, me prof. Bedriun, i vazhdova pandërprerje.

Në vitet në vazhdim, që nga maji i vitit 1981, nisa punën redaktor në gazetën “Mësuesi”. Ishte ai organ i shtypit tonë arsimor, ku prof. Bedri Dedja vuri themelet e sigurta. I nxitur dhe nga puna e vullneti i tij, por dhe i të tjerëve, pedagogë të mi të nderuar, në vitin 1991 fillova përgatitjet për mbrojtjen e shkallës së parë të kualifikimit pasuniversitar. Pasi dhashë tri provime plotësuese universitare, për profilin pedagogji e psikologji dhe katër provime pasuniversitare, shkrova temën e disertacionit: “Kontribute të mësuesve patriotë kosovarë, për arsimin kombëtar”. Përveç udhëheqësit shkencor, që ishte punonjësi i ISP, prof.as.dr. Qazim Kashari, për të u caktuan në sektor recenzentë dhe në Këshillin Shkencor oponentë. Në të dyja rastet, u tragua mjaft i gatshëm pedagogu im, prof. Bedri Dedja. Me korrektesë e kujdes të veçantë, ai e kishte lexuar punimin tim dhe mendimin përfundimtar e shfaqi në tri faqe, me shkrim. Ai jepte këtë vlerësim të përgjithshëm:

“Disertacioni i Murat Gecajt, me temën e lartpërmendur, përfaqëson një nidihmesë origjinale, interesante dhe me vlera shkencore për historinë e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, duke plotësuar kuadrin e saj me ndriçimin e disa figurave të mësuesve të shquar të trevës së Kosovës, të cilët janë njohur e trejtuar, por asnjëherë të studiuar në këtë gjerësi. Vlerat dhe meritat e përgjithshme dhe të veçanta të këtij disertacioni janë të padiskutueshme…Monografia është e vlefshme për botim”: Prof. Bedri Dedja. (Tiranë, më 12.09.1991).

Sigurisht, krahas punëve të shumta dhe angazhimeve në fushën e studimeve psikologjike e pedagogjike, të letërsisë për fëmijë etj., ai nuk e “harronte” asnjëherë gazetën tonë të dashur e të përbashkët “Mësuesi”. Sipas rastit, na sillte shkrime interesante dhe me tematikë të ndryshme, të cilat i kemi botuar me kënaqësi të veçantë.

Sidomos në vitet e fundit të jetës së tij, ne i shpeshtuam lidhjet miqësore. Rregullisht, çdo të mërkurë, kur dilte gazeta “Mësuesi”, i çoja prof. Bedriut një kopje të saj dhe uleshim në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve ose afër tij. Aty “pinim një kafe bashkë” dhe flisnim për krijimet e botimet, për nipat e mbesat. Por kishim edhe një “pikë” tjetër takimi e lidhjeje. Ai ishte kryetar e unë anëtar i “Bordit të shqyrtimit dhe vlerësimit të botimeve letrare e publicistike për fëmijë”, i ngritur pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Nuk mungoja as që ta vizitoja, për ndonjë rast, siç shkova në spital e në shtëpi, kur ai ishte i pamundur, në fillimin e vitit 2000 ose më vonë. Sigurisht, kënaqeshin vetë ai e bashkëshortja, e paharruara Pandora dhe më është dukur se atëherë kam “ndihmuar” në shërimin e shpejtë të tij.

Si gjithnjë, para meje dhe miqëve të shumtë, që e rrethonin në çdo çast, prof. Bedri Dedja mbeti njeri i nderuar e dashamirës, fisnik e i ndjeshëm, i dhënë pas studimeve, krijimeve e botimeve, si në fushën e letërsisë për fëmijë dhe në atë të psikologjisë e pedagogjisë. Shënoj këtu se kam vënë re me kënaqësi që, në tërë veprimtarinë e tij të begatë, ka pasur pranë, si frymëzuese e ndihmëse të aftë, pedagogen e studiuesen Pandora Dedja, e cila ka disa vjet ë është ndarë nga jeta. Ajo ishte motra e publicistit dhe shkrimtarit për fëmijë, Tuni Papuçiu, i cili u nda nga jeta në moshë të re. Është botuar libri i tij, “Një sirtar i vëçantë”, me tregime e skica etj., ku kam një kujtim për të, sepse ishim bashkëpunëtorë e kolegë të mirë.

3.
Siç u shpreha më lart, cilësi të rralla e dallonin pedagogun e mikun tim, prof. Bedri Dedja. Po shënoj dhe këtë fakt. Ai, në çdo rast, ishte i vëmendshëm ndaj çdokujt, pra dhe ndaj meje. Kur botonte ose ribotonte ndonjë libër, “më merr përdore” dhe më çonte në librarinë më të afërt, ku ishin disa nga veprat e tij. Tërhiqte nga rafti një kopje të librit më të ri, nxirrete nga xhepi stilolapsin dhe shënonte aty disa radhë kushtimi, aq të bukura, frymëzuara e domethënëse. Në njërën prej tyre, në ribotimin e romanit “Një udhëtim i rrezikshëm”, nuk harroi t’i shënonte disa fjalë të bukura edhe nipit tim, Deivisit, atëherë 6-vjeçare tani afër 22-vjeçar, në Gjermani. Është interesante, se ky gjithnjë më pyeste, kur çelte komedinën me librat e tij: “Ku janë librat e xhaxhi Bedriut?”

Në fund të këtyre pak radhëve, po përmendi dhe një detaj. Në korrik të vitit 2000, i ftuar nga një i njohur në Deçan, do të bëja udhëtimin tim të parë në Kosovë. U takova me prof. Bedriun dhe ky nuk harroi t’i dërgonte të fala krushkut të tij, në Gjakovë, Qazim Bytyçit dhe t’i rikujtonte shpërndarjen falas, për fëmijët kosovarë, të 3.000 kopjeve të romanit “Një udhëtim i rrezikshëm”. Po kështu, më porositi ta përshëndesja nga ana e tij prof. R.Qosjen, në Prishtinë. Në një letër të shkurtër, i shkroi këto fjalë: “I dashur Rexhep! Duke përfituar nga ardhja në Kosovë e mikut tim, Murat Gecaj, u dërgojmë përshendetje e të fala, si nga unë e Pandora. Shpresës, gjithashtu, i transmetoni falëmeshendete nga ana jonë. Urojmë suksese në punën tuaj fisnike, për të mirën e Kosovës dhe të gjithë Shqipërisë!- Ju përqafoj, Bedri Dedja”.

Libri im me titull “Si e pashë unë Kosovën” u publikua nga Shtëpia Botuese “Erik” e Tiranës, në fundin e tetorit të atij viti, pra më 2000. Vlerësimet për të i bënë prof. Bedri Dedja-Akademik dhe publicisti Marash Hajati, që u botuan në faqet e fundit të librit. Ndër të tjera, ai shkroi aty këto radhë: “Vepra e re e prof.as.dr. Murat Gecajt, “Si e pashë unë Kosovën”, është një libër i këndshëm publicistik, aktual, i cili, sipas mendimit tim, i kalon edhe kufijtë e publicistikës, duke na u paraqitur si një krijim me karakter historik, letrar dhe memuaristik, njëkohësisht…. “Reportazhi” i gjallë dhe i flakët i Murat Gecajt për Kosovën, përfaqëson një ndihmesë të rëndësishme, e cila u jep mundësi lexuesve shqiptarë këtej kufirit, po edhe kosovarëve e bashkatdhetarëve tjerë në trevat e Ballkanit, që të njohin më në thellësi sakrificat e mëdha të popullit tonë për këto ditë, që jetojmë sot, solidaritetin mbarëshqiptar dhe vizionet historike për të ardhmen”.

…Kur flisja në telefon me familjen Dedja, shpesh më përgjigjej e para, Pandora. Përmes receptorit, dëgjoja tik-takun e një makine shkrimi. Në të punonte një shkrimtar e psikolog i palodhur. “Ja, po ta thërras tani Bedron”- më thoshte ajo dhe, sakaq, përtej receptorit dëgjoja një zë të qetë dhe çlodhës. Ndër të tjerat vepra, ai shkroi dhe kujtimet e jetës së tij. Në mes të atyre mbresave të pambarim dhe të bukura nga jeta, do të gjente vend për të treguar diçka dhe për lidhjet e tij me mua, ish-studentin e mikun e tij.

Qënka diçka interesante se shumica e shkrimtarëve ose intelektualëve të fushave të tjera, kur i afrohen moshës 60-vjeçare ose e kalojnë atë, kanë padurim të ulen e të shkruajnë kujtimet e tyre nga jeta. Kisha lexuar me kënaqësi, disa vite më parë, psh, librat me kujtime tërheqëse, nga shkrimtari i talentuar Sterjo Spasse dhe mjeku i njohur Shefqet Ndroqi e të tjerë.Të them të drejtën, kjo lloj letërsie mua më ka pëlqyer e më pëlqen shumë. Prandaj e prita me padurim edhe librin “Nëspër ravat e jetës”, të pedagogut e mikut tim, shkrimtarit të shquar të letërsisë për fëmijë, prof. B.Dedja.

