BABETA REXHEPI: JO VETËM ME LIBËR POETIK, POR DHE ME ROMAN…

0
1317

Nga: Prof. Murat Gecajpublicist e studiues

1.
Nuk është rasti i vetëm, që një punonjës/e shëndetësie t’i përkushtohet krijimtarisë letrare. Ky pasion lindë që në bankat e shkollës, duke dëgjuar fjalët e mësuesit të letërsisë, duke lexuar vetë libra poetikë ose në prozë. Në fillim, lexon ato, që i këshillon mësuesi ose mësuesja, sipas programit shkollor. Pastaj, kur nxënësi futet në botën e bukur e të pafundme të librit, nuk i ndahet më asaj.

Jeta e mëvonshme, pas shkollës 9-vjeçare ose të mesme, mund të vazhdojë në udhë e profile tjera. Po ato gjurmë të librave artistikë mbeten të pashlyera në kujtesën e secilit. Ndodhë shpesh që mbaron dhe shkollën lartë, për shembull, në degët e mjekësisë, inxhinierisë, bujqësisë etj., por pasioni i hershëm konkretizohet me krijimtari letrare. Dhe, një ditë, ai ose ajo ulet e shkruan poezitë e para, skicat a tregimet me tematikë nga vetë jeta.

Ndoshta, u zgjata paksa, por konketisht e kam fjalën për një poete të re, nga rrethi i Krujës, për Babeta Rexhepin. Shkollën 9-vjeçare e të mesme i kreu në vendlindje, pra në Fushë-Krujë, ku i lindi dëshira e pasioni dhe për letrsisnë. Më tej, ajo ndoqi e mbaroi Fakultetin e Infermierisë dhe masterin shkencor, po aty. Vetë Babeta tregon:
Lidhja ime shpirtërore me letërsinë është e hershme, që në shkollën tetëvjeçare. Mësuesit e letërsisë vërejtën aftësinë time për të shkruar.. Prandaj më nxitën në këtë drejtim, duke më ndihmuar e këshilluar, në mënyrë të ndjeshme, për ta përmirësuar e zhvilluar,, më tej, këtë aftësi…”.

Dhe ja, kjo punë i dha frytet “e pjekura” të saj. Krahas studimit në degën e saj, gjatë viteve universitare, ajo u ul e shkroi një roman, të cilin nuk e botoi asnjëherë! Por gjithnjë i mbeti kujtim i bukur, nga krijimtaria e parë e saj.

Siç tregon vetë Babeta, më pas, e ndërpreu për disa vite krijimtarinë letrare. Por, megjithatë, sikur e brente diçka, në mendje e në shpirt. Ai pason i hershëm iu zgjua vrullshëm, në vitet e fundit. Kështu, poezitë e krijuara i tuboi në vëllimin poetik “Fjalët e librit”(Tiranë, 2017), nga SHB “Ada”(me Roland Lushin), të cilin ua ka kushtuar fëmijëve të saj. Ky libër është ndarë në 3 pjesë dhe ka gjithësej 113 poezi. Ai i solli kënaqësi shpirtërore autores, sepse mori dhe fjalë miratimi, nga të afërmit e lexues të tjerë. Në vazhdimësi, ajo u bë pjesë e disa antologjive poetike, si: “Buzëeshje lirike” e “Trirema joniane”, por dhe botoi poezi te revista e njohur, “Humanus”.

Babeta ka marrë pjesë në festivale të ndryshme letrare. Në një konkurs, organizuar në Shkodër, fitoi çmimin e dytë, për interpretim dhe në Festialin Letrar për të Rinj (edicioni i 3-të) mori çmimin e parë, me prozën “Selma” Ajo poston rregullisht krijime të saj, në faqe letrare online, si: “Atunis”, “Alb-Spirit” etj.
Sigurisht, gjatë kësaj periudhe, u vërejt jo vetëm shtimi i numrit të poezive të Babetës, por dhe rritja e nivelit cilësor të tyre.

2.
Ndokush mund të pyesë: Po, a e ka ndërprerë procesin e krijmtarisë poetike, Babeta? Sigurisht që jo! Megjithatë, në kujtjesën e saj ka mbetur e pashlyer ajo përpjekja e parë, për të shkruar e botuar një roman. Prandaj tani, po punon me ngulm, që ta realizojë dhe këtë ëndërr të saj.

Gjithashtu, pyetje tjetër e natyrshme është: A e pengon apo e ndihmon Babetën krijimtaria letrare, në kryerjen e detyrave të përditëshme profesionale, aty në qytetin e Krujës, ku jetojnë familjarisht? Si përgjigje, po sjellim vetëm këtë fakt domethënës: Në maj 2017, “Urdhëri i Infermierëve të Shqipërisë” e nderoi Babeta Rexhepin, me Çmimin “Infermiere e përkushtuar dhe poete e taentuar”. Ishte ky një nder e vlerësim, që iu bë asaj. Prandaj i solli kënaqësi shpirtërore dhe e motivoi, jo vetëm në profesionin e saj, por dhe që të vazhdojë të krijojë, si në poezi e në prozë.

…Sa për të krijuar, sadopak, një ide për poezitë e Babetës, këtu poshtë po citojmë vetëm pak strofa, nga 3 poezi të saj, marrë në botimin “Fjalët e librit”:

I.
E vendosa, fëmijë do mbetem,
do rend pas fushave plot gëzim;
do hidhem, do vritem, prap’ do ngrihem,
si një vocërrake, në të parin rrugëtim…

E do t’i qesh botës sime,
Me përqafime do ta mbys!
Në më bërtittë, më dhëntë mallkime,
me dashuri do ta përtyp!…

Më pas, me ngjyra do e vesh,
diellin mbi krye do ja ndez…
Do e vulos me një buzëqeshje,
përherë e lumtur kjo botë të mbesë!
(Nga poezia “Fëmijë do mbetem…”)
II.
Kam mësuar se:
Nuk ka vetëm një të vërtetë,
në këtë botë të rrejshme, të qetë!
……………………..
Kam mësuar se:
Sado të dimë, është pak,
kur shpirtin ke ndër plagë!

Kam kuptuar se, të mësosh,
do të thotë të nisesh shtigjeve
të lartësohesh mes ardhjeve dhe ikjeve…
(Nga poezia, “Kam mësuar se…”)
III.
Pra, mirëmbetëshi, të dashurit e mi!
Dijeni, fort me shpirt ju desha…
Këto vargje të fundit ua kushtoj ju
e gjithë mirësisë, që mes jush gjeta…

Ju jeni e sotmja, e ardhmja e praruar,
që me oksigjen dejet mbushni.
Në bark të tokës, duke qendruar,
fëmjën e dashurisë do ta lindni!
(Nga poezia “Mirëmbetëshi!”, e fundit në këtë libër).

…E përgëzojmë poeten e re, Babeta Rexhepi, për botimin e vëllimit të parë poetik dhe e urojmë, që ta mbarojë e ta botojë sa me shpejt romanin, që e ka në proces krijimi!

Tiranë, 6 tetor 2017