Fjala e lirë nën rrethim


0
89

Robert Skidelsky, 01.07.2011

Ju e dini se një doktrinë ndodhet në telashe, kur as ata që pretendojnë se e mbrojnë atë nuk e kuptojnë çfarë në të vërtetë do të thotë ajo. Bazuar në këtë standard, doktrina klasike e lirisë së fjalës është në krizë. E ne do të bënim më mirë që ta vëmë sa më shpejt që të jetë e mundur në rregull këtë gjë – si në aspektin legal, moral apo kulturor – në rast se duam ta mbrojmë kuptimin e duhur të asaj çfarë do të thoshte jetesa në një shoqëri të lirë

Kohë më parë, në një festival letërsie në Britani, papritmas u gjeta në mesin e një paneli që diskutonte lirinë e shprehjes. Për liberalët, liria e shprehjes është treguesi kryesor i lirisë. Demokracitë i përmbahen fjalës së lirë; diktaturat e shtypin atë. Kur ne në Perëndim shikojmë tutje, në këtë pikë na mbesin të përqendruar sytë. Ne i dënojmë qeveritë që i heshtin, burgosin dhe madje i vrasin shkrimtarët dhe gazetarët. “Reporterët pa kufij” mbajnë shënime: 24 gazetarë janë vrarë dhe 148 janë burgosur, vetëm gjatë këtij viti. Një pjesë e premtimit që ne dëgjojmë të jepet në “Pranverën arabe” është pikërisht çlirimi i mediumeve nga duart e diktaturës.

Megjithatë, fjala e lirë në Perëndim është në telashe. Tradicionalisht, ligji britanik vendos dy kufizime kryesore për “të drejtën e fjalës së lirë”. I pari ndalon përdorimin e fjalëve apo të shprehjeve që mund të nxisin prishjen e rendit publik; i dyti është vetë ligji kundër shpifjes. Që të dyja kanë bazë të mirë – të ruhet paqja dhe të mbrohet reputacioni i individëve nga gënjeshtrat. Shoqëritë më të lira i pranojnë kufizimet e tilla si të arsyeshme.

Mirëpo, ky ligj kohëve të fundit është bërë më kufizues. “Nxitja e urrejtjes fetare dhe racore” dhe “nxitja e urrejtjes në baza të orientimit seksual” tash janë ilegale në pjesën më të madhe të shteteve të Europës, të pavarura nga çfarëdo kërcënimi për rendin publik. Ligji është ndryshuar nga ndalimi i gjuhës që mund të shkaktojë dhunë në ndalimin e gjuhës që ka për synim ofendimin.

Shembulli më i dukshëm i kësaj është ligji kundër mohimit të Holokaustit. Mohimi apo minimizimi i Holokaustit është krim në 15 shtete të Europës dhe në Izrael. Mund të diskutohet nëse Holokausti ishte një krim aq veçanërisht i neveritshëm sa të kualifikohet si një rast special. Mirëpo, rastet speciale kanë veçorinë e shumëfishimit.

Franca e ka shndërruar në një gjë ilegale mohimin e çdo lloj “krimi të njohur ndërkombëtarisht kundër njerëzimit”. Kurse në shtetet myslimane është gjë ilegale që masakra armene e viteve 1915-1917 të quhet “gjenocid”, ndërsa në disa shtete perëndimore është ilegale të thuhet se ajo nuk ishte e tillë.

Disa shtete të Europës Lindore ndalojnë në veçanti mohimin e “gjenocideve” komuniste. Censura e kujtimit, të cilën ne njëherësh e cilësojmë si diktaturë, tash është një industri e madhe në rritje në Perëndimin “e lirë”. Në të vërtetë, censura zyrtare është vetëm një copëz e ajsbergut të censurës kulturore. Një person publik duhet të ketë kujdes të vazhdueshëm që të mos fyejë, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për diçka ndërkombëtare apo jo.

Thyerja e kodit kulturor dëmton reputacionin e një personi dhe mbase edhe karrierën e ndokujt. Sekretari i brendshëm britanik, Kenneth Clarke, kohë më parë ka kërkuar falje se ka thënë që disa përdhunime janë më pak serioze se disa të tjera, duke e nënkuptuar nevojën për diskriminim ligjor. Parada e gafave dhe kërkimfaljet pasuese janë shndërruar në dukuri të zakonshme të jetës publike.

Në esenë e tij klasike “Për lirinë”, John Stuart Mill mbrojti fjalën e lirë, duke thënë se një hetim i lirë ishte i domosdoshëm për të avancuar dijen. Kufizimet në fusha të caktuara të hetimeve historike janë të bazuara në preambula të kundërta: e vërteta dihet, e paditura është ta vësh atë në pikëpyetje. Kjo është absurde; çdo historian e di se nuk ekziston një gjë e tillë si e vërtetë përfundimtare historike.

