A NUK U SHKATËRRUA EDHE “QIK” NGA ISA MUSTAFA?!

0
980

Shefqet Dibrani

Me gjithë bizneset e shumta që i kontrollojnë edhe Oligarkët Politik në LDK, asnjëri syresh nuk e pa të udhës, qoftë edhe një herë që t’i reklamuar ato biznese në portalin informativ që e themeloi LDK-ja. Ky standard i dyfishtë për të përftuar aq shumë nga LDK-ja duke krijuar aq shumë pasuri në saje të të qenit deputet dhe udhëheqës i LDK-së është ves i keq, kurse në anën tjetër për të mos i reklamuar ato suksese edhe në QIK është standard i dyfishtë

Qendra për Informim e Kosovës (QIK), si duket tashmë i takon vetëm historisë, sepse atë e zhbiu Isa Mustafa dhe klani i tij të cilët e kanë vendosur për ta shkatërruar Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe bashkë me te edhe të gjitha institucionet përkatëse, e kjo po ndodh para syve të kryesisë, para syve të Këshillit të Përgjithshëm dhe para delegatëve të Kuvendit të VIII-të të LDK-së, të cilët janë përgjegjës për degradimin e vlerave të demokracisë kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës.

QIK, ishte institucioni i parë informativ në Kosovë të cilin e pat themeluar Lidhja Demokratike e Kosovës në fillim të viteve të nëntëdhjeta. Ky institucion u themelua atëherë kur pikërisht Isa Mustafa bashkë me Bujar Bukoshin ia patën nxirë qiellin LDK-së, QIK-ut dhe Presidencës. Tashmë Isa Mustafa i ardhur në krye të LDK-se dhe Kosovës, me metodat e nëntokës dhe me shtytjen e SHIK-ut po dëshmohet se ka qëllim për ta shkatërruar jo vetëm QIK-un e LDK-në por po e shkatërron edhe tërë Kosovën.

Të gjithë përdoruesit e internetit mund ta bëjnë një kërkim në Googel për www.kosova.com, ose le të kërkojnë siglën “QIK” dhe do të binden se çfarë mund të bëjë në shkatërrimin e memories së historisë një teknokrat komunist siç është Isa Mustafa, dhe disa vartës të tij të cilët kanë marrë në dorë kazmën e shkatërrimit të vlerave historike, kombëtare dhe nacionale. Pra Qendra për Informim e Kosovës është viktima e parë e atyre institucioneve që i pat bërë LDK-ja, e cila bashkë me shumë personaliteteve politike i ka larguar, përjashtuar, anatemuar dhe nuk i ka pranuar si veprimtar të LDK-së, ndonëse Isa Mustafa, vetëm pas vdekjes së dr. Ibrahim Rugovës është parë në LDK.

Isa Mustafa është duke e mbushur mandatin e tij të dytë në krye të LDK-së, por kurrë ma poshtë s’ka qen LDK-ja prej se u themelua dhe prej se mbahet mend. Fatkeqësisht intelektualë mediokër tashti janë bërë servil të Isa Mustafës të cilët edhe pse deri dje ishin kundërshtar të LDK-së, sot pran Isa Mustafës duan t’ua nxjerrin sytë të gjithë atyre që e duan demokracinë, e duan LDK-në dhe e duan Kosovën. Shihet qartë se në LDK, janë kapërthurur, injorant dhe zvarranik, militant të LKJ-së dhe informator të rafinuar të cilët i kemi me bollëk, por dëmi i shkatërrimit të LDK-së është shumë i madh dhe me pasoja afatgjate.

Edhe pse lufta propagandistike përmes internetit e ka fuqinë e vet, LDK-ja në krye me Isa Mustafën është duke e injoruar pasi si duket për Isa Mustafën mjaftuaka Facebooku në të cilin është i njohur me vulgarizimin e theksuar dhe shprehjet perverse të tepruara, që shpesh është detyruar edhe ti korrigjoj ose t’i heq fare.

Dekada e fundit e shekullit të kaluar, ishin ato vite kur Kosova pat shkëlqyer në fushën e informimit dhe kjo ka ndodhur krejt në saje të Enver Malokut, personaliteti i të cilit në fushën e informimit publik do të kujtohet gjatë, pasi në saje të tij QIK-u mbeti Institucioni kryesore i luftës së ashpër. Vitet e fundit QIK-un e karakterizoi vullneti i nënshtrimit duke u pajtuar me vdekjen klinike që ia sillte shefi i partisë Isa Mustafa, i cili në krye të LDK-së ka ardhur me mision për t’ia ndalur ecjen kësaj partie me kohën, gjë që e ka realizuar me sukses, kurse tani është në marshim drejt shkatërrimit të mitit Rugova, për të cilin është investuar dhe sakrifikuar shumë.

