Avokati i masakruar në Gjykatën e Durrësit, alarm për një “1997”

0
550
Bashkim Kopliku

[Tema on line dhe të tjerë, dt. 21.07.2018, marrë nga fb]

Dje, dt. 19.07.2018, në mes të Durrësit, tek Gjykata dhe Prokuroria e qarkut gjyqësor, u masakrua një avokat, në detyrë, aq më tepër një personalitet i qytetit, ish oficer i ShIK, ish kryetar partie etj. E kanë goditur avokatin, se e dinë se nuk ka Drejtësi që t’i dënojë!
Kjo ngjarje, por dhe ca tjera të ngjashme, më sjellin ndërmend gjendjen fundit të vitit 1996, kur kishin përfunduar edhe zgjedhjet lokale, dhe ligjin filluan ta bënin të fortët e Durrësit, duke shkrehur armët edhe po aty ku dje goditën Avokatin. Shteti i pat toleruar atëhere, se “kishin kontribuar për fitoren…”.

Duhet të bëhemi të vetëdijshëm se jemi para një rreziku të madh edhe sot, në 2018: vettingu ka tërbuar prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar, të cilët po angazhojnë krimin të bëjë rrëmuja që t’i shpëtojnë nga dënimi i merituar: flakja nga Drejtësia. Mos të lejojmë të na vijë një 2019 si 1997 që shkatërroi të gjithë vendin.

Shumë miq të mi në fb, nuk po e kuptojnë rrezikun, dhe po i kundërvihen vettingun, duke u ankuar për të, në vend që të japin së paku përkrahjen morale, qytetare për këtë reformë aq të domosdoshme. Shumë shtrojnë shqetësime për rregullin e vetingut “që vetëm se u heq të drejtën të jenë prokurorë a gjyqtarë, atyre që nuk i gjenë në rregull”, e nuk merret edhe me dënimin me burg të të përjashtuarve të tij nga Drejtësia. Megjithëse ata e meritojnë dënimin edhe me burg, them se miqt e mi e kanë gabim!

Rregulli i vënë për vetingun, është shumë i drejtë, dhe shumë racional. Vettingu ka për detyrë primare të pastrojë me sa më shumë EFEKTIVITET drejtësinë. E, për të garantuar efektivitetin e tij, të vettingut, qëllimisht nuk i është shtuar edhe detyra e pastrimit të shoqërisë shqiptare, nga ata gjyqtarë e prokurorë që i ka konstatuar si të papastër etj. etj.. Është vepruar siç punon ai punëtori kur hap një kanal, që thjesht i hedh pisllëqet e kanalit anash kanalit, që pastaj, pasi të ketë mbaruar i gjithë kanali, t’i heqë edhe ato pisllëqet e tij.

Shoqëria jonë ka nevojë urgjente e të domosdoshme të ketë më së fundi një Drejtësi më të pastër (të hapë kanalin!). Do të jetë ajo, Drejtësia e Re, instrumenti aq i munguar e i domosdoshëm për të pastruar pastaj me eficiencë, edhe të gjithë shoqërinë shqiptare. Kini parasysh se pastrimi i të gjithë shoqërisë shqiptare, do të kërkojë shumë kohë, dhjetëra e dhjetëra vjet… fatkeqësisht!

Nëse vettingut do t’i viheshin edhe detyra edhe më të mëdha se i janë vënë, kjo do ta ngadalësonte fare si proces. Edhe praktika po e tregon qartë, se vetëm me detyrat “e kufizuara” që i janë vënë vetingut aktualisht, procesi po zgjat shumë, gjë që po zgjat kohën kur më së fundi do të kemi Drejtêsinë më të pastër. Pra, është “anti-ventting”, t’i ngarkohen edhe detyra të tjera, tani që urgjenca e kryerjes së tij është e tragjike.

Stërzgjatja e vetingut do të bënte që të përfitonin të parët pikërisht ata që i urreni ju vetë: gjyqtarët e prokurorët e qelbur nga korrupsioni!

Është shtë Vettingu që po i flak jasht Drejtësisë ato qelbësira…
E fundit, vettingun në Drejtësi, po na e këshillojnë, e faktikisht dhe po na e bëjnë, vendet më të zhvilluara të botës, që fatmirësisht i kemi tashmë dhe miq: ShBA dhe BE, prandaj duhet ta respektojmë përvojën e njohuritë e tyre.

Bëmë gabim e faj që nuk i dëgjuam e nuk i respektuam në 1996, mos të përsërisim të njëjtin gabim sot në 2018.

Bashkim Kopliku,
Zëvendëskryeministri 1992-94
20.07.2018


Bashkim Kopliku
Mobile&Whatsapp&Viber: +355(0)672858090
(In DEUTSCHLAND: 004915771187972)
Phone: +355(0)52 223663
E-mail: <bkopliku@gmail.com>