Një kopje të tij ai ma dha me nënshkrim dhe me fjalë dashamirëse. E lexova “me një frymë” dhe mbeta mjaft i kënaqur. Përmbledhurazi, mund të them vetëm kaq: Libri i tij me kujtime është një enciklopedi e vërtetë jetësore, e një njeriu të mirë, e një pedagogu e psikologu dhe shkrimtari të shquar, që tërë dijet dhe talentin e vetë i shkriu për edukimin dhe mësimin e brezit të ri të Atdheut tonë.

4.
Në vazhdim të studimeve në fushën e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, në fillimin e viteve 2000, të shekullit të kaluar, përfundova një përmbledhje me historikun e shkurtër të disa shkollave të para shqipe. Ia dhashë një kopje prof. Bedriut, të cilën e lexoi shpejt dhe më bëri një “hyrje” mjaft profesionale. Aty, ai shprehet me simpati për punën e bërë dhe vlerat, që paraqste ky botim, në vazhdim të njohjes së historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar. Libri në fjalë u botua e qarkulloi gjatë vitit 2001. Po këtë dashamirësi e ndihmë gjeta nga ai edhe kur punova për përgatitjen e librit “Filologë që nuk harrohen”.

Ndër veprimtaritë më të suksesshme të prof.Bedri dedjes, në vitet e fundit të jetës së tij, ishte drejtimi punës së redaksisë për Veprën “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar” (botuar më 2003), ku bëja pjesë dhe unë. Megjithëse mjaft i rënduar nga gjendja shëndetësore, i pari ai dha shëmbullin e punës së pasionuar dhe të thelluar shkencore, me pjesët që shkroi.

…Sa e sa herë jam takuar me Prof. Bedriun. Gjithnjë i njëjti, njerëzor, buzagaz, i thjeshtë, dashamirës. Shkoja të shihesha me të dhe në shtëpinë e tyre të thjeshtë e bujare, aty afër “Rrugës së Kavajës”.

Pastaj, flisnim në telefon. Shkëmbenim letra edhe kur ai shkonte përkohësisht në Zvicër, te e bija, Edlira. Lidhjet tona miqësore e të sinqerta i kalonin kufinjtë e marrëdhënieve mësues-nxënës a pedagog-student. Ishin lidhje bashkëpunimi e miqësie, të lindura vite më parë dhe të ruajtura të pastra e të pashkëputura. Ato i thjeshtoi dhe i farkëtoi vetë prof. Bedriu, si në mes të të barabartëve. Prandaj ishin të qëndrueshme dhe, të tilla, ato i ruajtëm deri në fund të jetës së tij të begatë. (Bedri Dedja lindi në Korçë, më 20 nëntor 1930 dhe i mbylli sytë përgjithnjë në Tiranë, më 13 prill 2004)…

Në këtë shkrim me kujtime për prof. Bedri Dedja, në 86-vjetorin e lindjes së tij, nuk përmenda jetën e gjallë dhe as krijimtarinë e tij aq të pasur. Lexuesit tanë të nderuar, tashmë, janë njohur me të përmes shtypit ose stacioneve televizive, për ato dëshmojnë qindra botime e libra të tij, sidomos për fëmijë, studime dhe shkrime të tjera. Ato janë një pasuri e paçmuar për brezat tanë, në Shqipëri dhe kudo, ku jetojnë bashkatdhetarët tanë.

Gjithashtu, kam kënaqësinë të shënoj këtu se, pas ndarjes nga jeta të prof.Bedri Dedjes, me kujdesin dhe mbështetjen e bijës së vetë, Edlira Dedja-Bytyçi, m’u dha mundësia të mbledh kujtime e shkrime të shumë vetave, bashkëpunëtorë, ish-studentë e miq të tij etj., nga Shqipëria, trojet amtare e diaspora shqiptare. Kështu, me hyrjen që hartova, u publikua një libër i posaçëm, me 363 faqe, tekst e fotografi, kushtuar këtij njeriu të mirë dhe personalitet shumëplanësh e shumëvlerësh. (Libri “Bedri Dedja, në kujtesën tonë” – përgatitur për botim nga M.Gecaj, Tiranë, 2010)

…Në përfundim të këtyre radhëve, e kam peng, të shprehem dhe të pyes: Si nuk u gjet mundësia, që emri i madh i Prof. Bedri Dedjes t’i vihej një institucioni të rëndësishëm arsimor në kryeqytet dhe, pse jo, në ndonjë qytet tjetër, por iu vendos vetëm një rrugice, diku në periferi të tij? Për ketë gjë le të reflektojnë dhe të japin shpjegime, para armatës së nxënsve e studentëve, mësuesve e pedagogëve shqiptarë, ata zyrtarë, që kanë qenë dhe janë përgjegjës, për këtë pakujdesi të pafalshme ose nënvlerësim të papërligjur.

Tiranë, 20 nëntor 2016