Nuk është detyrë e historisë që të mbrojë rendin publik apo moralin, por të tregojë atë që ndodhi. Historia e mbrojtur në mënyrë ligjore siguron që historianët të veprojnë sigurt. Për të qenë të sigurt, përmbajtja e parimeve të Millit shpesh kërkon mbrojtjen e të drejtave të karaktereve të neveritshme.

David Irving shkruan histori të pavërteta, mirëpo persekutimi i tij dhe burgimi në Austri për “mohimin e Holokaustit” mund ta kishte tmerruar Millin.

Përkundrazi, presioni për “korrektësi politike” bazohet në argumentin se e vërteta është e pamësueshme. Deklarimet lidhur me gjendjen njerëzore janë çështjet esenciale të opinionit. Për shkak se një deklaratë e opinionit nga disa individë mund të ofendojë të tjerët, dhe pasi deklarata të tilla nuk i kontribuojnë zbulimit të së vërtetës, shkalla e tyre e fyerjes bëhet kriteri i vetëm i gjykimit të pranueshmërisë së tyre.

Prandaj tabuja për fjalë të caktuara, fraza dhe argumentet që nënkuptojnë se individë të caktuar, grupe ose praktika janë superiore apo inferiore, normale apo jo normale, pra kërkimet për mënyra edhe më neutrale të emërtimit të fenomeneve sociale, në këtë mënyrë e shterin gjuhën nga fuqia dhe interesi i saj.

Një shembull klasik është mënyra se si “familja” ka zëvendësuar “martesën” në diskursin publik, me nënkuptimin se të gjitha “mënyrat e jetesës” janë barabar të vlefshme, me gjithë faktin se shumica e njerëzve këmbëngulin me kërkesën për t’u martuar. Është bërë tabu të përshkruhet homoseksualiteti si një “perversitet”, edhe pse kjo ishte pikërisht fjala e përdorur në vitet ’60 nga filozofi radikal, Herbert Marcuse (i cili e lavdëronte homoseksualitetin si një shprehje mospajtimi).

Në atmosferën e sotme të asaj që Marcuse do ta quante “tolerancë represive”, një gjuhë e tillë do të konsiderohej “stigmatizuese”.

Imperativi social që qëndron prapa përhapjes së “korrektësisë politike” është një fakt se ne tani nuk jetojmë më në shoqëri patriarkale, hierarkike dhe mono-kulturore, të cilat shfaqin pajtim të përgjithshëm, nëse jo jopasqyrues, për vlerat themelore. Përpjekjet patetike për të imponuar një ndjenjë të përbashkët të “të qenët britanik” apo “të të qenët holandez” në shoqëritë multikulturore, megjithëse me qëllimin më të mirë të mundshëm, provon ndarjen e identitetit të përbashkët.

Gjuha publike është shndërruar në valutën e përbashkët të këmbimit kulturor dhe secili rikujtohet që të ketë parasysh sjelljet e tjetrit. Rezultat i kësaj është një shumëfishim i fjalëve bishtnuese që ftohin debatin politik dhe atë moral dhe që krijojnë një boshllëk gjithnjë e më të madh ndërmjet gjuhës publike dhe asaj që shumë njerëz të thjeshtë e mendojnë.

Mbrojtja e shprehjes së lirë nuk është bërë më e lehtë me abuzimet e shtypit popullor. Na duhen mediume të lira për të shprehur abuzimet e pushtetit. Mirëpo gazetaria hulumtuese diskreditohet kur u nënshtrohet jetëve private të të famshmëve, kur nuk trajton asnjë çështje me interes publik. Një thashethem argëtues është shndërruar në një sulm mbi privatësinë, me gazetat që pretendojnë se çdo tentim për t’i mbajtur ato jashtë dhomave të gjumit të njerëzve është një sulm ndaj fjalës së lirë.

Ju e dini se një doktrinë ndodhet në telashe, kur as ata që pretendojnë se e mbrojnë atë nuk e kuptojnë çfarë në të vërtetë do të thotë ajo. Bazuar në këtë standard, doktrina klasike e lirisë së fjalës është në krizë.

Do të bënim më mirë që ta vëmë sa më shpejt që të jetë e mundur në rregull këtë gjë – si në aspektin legal, moral apo kulturor – në rast se duam ta mbrojmë kuptimin e duhur të asaj çfarë do të thoshte jetesa në një shoqëri të lirë.

(Robert Skidelsky, anëtar i Dhomës Britanike të Përfaqësuesve, është Profesor i Merituar i ekonomisë politike në Universitetin Warwick. Ky koment është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”)