Me një fjalë Isa Mustafa dhe klani i tij kanë vrarë vullnetin për ta mbajtur gjallë QIK, sepse sa për ta konsoliduar dhe për ta profesionalizuar as që bëhej fjalë. Kjo Qendër Informative në vitet e 90-ta ishte shndërruar halë në sy jo vetëm për Serbinë por ma shumë për d. Bujar Bukoshin dhe mr. Isa Mustafën, të cilët kanë pas bërë shumë për ta penguar punën e tij.

Logjika e kundërshtimit që Isa Mustafa bashkë me Bujar Bukoshin e patën aplikuar jo vetëm kundër QIK-ut, por ajo trysni arrinte deri tek kundërshtimi i politikës institucionale të LDK-së dhe sidomos të Presidencës, kurse Presidenca në atë kohë ishte i vetmit institucion që veproi me efikasitet të plotë në Kryeqytetin e Kosovës.

Deri sa pas luftës pritej që ky profesionalizëm i dëshmuar në kohë krizash të shndërrohej në një Qendër për Informim Kombëtar dhe sigla QIK të bëhej sinonim i së vërtetës dhe burimi i vetëm i informacionit serioz, ndodhi e kundërta, pengimi, dështimi dhe tashmë edhe mbyllja e tij, duke shtrirë shkatërrimin për të gjitha informacionet në internet dhe duke i hequr edhe fotografitë e shumta që prej vitesh lundronin e gjendeshin kudo nëpër internet. Kjo fuqi e Isa Mustafës lë për të dyshuar në afinitetin e tij shkatërrues, sepse ai nuk njihet asnjëherë ndërtues dhe gjithëpërfshirës, por afiniteti i tij njihet për prirjen përjashtuese dhe shkatërruese, që ia ka bërë LDK-së dhe tani po me atë avaz po ia bënë vendit edhe në nivel kombëtar.

Me gjithë bizneset e shumta që i kontrollojnë edhe Oligarkët Politik në LDK, asnjëri syresh nuk e pa të udhës, qoftë edhe një herë që t’i reklamuar ato biznese në portalin informativ që e themeloi LDK-ja. Ky standard i dyfishtë për të përftuar aq shumë nga LDK-ja duke krijuar aq shumë pasuri në saje të të qenit deputet dhe udhëheqës i LDK-së është ves i keq, kurse në anën tjetër për të mos i reklamuar ato suksese edhe në QIK është standard i dyfishtë, gjë që dëshmohet se prej kohësh është punuar për t’i rrënuar institucionet e rëndësishme që i ka LDK-ja, të cilat kanë marrë udhën e humnerë dhe të shkatërrimit total.

QIK, si institucion aq vital që ishte dhe me gjithë atë rëndësi që kishte, nuk është dashur të pengohet, të ndalët dhe të zhbëhet, por kjo po ndodh para syve tanë pikërisht nga ata që vazhdimisht nuk ngurrojnë as sot për t’ia vënë drynin, kurse në anën tjetër po mbllaqitin se janë “institucionalist fanatikë”. Sabotimi që iu bë këtij institucioni me rëndësi jetike në fushën e propagandës, madje në vitet e ‘90-ta duke ia tkurrur mjetet financiare ndërsa tani për t’ia vënë drynin është e dhimbshme dhe shqetësuese.

Tashmë po shihet se kundër QIK, bëhej një luftë jo vetëm përmes qërimit të hesapeve me likuidim fizik, por vënie e drynit është edhe një vrasje e dytë që i bëhet Enver Malokut, me të cilin QIK ka qen institucioni themelor i informimit ë Kosovë.

Hipokrizia nuk paska kufij?! Tani shihet se personi i parë i LDK-së Isa Mustafa dhe vartësit e tij e kanë vendosur ta shkatërrojnë LDK-në dhe Kosovën, andaj “jazëk” i qoftë Isa Mustafës që ia paska vënë drynin e sabotimit këtij institucioni informimit në Kosovë, sepse Qendra për Informim e Kosovës, pa asnjë dyshim dikur ishte Qendra më e mirë për Informim Kombëtar! E tashti…?

St. Gallen, 03 maj 2016.