3 poezi nga Nexhat Halimi

0
426
Nexhat Halimi - pikturë

Nexhat Halimi

Poezia dhe amshimi II

(Mikut të madh të fëmijërisë, Rr. Hamitit,
i cili as gjatë Luftës nuk e lëshoi Dumnicën
)

Thirrja përmes eterit më lidhi në gjithësi me ty
Zëri yt më preku papritur me shpirtin e vjetër
Më ktheu prapë në kodër të aracës te pusi i etur
Kaq vjet më vonë më ktheu befas në fëmijëri
Në fushën me tufa lulesh të xhenetit në largësi
Në atë pjesë të ikur të egër dhe kaq të bukur
Të flisja e para sysh më ikte gjithnjë një flutur
Hija ime e jotja nga ecin e mendojnë ndryshe
E prapë e krijonin të njëjtën ëndërr etjes tjetër
E bijtë e secilit tashmë janë bërë etër të vjetër
E bijat e secilit tashmë janë bërë nëna apo gjyshe
Më thirre larg në vetminë time të pandërprerë
Të mendoj në rrugën e gjatë nga ec me kumbim
Ja pse unë dhe ti jemi të njëjtë gjithnjë të etur
Ja pse kujtimi nuk vdes e poezia është amshim

Poetët duan njëjtë

Ec e ec dhe ec fushës së ndezur nën brymë
Ndoshta pas kaq vjetësh do të arrij te ti
I vetmuar i harruar mezi arrij të ngihem frymë
E qiellit të zbrazët më përhitet një fajkua
I mbytur në vigmën e vet dhe në mua
Tashmë asgjë nuk vetëtin sipërfaqes në ujit
Vetëm dëgjohen lëvizje të zjarrit të Mujit
Lëviz ndopak dhe mendja e vrarë në largësi
A do të vish këtë verë të takohemi te lisi
Ja sesi më është nxirë rreth nga vetmia plisi
Kot e zgjoj të kaluarën ajo nuk vjen kurrë
Më kujtohet `i poet tek shikohet në pasqyrë
E sheh relievin e fytyrës së vet qartë në shurrë
Veç ta shpreh pikëllimin e thellë në urë
Ja dhe unë ndihem pa ty i vetëm e i ngrirë

Sonte vetëm për ty

Sonte do të ndahem në mijëra copëza mitike
Do të zgjoj inserte çaste data e ngjarje mistike
Do të besoj në gjërat që s`kam besuar kurrë
Ta ndjek valën nga zgjon rrjedha nën urë
Do të zë vigmën e fajkoit qiellit në vetëtimë
Do të përplasem në dridhjet e zemrës së Toplicës
T`i dërgoj lule nënës në varret e Dumincës
Sonte do të dua për vdekje në perin e vetmisë
Do t`i kujtoj netët te kroi nga pik me ushtimë
Ta ri zgjoj ibrikun e mbushur ujë për mua
Të shtrihem nën pemë të fle ende i paprekur
Të përgjigjem veç në zgjimin etjes së tretur
Dashurinë për ty të mos e lidh me vrasjen e egër
Sonte do të bëj përpjekje të dua vetëm për ty
E të më dhemb të bie pandërprerë rrebesh shi


Dita me lëkurë hajni

(Katarina Josipit, aktore e shquar,
kaloi në amshim me 29, prill, 1969
)

Kaq e rëndë dita me lëkurë hajni,
Ik` e ik` e ik` sokaqesh pa sy.
Çdo gjë në të zi për vdekjen, për Ty.

Nën peshën e dhembjes e të lotit
Prilli i zvogëluar për një palë duar,
Për një shikim, për një përqafim.

Mbi udhët, drurët, pullazet bie shi.

E rëndë, Kati e heshtur, dita pa Ty
Teatrit loti i rrëshqet mbi fytyrë
Në vete i puth sall kujtimet, ëndrrat,
Verbër nga shikohen në pasqyrë.

II

Mbi udhët, drurët, pullazet bie shi.

Të gjitha rrugët humbin në mua
Me buzëqeshjen e harruar të së kremtes
Ti e le qytetin, Ti e le teatrin. Dhe, ne.

Funerali i lodhur ik pas hijes së vet
Një dhembje e gjallë nëpër qytet
Rrugë më rrugë, troket, derë më derë
Krejt e verbër, qan, pa vete pa fener

As Dita të marrë frymë, as Teatri, as Ti.
Qytetin e rrah shiu dhe lotët e mi.

III

Kortezhi përkundet vetvetes në dhembje,
Rrugë më rrugë rrëshqet, lumë i thyer
Një nënë me fëmijë në gji, një plak sy shqyer
E heshtje e ndezur, e lot. Zgahje dhe vetmi

Ti ikën, pas ngelin kujtimet dhe pasqyra
Vetat nga qajnë e qeshin, një mijë fytyra
Tërë në mallëngjim dëgjohet diku lira

Pas vetes vjen pas teje zemra ime duke qarë
E hajni që vodhi lumturinë ik` pa u vrarë

Qyteti gërhet i ftohur, ndrydh dejtë në vete
Ti ikën, pas ngelin kujtimet, ëndrrat, pasqyra
Vetat nga qajnë e qeshin, një mijë fytyra.

(Fundi i prillit, ‘69, gazeta “Rilindja”)