Merita Gjoni (Gjoka) – me duar dashurie

0
1870
Merita Gjoni - Me duar dashurie

Dërgoi për publikim. Gjin Musa, gazetar

Nga: SEJDO HARKA

Merita Gjoni (Gjoka) ka mbi 15 vjet që e ushtron profesionin e bukur të mësuesisë. Por veprimtarinë e saj të përditshme ajo nuk e mbyll brenda katër mureve të shkollës. Krahas mjeshtërisë së mësimdhënies, ajo zotëron edhe artin e vjershërimit. Mësuesia, jo vetëm që nuk e ka penguar të krijojë, por dhe e ka frymëzuar të shkruajë poezi të bukura. Gati çdo ditë, ajo e mbyll duke shkruar. Krijimtaria e përditëshme dhe e shumëllojshme artistike, jo vetëm e relakson, por dhe e kthjellon dhe i shton forcat, për t’i zgjidhur problemet dhe hallet e ditës.

Pas librit të parë, ”Abazhur zemre”(2011), kohët e fundit ajo rishfaqet përsëri para lexuesëve me vëllimin e ri poetik, ”Me duar dashurie”. Vjershat e këtij vëllimi, kryesisht, janë lirika të mendimit dhe të ndjenjës, që shpesh ndërthurën me elementet e fotografimit të ngjarjeve të kohës dhe narracionin për to. Problematika e poezive të M. Gjonit është, sa e gjerë aq dhe e larmishme. Shpirti poetik i kësaj mësueseje, lundron përmes dallgëve të vështira të jetës së përditëshme. Ai përpalset me rrymat dhe kundërrrymat antinomike të ndjesive shpirtërore të njeriut të ditëve tona.

Objekt i poezive të saj, janë bërë lindja dhe vdekja, mirësia dhe ligësia, liria dhe skllavëria, besa dhe tradhëtia, gjakmarrja dhe egërsia…Teknika e vjershërimit të kësaj poeteje të re është e shumëllojshme. Në poezitë e saj lexuesi do të gjejë edhe ëmbëlsinë e vargjeve e strofave të matura tradicionale, edhe bukurinë e vargjve të lira e të bardhë modernë, të shkruar në monokolonë, të cilët për vetë natyrën e tyre nuk i kanë shpëtuar prozaizmit dhe hermentizmit. Edhe pse në disa poezi shfaqen dukshëm elementet e hermetizmit modern, shumë prej tyre përçojnë te lexuesit mendime dhe emocione të dretpërdrejta.
Poezitë e këtij vëllimi karakterizohen nga ndjenja e sinqertë dhe mendimi i kthjelltë. Metaforat dhe animizimet e shumta, përçojnë te lexuesit mesazhe të ngrohta dhe me vlerë, për të sotshmen dhe të ardhshmen.

Ballinat e librit poetik të Merita Gjonit-Gjoka…

Një vend të dukshëm në këtë vëllim poetik zënë poezitë me motiv erotik. Dashuria, në poezitë e M.Gjinit, merr përmasa njerëzore. Ajo shfaqet sa individuale dhe e papërsëritshme, aq dhe gjithënjerëzore; sa e magjishme, aq dhe tokësore. Në poezinë “Me duar dashurie”, me të cilën është pagëzuar libri i dytë i saj, dashuria merr fytyrën e muzës poetike, e cila duket sikur të rrëmben mbi krahët e saj, për të të shëtitur mbi mbrekullitë e botës.Në këtë poezi autorja, përmes heroit lirik, jo vetëm e ndjen dhe e përjeton shumë dashurinë, por dhe e nxitë të dashurin e saj që t’i shtrijë duart magjike, për ta rrethuar shtatin e saj të bardhë, “nga qafa deri në bel”. Në shpirtin e këtij “heroi lirik” të dashuruar, bashkëjetojnë edhe liria edhe gëzimi,edhe skllavëria edhe trishtimi, edhe mjalti edhe sheqeri, edhe helmi edhe zeheri. Në poezinë “Ne të dy”, dashuria gjallon brenda puthjeve të sinqerta dallgështërnguese.

Për Meritën, dashuria është “magjia e shpirtit të pastër dhe të lirë”, ”bardhësia dhe stolia e zemrës”. Dashurinë njerëzore ajo e thith si bleta punëtore nëpër lulet e bjeshkëve, për ta ruajtur në hojet e ëmbëla të mjaltit. Duartë e dashurisë së saj të lirë janë “zgjatime degësh të hazdisura/, që shtrihen drejt shtatit të bardhë”. Për të, ajo që e nxit dhe e zgjon fillimisht dashurinë,është bukuria, simbol i së cilës ka qenë dhe mbetet femra. Por, shkruan poetja, ”Kur bukuria kokulur rri/në llumin pa përmbajtje,/këmbët këmbehen/pa mendim/, edhe aroma e trëndafilit zbehet”. Ndërsa jeta dhe dashuria,shkatërrohet e ndalet. Dashuria, nga skllavëria dhe tradhëtia,”humbet stolitë”. Stolitë e dashurisë nuk janë bukuritë e akullta, pa shpirt dhe diamantet e shtrenjta, por ”puthjet dhe përqafimet e zjarrta”.

Ashtu si për shumë poetë të tjerë, edhe për M.Gjonin sytë janë simbol i dashurisë dhe i tradhëtisë. Në hapësirat e tyre sa të vogla, aq edhe të mëdha, notojnë dete të thellë dashurie dhe tradhëtie. Në shumë vargje me motive erotike, autorja bën përkufizimin poetik të dashurisë. Për të, dashuria është ”kurorë me lule të freskëta lëndine,/shtegëtare që kërkon strehë të sigurtë,/muzë hyjnore e shpirtit”. Por, fatkeqësisht, ka raste që ajo tjetërsohet në “grenxë, që në shumë zemra gjezdis”.

Objekt i këtij vëllimi poetik janë bërë dhe disa dukuri të tjera shoqërore, si lindja dhe vdekja, ëndrra dhe shpresa,e mira dhe e keqja,liria dhe ngujimi, përgjumja dhe zgjimi. Ëndrrat e heroit lirik të poezive të M.Gjonit, për liri dhe drejtësi, fatkeqësisht edhe në ditët tona, janë të fashitura e të grisura. Ato vazhdojnë të lëngojnë “nga plagët pa shërim,/që shtohen pa mbarim nëpër mote”(46). Kjo vjen, sepse edhe pse jetojmë në kohë moderne, ditët ngujohen në zbrazdësi, ndërsa dielli fshihet pas rrjetave të merimangave helmuese. Është kjo arsyeja kryesore që koha dhe ditët gulçojnë nga aritmia dhe çorientimi. Gjatë rrjedhës natyrore, ato verbohen nga mjegullsira e pabesia e “honeve dhe kartarakteve” të papritura. Për poeten ka dhe ditë, që “prehen në kurthe çengelësh”, të cilat si njerëzit fatkeqë, luten për shpëtim. Ditë të tilla bëjnë që e ardhmja,herë të mjergullohet e herë të ngrijë, “si bora në suferinë”.

Nëse lindja, në këtë vëllim poetik, konceptohet si proces ripërtëritjeje dhe zhvillimi, jeta paraqitet si një det me dallgë, që herë trazohet dhe herë qetësohet. Njeriu, gjatë jetës, rend përmes rrëpirash e honesh. Ai rend drejt të paarritshmes, duke kapërcyer shumë të përpjeta dhe të tatëpjeta. Ndërsa vdekjen M.Gjoni e trajton si dukuri tepër të dhimbshme, por jo tragjike. Edhe pse ajo paraqitet si një dukuri, që “çarmatos shpirtin e njeriut”, për ta zhytur “në akullnajat e gjarprinjëve”,ajo nuk mund të quhet fundi i botës. Jeta vazhdon të ripërtërihet e të ndryshohet.

Një tjetër poezi e bukur e këtij vëllimi është ajo me tiull, ”Futur në maskë”. Nëpërmjet saj, M.Gjoni dushon shpirtin binjak të njeriut të tjetërsuar. Tjetërsimi e bën njeriun”të shqyejë mendimet dhe të braktisë shqisat dhe dëshirat e veta”. Kurse “të ligjëve”, ajo u vesh epitetet”mantel i palarë”, ”gojë të mullirta, që përlyejnë të vërtetat dhe tjerrin merimangat e dështimit”. Për poeten, në shpirtin e kriminelit dhe mëkatarit mungojnë drita dhe meloditë e bukura. Ata mbjellin mbi tokë dhimbje, varfëri dhe lotë, të cilët pikojnë mbi fytyrat fatkeqe, ”si kripa mbi plagë”. Vrasësit e kohës ajo i quan “egërsira, që zhele kanë veshur” dhe “zemrën e shpirtin e kanë të zhubrosur”.

Fatkeqësisht,edhe bota e shoqëria e sotshme është trondiur nga ethet për pushtet e para! Njerëzit, që notojnë mbi ujëra të tilla të turbullta,u ngjajnë lukunive të uqërve,që për poltrone dhe para,brejnë eshtra dhe shpirtëra njerëzish. Armiqtë e njerëzimit janë “të idhët si varri, /të zinj si terri i natës,/plot gjëmba si iriqi”.

Autorja e ndjen thellë shqetësimin qytetar për luftën ndaj gjakmarrjes,si dukuri tepër negative e shoqërisë, fatkeqësisht edhe në ditët e sotshme. Në poezinë ”I ngujuari”, gjakmarrja shfaqet si një shtrigë, që ha bijtë e vetë. Ndërsa i ngujuari, viktimë e kësaj mortaje, paraqitet si një “ëndërr e fikur”,”truptretur dhe mushkëri nxirë”,”flokzi thinjosh e zemërngrirë”. Të vetmet ilaçe, që e shërojnë njerëzimin nga kjo mortajë vdekjeprurëse, janë pajtimi dhe falja.

Këtë vëllim, M.Gjoni e mbyll me poezinë”Zgjimi”,e cila është ndërtuar mbi bazën e një apostrofi metaforik ,që tingëllon si një thirrje qyetare, drejtuar gjithë njerëzimit, që ai të zgjohet nga apatia dhe gjumi letargjik, që mbjellin sadistët dhe egocentristët, për të trembur dhe sunduar mbi shoqërinë njerëzore. Përmes vargëzimit metaforik, ajo kërkon të zgjojë te lexuesit vetëdijen, që askush të mos guxojë ”t’i vjedhë ëndrrat” dhe t’u ndërtojë para syve “prita e gardhe”.

Së fundi, mund të themi se krijimtaria poetike e mëseses Merita Gjoni-Gjoka i ngjan një fëmije të shëndetëshëm, që rritet dhe zhvillohet vrullshëm. Ajo ka impuls dhe çiltërsi, ndjenjë dhe përjetim, vendosmëri dhe guxim për të sjellë para lexuesve vlera, mesazhe dhe ndjesi të bukura dhe emocionuese.