Arjola Zadrima, tik-taket e zemrës në vargun poetik

0
893

Burrat e kësaj kohe.

Burrat e kësaj kohe duen dashni të dhunshme, krejtësisht të njëanshme dhe mbi të gjitha veshin me maskilizem edhe atë që buron prej zemrës, të paktë janë ata që bajnë përjashtimin.

Shpesh mendoj se duhen dashtë por pa u ndi keq. Deri në një masë të caktueme. Respekti karshi Femnës duhet të jetë Kryefjala në një marrdhanie. Shumë prej tyne i shoh të papërsosun, të ashpër të pafuqishëm me gjetë fjalën. Heshtja ju duket një e drejtë e paprekshme sidomos kur ti ke argumentet, eksperienca simbas tyne asht sjellja e pahijshme. (për mos me degradu në fjalët që përdorin). Kupton që përdorin emrat, epitetet, dhe hipërbolat me të thye inteligjencën, pagabueshmërinë e mendjes dhe të arsyes së shëndoshë.

Mos u ndjeni keq. Në çastin e përplasjes ma të madhe kupton kush duhet pa prej lart. Dëshirojnë gjithmonë me te ngaterrume nëpër vogëlsina. Të vetëm janë të pambrojtun, të pafuqishëm, të pazotë me u ba ballë grave me G të madhe. Asht këtu ku formohen turmat, injoranca në grup, çdo lloj dhunimi në grup. Nuk arrijnë me kenë individualistë, nesë nuk do mbahen mbas turmave mundohen me gjetë mbështetjen andej nga kanë dale.

Si grue nuk jam kunder dobesive, apo kunder seksit tjetër, jam e gatshem me i tregue se kurajo e madhe buron nga dashnia, argumenti nga nje marrdhanie e paqte dhe besa nga karakteri I fortë. Jam e gatshme me besue se njerëzit ndryshojnë nëse lejojnë të jenë ma e mira e vetvetes.

Burrat e kësaj kohe nëpërmjet Unit te tepruem më tregojnë se udhëhiqen prej frikës, dhe i shoh gjithnji në vogëlsinë e atij që ka nevojë për prehnin e nanës (grue edhe ajo).

Duhen dashtë por pa u vra, duke ju tregue llojin e ndryshëm të dashnisë. Pa e humb respektin ndaj vedit, ti je GRUE. Pa u fut në kthinat e tyne të errëta. Shpesh nuk pranojnë me dalë prej errësinës. Kena detyrën me ju tregue që çdo grue asht vetë JETA. Unë kam fillue po i mësoj Tim biri që njerëzoja asht kryefjala e njeriut.

Përtej kësaj stine
ku pisha sysh bahen zhari,
përtej gishtave që rroken,
gjuhëve që kapërthehen,
përtej buzëve që kafshohen,
shenjave hamshore,
përtej kësaj bote mizore,
jam unë,
je ti,
me vite dashni.

Shoh çdo natë

të njëjtën andërr.
Një burrë në ikje.
Kërrusun në mall
dergjun për nji puthje të fundit bijve.
Më mërdhet jeta prej shpindës
tande të mermertë.

Muret e kësaj shtëpie randojnë prej mallit,
leskrat e tyne janë dhimba te pasherueshme.
Boja ka vu nji verdhinë vetmie.
Se unë mendoj,
vetmia asht e verdhë,
si ftyra jote,
si qënia jote e mungume,
si andrra jeme,
si ky gjoks që sa nuk plas
prej heshtjes.
Muret e kësaj shtepie kanë veshe,
sy,
gojë,
kane fotografi me ulerimë grueje,
dhe zanin e burrit që s’asht.
Muret e kësaj shtepie
kanë gëlvozhden e nji arre gurrçe,
si i Zoti!

Tash që ke rrxue prej meje,
dashninë,
tash që më ke hedh nji kuqlinë vjeshtë,
tue mi shkye
tanë vrimat e pullave,
kam vendos me veshë
tjetrën!


Dikujt

Uroj që një ditë të mos kesh qetësi.
Netët të mbushen me dashninë e kalbun,
që mbolle në kopshtin e zemrave të qelibarta.
Të uroj vetmi,
i ftofti u prehtë ndjenjave të rreme, që trillon.
Uroj që sytë e vegjël të shprazen.
U bafsh stinë pa ngjyrë,
gjethe e vdekun,
gur i perhimtë,
dhe,
baltë
kryq pendesash, kur s’gjeti dashnia prehje.
Te uroj çdo tjetër, fallco
si brumi i shpirtit tand,
kjofsh çdo të nesërme në prag të poezisë përjetshme.
Ti spektator i lumtunisë
që s’jep,
aktor i një drame që luhet në qytetin
që dashuron dhe urren.
Së fundmi,
prej thellësise së shpirtit të uroj
u ngjalltë Krishti.

Leonard Cohen

Të pashë ty këtë mëngjes
Ishe duke lëvizur kaq shpejt
Sa ka mundësi të kem humbur
Kontrollin mbi të shkuarën.
Dhe më mungoje, ah, kaq shumë,

Tash kur s’ka përqark asnjë njeri

Prej vdekjes kujtoj ftyrën
të zbehtë,
zgavra sysh,
buzë të akullta.
Ja njoh edhe idhnimin
të heshtun,
të fortë
me nji kolpo mes krahnorit.
Veç në këtë odë nuk ka kujtesë,
sapo hap derën
ka shtrëngim shumërroksh,
buzë m’buzë,
gjuhë m’gjuhë…
Prej tij pres vdekjen.

Don me thanë Gegnishtja ban zhurmë.
Don me thanë Poezia të vret.
Don me thanë liria e vargut asht burg.
Don me thanë Grueja ju tremb.
Don me thanë mendimi I bukur ju err sytë.
Don me thanë mendja e vogël nuk nxë poezi të madhe.
Don me thanë që keni me më ndeshë ndër libra tjerë.
Due me thanë se jam Arjola Zadrima e shkruej atë që ndjej,
mendoj e më prek, nuk kam ndër mend me u ndalë.

Vazhdojmë, ende të bëjmë dashuri
Në jetën time sekrete

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar